Egnatia rigjen shkodranët, Zekaj: Përsërisim historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 23:16

Egnatia rigjen shkodranët, Zekaj: Përsërisim historinë

Ditën e djeshme në ambientet e FSHF-së është hedhur shorti për turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Goglat përcaktuan sfidën Egnatia- Vllaznia. Ndeshja e parë që do të luhet në Rrogozhinë më 3 prill, ndërsa e kthimit në Shkodër më 24 prill.

73209863_530348344207101_8607735564994609152_n-1-696x696

Egnatia është fituese në fuqi e Kupës, ndërsa me Vllazninë u përball edhe në edicionin e kaluar gjatë turit gjysmëfinal, duke eliminuar shkodranët pas fitores 1-0 në shtëpi dhe barazimit 1-1 në “Loro Boriçi”. Dje gjatë hedhjes së shortit ishte i pranishëm presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, por para mediave doli shefi i zyrës për shtyp, Xhevdet Zekaj, i cili tha:

“Shorti është interesant, do jenë dy ndeshje të bukura me Vllazninë, që të kënaqen sportdashësit. Të gjithë kundërshtarët nuk na trembin fare, ne shikojmë punën tonë. Jemi fitues të Kupës në fuqi dhe e kemi objektiv edhe këtë sezon. Kemi pasur lëvizje në merkaton e janarit, kanë ikur lojtarë dhe janë afruar lojtarë të tjerë që gradualisht kanë zënë formacionin, si Rama, Ahmetaj, Montenegro. Ky kampionat po tregon që diferencat kanë rënë. Kukësi eliminoi Partizanit, është e paparashikueshme. Në fakt, Egnatia ka një qëndrueshmëri.

Skuadrat kalojnë në ekstazë kur barazojnë me Egnatian, jo se e mundin atë. Kjo tregon që ka luksin t’i sulmojë të dy trofetë, ka stolin me lojtarë që mund të luajnë në formacionin e gjithë skuadrave të tjera. Ne pretendojmë të dy trofetë, prandaj kemi bërë rrotacion javët e fundit të kampionatit, që të kemi gati edhe lojtarët e stolit. Do të jenë dy ndeshje të bukura, sepse Vllaznia të lë të luash dhe ne dimë të luajmë, me sulme graduale dhe me shumë pasime. Kupa ka edhe rrezikun brenda, por bilancin e kemi 7-1 me Vllazninë. Pak rëndësi ka kush do jetë në finale. Premio? Presidenti ka dhënë dhe kjo është normale”.

STËRVITJA – Egnatia vijon përgatitjet për sfidën që do të luajë të shtunën në Korçë kundër Skënderbeut. Në seancën e djeshme, trajneri Edlir Tetova e ndau ekipin në dy grupe dhe qëllimi i ushtrimit ishte ndërtimi i aksionit të shpejtë dhe konkretizim në portë. Ky ushtrim u bë disa herë, por ajo që ra në sy, ishte se u shënua pak gola. Pas ushtrimit me ndërtim të sulmeve të shpejta, te rrogozhinasit u zhvillua edhe një ndeshje kontrolli.

Qëllimi ishte që mbrojtja të luante shpejt topin e parë dhe të krijohej superioritet numerik në sulm, por edhe këtu pati mangësi nga lojtarët, që disa herë preferonin pasimin mbrapa apo topin horizontal. Tetova kërkonte më shumë shpejtësi në pasime dhe të ndërtohej më shpejt aksioni.

Ndërkaq, zëvendëstrajneri i Egantias, Julian Brahja, ishte i fokusuar më shumë te reparti i mbrojtjes. Më një moment, shihet duke i shpjeguar lëvizjet mbrojtësve sesi duhet ta lëshojë sa më shpejt topin përpara. Pas ndeshjes së kontrollit, numri një i pankinës së Egnatias e vendosi ekipin edhe në situatën e goditjeve standarde, kryesisht në aspektin difensiv.

Duket se trajneri i rrogozhinasve Tetova nuk dëshiron të pësojë gol nga goditjet standarde, prandaj i vendosi lojtarët në pozicion mbrojtës për të larguar rrezikun e për t’u nisur me shpejtësi përpara. Në fund pasi seanca stërvitore u mbyll disa lojtar si Zejnullai, Fernando dhe Spahiu provuan goditje dënimi. Të tre shënuan gola spektakolarë, duke shkëmbyer edhe batuta me njëri-tjetrin.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"