EKSKLUZIVE/ “Dua mentalitetin e CR7”, talenti “i llastuar” i Tiranës, Muçi: Ju tregoi sekretet (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 23:49

EKSKLUZIVE/ “Dua mentalitetin e CR7”, talenti “i llastuar” i Tiranës, Muçi: Ju tregoi sekretet (E PLOTË)

3 ndeshje radhazi dhe nga këmbët e tij Tira na ka marrë një fitore të artë me përmbysje dje në Laç dhe nëntë ditë më parë një “asist” goli për triumfin në derbi, pikërisht pas goditjes së tij. Nuk bëhet fjalë për sulmuesin më të mirë të Superiores. As më të paguarin te Tirana. Por mbase për më të talentuarin në organikën e 24 herë kampionëve. Ernest Muçi, 18-vjeçari që mori përdore bardheblutë dje në Laç, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” tregon se është i llastuar nga familja. “Normale kur je djali i vetëm”, tregon ndër të tjera ai.

ernest muci 1

Dopietë për të përmbysur Laçin. E kishit menduar se do e arrinit vetëm në ndeshjen e dytë si titullar në kampionat? 

Jo, asnjëherë! Megjithatë, pas ndeshjes sot (dje), jam shumë i lumtur që shënuam shpejt për të barazuar rezultatin dhe në fund që ia dolëm të merrnim 3 pikët. Ishte një fitore shumë e rëndësishme që fituam. Po më dribloni, mos jini kaq altruist.

Po më dribloni, mos jini kaq altruist. Çfarë menduat te goli i dytë?

(Qesh…). Jo, vërtet e them që ishte shumë e rëndësishme për ne të merrnim këtë 3- pikësh jashtë shtëpisë, pas derbit dhe asaj fitoreje me Flamurtarin, do të ishte mbyllja më e mirë e mundshme që mund t’i bënim këtij viti. Kur shënova golin e dytë, vrapova menjëherë drejt stolit për të qenë të gjithë bashkë në këtë festim. U gëzova vërtet.

Çfarë shenje i bëtë stolit para se të zëvendësoheshit?

Me sa vëmendje e paskeni ndjekur(qesh…). U mundova që të komunikoj me stolin që të mos nxitoheshin. Po u kërkoja të bënte secili pjesën e tij për ta vonuar sa mundësi të kishim, brenda hapësirës së lejuar. Kështu i jepet kohë skuadrës, por edhe atij që do të futet.

Ka qenë disi surprizë aktivizimi si titullar në Laç. Po për ju, kur jua komunikoi Egbo? 

U ndjeva shumë mirë në atë moment. Nuk di nëse e kam shprehur me mimikë, apo i kam lënë të kuptojë apo jo që isha shumë i motivuar. Kisha shumë dëshirë të luaja dhe ta ndihmoja sa më shumë skuadrën. Isha vërtet shumë i karikuar për të dhënë 100%.

Çfarë ju kërkoi Egbo të bënit?

Shpresoj të mos jetë sekret (qesh…). Më tha të ruaja pozicionin dhe të ruaja energjitë për të qenë sa më i freskët kur të dilja para portës.

Sa e vështirë ishte të luanit në atë terren?

Në fillim të lojës ishte shumë e vështirë, por me kalimin e minutave u përshtatëm dhe po fillonim ta luanim më shumë topin në të dytën.

A keni një dedikim për këtë dopietë?

Po, pikë së pari për shokët e mi të ekipit. E meritojnë të gjithë këtë fitore. Gjithashtu edhe për familjen time, mbështetja kryesore.

ernest muci

Kush ju ka bërë futbollist?

Ka qenë dëshirë e imja. E kam pasur pasion që i vogël dhe nuk mbaj mend ndonjë ditë larg futbollit. S’e mendoj dot pa të…

Këmba juaj e preferuar? 

Në fakt është e djathta por mundohem që të përdor edhe të majtën.

Kush ka qenë trajneri juaj i parë? 

Nuk e kujtoj. Ju them vetëm që e kam nisur 5 ose 6 vjeç.

Kush është Muçi, një përshkrim për veten?

Kam lindur në Tiranë dhe tanimë jetoj në zonën e Liqenit Artificial. Jetoj në një familje ku jemi pesë anëtarë, unë, prindërit dhe dy gjyshërit. Jam çun i vetëm dhe në fakt jam pak i llastuar nga familja. Është normale besoj, kur je fëmija i vetëm në shtëpi. Di të them edhe që ia kam kushtuar jetën time futbollit.

A ju pëlqen jeta e natës?

Jo, jo. (qesh…)

Ekipi juaj i preferuar?

Tirana, mund të pranohet si përgjigje? (qesh…) Real Madrid!

Sulmuesi juaj i preferuar që synoni t’i ngjani ose që ju frymëzon?

Unë mundohem të shikoj shembuj të ndryshëm, qoftë edhe jo sulmues, në mënyrë që të mësoj sa më shumë aspekte që duhen në futboll. Më shumë më frymëzon Kristiano Ronaldo në mënyrën si stërvitet dhe mundohem që të kem edhe unë atë mentalitet.

Muzika e preferuar? 

Çdo rrymë ose më saktë çdo këngë ritmike.

A keni marrë shumë mesazhe sot (dje) dhe cili ishte më i bukuri? 

Po, realisht po, shumë mesazhe. Më të veçantat ishin telefonatat e familjarëve të mi. Të parët me të cilët fola direkt pas ndeshjes dhe jam shumë i lumtur që arrita t’i bëj krenarë.

Me kë folët dhe çfarë ju thanë? 

Janë emocione personale. Nuk besoj të kenë interes për të tjerët.

Shumë specialistë e kanë thënë që meritoni më shumë minuta. Sapo u aktivizuat, shënuat. Ju vë nën trysni kjo gjë?

Jo, përkundrazi, më motivon edhe më shumë që të jap akoma më shumë nga vetja. Që të tregoj më të mirën e mundshme në fushë. Të tregoj kush jam unë sa herë që jam në fushë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"