Egnatia shkon me avantazh, Tetova: Pres spektakël në Shkodër, duam finalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 8:57

Egnatia shkon me avantazh, Tetova: Pres spektakël në Shkodër, duam finalen e Kupës

Egnatia dhe Vllaznia janë dy skuadra ri vale këtë sezon në të dy kompeticionet. Këto dy skuadra kryesojnë Superioren, ndërkohë që janë përplasur edhe në gjysmëfinale të Kupës. Deri tani kanë luajtur 4 ndeshje, ku bilanci është në favor të rrogozhinasve. Këta të fundit e kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës dhe sot në Shkodër do të kërkojnë biletën e finales. Në konferencën për shtyp, trajneri Edlir Tetova ka theksuar se ekipin e tij e pret një ndeshje e vështirë në “Loro Boriçi”, por me kualitetet që ka Egnatia duhet ta zgjidhë kualifikimin.

edlir tetova

Tetova, luani kundër Vllaznisë takimin e dytë gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Si vjen Egnatia në këtë sfidë?

Egnatia vjen në një forme të mirë sportive, pas një fitoreje me përmbysje në transfertë kundër Laçit. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar për të qenë gati për ndeshjen me Vllazninë. Skuadra ka marrë ngarkesë dhe është gati. Ndeshja me shkodranët është padiskutim një finale e parakohshme për atë që ekipet kanë treguar këtë sezon. Do të jetë një ndeshje spektakolare, për t’u shijuar, mes dy skuadrave që luajnë një futboll argëtues.

Si është gjendja e lojtarëve, keni mungesa nga dëmtimet apo të pezulluar?

Prej ditësh me skuadrën janë stërvitur Mario Gjata dhe Arbenit Xhemajli, të cilët kanë kaluar më në fund problemet dhe do të jenë në dispozicion për ndeshjen me Vllazninë. Të dy futbollistët besoj do të na ndihmojnë për pjesën e mbetur të sezonit. E vetmja mungesë është ajo e Sebastjan Spahiut, i cili është i pezulluar dhe rikthehet në kampionat në fundjavë. Pjesa tjetër e lojtarëve gëzon një formë të kënaqshme, edhe pse kemi luajtur gati çdo 3 ditë kohët e fundit.

Sa ju ndihmon rezultati 1-0 i takimit të parë për të shkuar në finale të Kupës?

Fitorja minimale e sfidës së parë kundër Vllaznisë natyrisht që na ndihmon. Kemi avantazhin që luajmë për dy rezultate dhe sigurisht që presioni kalon te shkodranët. Kjo nuk do të thotë se i kemi gjërat në rregull, pasi na duhet të diktojmë ritmin gjatë gjithë takimit. Vllaznia është një skuadër me cilësi dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo moment për të siguruar finalen e Kupës.

I druheni faktit që Vllaznia do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj në këtë takim?

Tifozët jo më kot janë konsideruar lojtari i 12-të në futboll. Ata kanë gjithmonë rëndësi gjatë një ndeshje. Jam i bindur që tifozët e Vllaznisë do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për të përkrahur ekipin e tyre, por kjo nuk do të na pengojë që të bëjmë lojën tonë. Gjej rastin të ftoj të gjithë sportdashësit rrogozhinas që të na bashkohen në këtë ndeshje të rëndësishme, pasi mbështetja e tyre na ndihmon për të arritur objektivin.

Egnatia ka pasur oshilacione në 2024-ën në rezultate. Jeni i kënaqur me ekipin aktual?

Kemi zhvilluar një sezon pozitiv, duke dominuar në kampionat, ku kryesojmë që nga muaji shtator dhe synojmë ta mbyllim të parët. Në Kupë kemi më shumë se dy vite që nuk humbasim, edhe pse jemi ndeshur me ekipe prestigjioze në futbollin shqiptar. Në fazën e tretë është e vërtetë që ne nuk patëm rezultatet e duhura, por të mos harrojmë se patëm disa ndryshime në merkaton e janarit. Drejtuesit e klubit dhe unë kishim për qëllim të aktivizonim të gjithë futbollistët për t’i pasur ata në formë të mirë sportive në këtë fund sezoni. Jam i lumtur me të gjithë futbollistët dhe besoj se me këtë grup do t’u shkojmë deri në fund të dy objektivave që kemi.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"