EKSKLUZIVE/ Bojkotimi i Kategorisë Superiore, reagon UEFA: Është çështje e federatës, na kanë thënë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 0:05


EKSKLUZIVE/ Bojkotimi i Kategorisë Superiore, reagon UEFA: Është çështje e federatës, na kanë thënë…

Bojkotimi i kampionatit nga skuadrat elitare në vend është nën vëzhgimin e kujdesshëm edhe nga instancat europiane të futbollit. Saktësisht, UEFA po e vëzhgon me kujdes gjithçka çfarë po ndodh në Shqipëri me futbollin.

UEFA

“Panorama Sport” ka kontaktuar me qeverinë europiane të futbollit, për të marrë prej saj një përshtypje mbi çfarë po ndodh momentalisht me Kategorinë Superiore. Në komentin e saj shumë të shkurtër dhe tejet diplomatik e të kujdesshëm, UEFA kërkon që të jetë “politikisht” korrekte duke u shprehur se bëhet fjalë për një çështje të brendshme të një prej anëtareve të saj. Mirëpo, megjithëkëtë, nënteksti i përgjigjes nga UEFA është gjithashtu i qartë se nuk është pro bojkotit.

E kontaktuar nga gazeta me anë të rrugëve zyrtare të komunikimit, institucioni europian i futbollit bën me dije se është në vëzhgim të kujdesshëm të gjithçkaje që po ndodh me futbollin në vendin tonë, sidomos në një situatë të tillë. Për më tej, UEFA, si në shumë raste kur kërkon që të tregojë edhe pavarësinë vendimmarrëse të anëtarëve të saj, udhëzon që për gjithçka të kësaj natyre duhet kërkuar informacioni i plotë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, si organizatore e garës dhe vendimmarrëse për të.

Ja përgjigjja e UEFA-s për “Panorama Sport” lidhur me bojkotin e kampionatit. “UEFA është informuar në kohë nga Federata Shqiptare në lidhje me zhvillimet e situatës, e cila ne shpresojmë që të zgjidhet pozitivisht në një kohë sa më të shpejtë të mundshme dhe sa më të përshtatshme që futbolli të rifillojë. Për më tepër informacione, duke qenë se është një çështje e brendshme, ju lutemi referojuni Federatës Shqiptare të Futbollit”.

EMAILI

PSE LIGA DHE JO FSHF

E keni parasysh kur një klub vonon qoftë edhe për 5 minuta një ndeshje futbolli dhe kalon menjëherë në vendim disiplinor dhe merr gjobë? Po. Kjo, për vetë faktin se është e papranueshme që të ketë një bojkot në futboll, në një garë e cila ka start të përcaktuar, axhendë të përcaktuar, kalendar të mirëpërcaktuar dhe në fund verdiktet finale. E kësisoj, në këtë logjikë ka të paktën dy arsye pse në këtë ballafaqim me qeverinë është Liga ajo që e ka marrë “flamurin” e protestës dhe jo drejtpërdrejtë FSHF. Së pari, kjo është për vetë kundërshtinë e bojkotit që ka në rregulloret dhe frymën e UEFA-s.

Një garë duhet me çdo mënyrë të zhvillohet dhe në fund të ketë fituesit që meritojnë të jenë atje brenda një kuadri rregulloresh. Juridikisht, FSHF-së nuk i lejohet që të nxisë bojkot dhe të dalë në kundërshti me direktivat e UEFA-s. Së dyti, me këtë veprim, po faktorizohet Liga. Në fund të të gjithë kësaj çështjeje, sido që të jetë vendimmarrja, Liga do të dalë e fituar. Pse? Sepse mori vëmendjen e munguar dhe krijoi një profil të caktuar për të tentuar që të shmangë çdo dyshim të ngritur për të deri më tani.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/