EKSKLUZIVE/ “Maldini idhulli im”, Fangaj: Preka topin, nuk i kuptoj pretendimet e Kukësit. Titullin e luajmë kundër kryeqytetit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 20:20

EKSKLUZIVE/ “Maldini idhulli im”, Fangaj: Preka topin, nuk i kuptoj pretendimet e Kukësit. Titullin e luajmë kundër kryeqytetit (E PLOTË)

Abdurraman Fangaj ishte padiskutim protagonisti kryesor në sfidën mes Egnatias dhe Kukësit, e cila u mbyll me rezultatin 2-1 për vendësit.

gdg

Fangaj arriti të fitojë një penallti për Egnatian në pjesën e parë, por edhe kreu një ndërhyrje vendimtare kundër Rashitit në fraksionin e dytë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” mbrojtësi i djathtë u shpreh se ndihet i lumtur që po ndihmon ekipin e tij dhe se episodi me Rashitin nuk është penallti, pasi pretendon që ka prekur topin.

Fangaj, kundër Kukësit rezultuat protagonist me një penallti të fituar dhe një ndërhyrje vendimtare në pjesën e dytë, si ndiheni?

Ndihem i lumtur kur shikoj që ndihmoj ekipin tim të marrë 3 pikë shumë të rëndësishme. U gjendëm në disavantazh, por treguam forcë karakteri duke përmbysur gjithçka. Ajo që më gëzon është forma sportive që po kaloj, pasi shoh dje dhe ndiej rritje nga ndeshja në ndeshje.

Kryet një ndërhyrje vendimtare kundër Rashitit, prekët topin apo sulmuesin kuksian?

Është një episod që ka marrë vëmendjen e opinionit sportiv momenti kur unë i ndërhyj sulmuesit të Kukësit, Rashitit. Kam vrapuar me besim dhe në fakt përpjekjet e mia u shpërblyen, pasi arrita të prek topin. S’i kuptoj pretendimet e kundërshtarëve që pretendojnë penallti për një rast kur unë duket që kap vetëm topin, pastaj edhe trupin e kundërshtarit.

E nisët sezonin në stol, tashmë jeni titullar i padiskutueshëm, ndieni presion nga rivaliteti?

Presionin nuk e vuaj aspak, pasi jam i vetëdijshëm që luaj në një klub që ka elementë cilësorë, pasi synon titullin dhe ka ambicie. Unë përpiqem të jap maksimumin dhe punoj çdo ditë që të bëj më të mirën për klubin, pasi kam besimin e gjithë klubit.

Egnatia luan me formacionin 4-3-3, si ndiheni në aspektin taktik me këtë modul?

Roli im është mbrojtës i djathtë dhe moduli me 4 mbrojtës më jep garanci dhe shtysë për të bërë përpara, pasi dëshiroj të marr inkursione në ndihmë të sulmit. Ndihem mirë me mënyrën se si luan profesor Tetova, pasi arrij të marr më të mirën time.

Kë shihni ekipin që do të rivalizoni për titullin kampion?

Mendoj që dy ekipet e kryeqytetit Tirana dhe Partizani janë skuadra që tentojnë titullin në fund të sezonit. Egnatia do të luajë fatet e veta. Ne jemi ndërtuar për titullin dhe kemi të gjitha kapacitetet për të mbërritur te trofeu. Kemi dëshmuar që fitojmë dhe dominojmë çdo kundërshtar dhe kjo na jep besim se mund t’ia dalim.

Çfarë do të thotë për ju të luani në një repart me lojtarë si Malota, Musta apo Memolla?

Është privilegj dhe krenari që luaj me lojtarë që janë më të mirët në rolin e tyre. Mësoj çdo ditë nga ata dhe arrij që t’i marr maksimumin vetes, pasi janë vlerë si futbollistë, por edhe njerëz përtej fushës së lojës.

Kush ka qenë kundërshtari që ju ka vendosur më shumë në vështirësi këtë sezon?

Lojtari që më ka vendosur në vështirësi është Rashica i Skënderbeut. Është i shpejtë dhe ka kualitete të admirueshme si futbollist.

Çfarë i premtoni tifozërisë rrogozhinase?

U premtoj se do të jap maksimumin që bashkë me të gjithë futbollistët e tjerë të bëjmë gjëra më të mëdha se sezoni i shkuar. Futemi në fushë për t’i lumturuar ata, pasi janë gjithmonë mbështetja jonë më e madhe. Ata e meritojnë që titulli të vijë në Rrogozhinë. Ky është sezoni i duhur për të bërë ëndrrën realitet.

Cili është lojtari që ju ka inspiruar si mbrojtës?

Jam rritur duke parë Paolo Maldinin. Një nga mbrojtësit më fantastikë që ka njohur historia e futbollit botëror. Lojtarë me fjalë pak, por gjithmonë protagonist me cilësitë e tij. Jo më kot është legjenda e një klubi madhështor si Milani.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"