“Ekipi e la në baltë Manajn”, Fakaj nuk kursehet: Hysaj nuk më la shije të mirë, gaboi pothuajse çdo pasim e aksion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 0:28

“Ekipi e la në baltë Manajn”, Fakaj nuk kursehet: Hysaj nuk më la shije të mirë, gaboi pothuajse çdo pasim e aksion

Ervin Fakaj, ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ka analizuar humbjen 3-0 të Shqipërisë ndaj Kilit dhe sipas tij, ekipi ka filluar të shfaqë shenja vetëkënaqësie që po e dëmtojnë.

fakaj

“Përpos rezultatit e lojës së dobët, ajo që më shqetëson më tepër ishte fakti që ne deri në këtë pikë, përveç disa lojërave, na ka sjellë entuziazmi dhe fryma që u krijua. Ajo që më shqetëson është që mos ndoshta kemi kaluar në eufori e vetëkënaqësi të parakohshme. Për të mëdhenjtë është shumë e dëmshme, jo më për një ekip si i yni që kërkon të rritet ë ditë pas dite.

Nëse flasim për anën teknike, si u luajt, për hir të së vërtetës, nuk është se pamë diçka. Sot ishte ditë jo, sidomos për ata që ishin në provë. Ditë e keqe. Ekipi nuk e ndihmoi Manajn. Ai është një sulmues që ka treguar vlera, sulmues tipik goli. Por nëse ekipi nuk e sjell topin te ai, është e pamundur që të shfaqë aftësitë e veta. Nuk është sulmues që merr topin nga mesfusha me sprint të rrezikojë. Ai është lojtar zone dhe ekipi duhet ta ndihmojë. Ekipi sot e la në baltë, sot nuk krijuam asgjë nga fillimi deri në fund.

Shoh vetëkënaqësi të parakohshme. Futbolli si të ngre me vështirësi, kur krijon diçka që nuk e ke, të rrëzon shpejt poshtë. Lojtarët tanë nuk janë në maksimumin e vet në këto momente, duke nisur nga Hysaj i cili nuk më la shije të mirë sot. Po ta shohësh, është protagonist te tre golat. Te i pari ndoshta ka prekje me dorë, por edhe te të tjerët është aty. Pres nga Hysaj më shumë eksperiencë, që të japë maksimumin e vet dhe të jetë edhe ndihmë për më të rinjtë, jo të gabojë pothuajse në çdo pasim e aksion. Kundërshtari na sulmonte nga krahu i tij e krijonte rrezikshmëri.

Në mesfushë pati probleme gjithashtu, në eliminatore ishte ndër repartet më të mira, ku kishim forcën maksimale. Sot për hir të së vërtetës, kundërshtari na e mori në gjithë 90 minutat. Nuk ishte Ramadani që kemi parë në eliminatore, as Bajrami nuk ishte në maksimum, Asllani gjithashtu. Një ditë “jo”, por ajo që më shqetëson më tepër, është vetëkënaqësia, është vrastare për ekipe të nivelit tonë”, tha Fakaj për “SuperSport” pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"