EDITORIALI I KAMPIONATIT / Vllaznia spektakolare dhe Egnatia e sigurtë, megjithatë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 19:19

EDITORIALI I KAMPIONATIT / Vllaznia spektakolare dhe Egnatia e sigurtë, megjithatë…

Nga BESNIK DIZDARI
Vështroni se sa të meta të mëdha që ka skema e këtij kampionati. Në jav ën 23 Egnatia e Rrogozhinës (48 pikë) kryesonte me 11 pikë më shumë se skuadra e vendit të dytë që ishte Partizani (37). Tashmë, në javën 26, pra vetëm mbas 3 javëve, Egnatia kryeson me vetëm 4 pikë më tepër se skuadra e vendit të dytë që është Vllaznia. Janë 50 me 46! Përveç shpërthimit gati të papërmbajshëm të skuadrës shkodrane, kjo ka të bëjë edhe me faktin se në tri ndeshjet e fundit Egnatia ka marrë vetëm 2 pikë.

Çast nga ndeshja Vllaznia-Tirana 3-1 FOTO: F.HAZISLLARI

Çast nga ndeshja Vllaznia-Tirana 3-1, FOTO: F.HAZISLLARI

Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se po të mos ishte kjo skemë krejt e papranueshme, në këtë ngushtim befasues pikësh brenda 3 javëve nga 11 në vetëm 4, do të na detyronte ne gazetarëve të titullonim pak shumë kështu:

“Dramatizohet lufta për titullin kampion!”.

Do të mjaftonte vetëm ky titull për të dramatizuar edhe vetë interesin e kampionatit. Kjo, sepse 10 javë para mbarimit, 4 pikë epërsi nuk janë asgjë. Mirëpo sundon ajo, katërshja e titullit! Çka dihet tashmë se është e keqja më e madhe garës së këtij kampionati. Kështu nuk ka vend për dramë asisoji.

Dhe ja “mrekullia”! Është ajo që na thotë se ndërkohë Egnatia ka plot 14 pikë më tepër se skuadra që është më pranë katërshes, që është Dinamo e cila zë vendin e 5-të. Kësisoji, është krejt e vështirë, madje e pamundur, që kjo skuadër ta përmbysë Egnatian e të mos e lejojë që mbas 10 javëve të mbetura, skuadra rrogozhinase të humbasë jo vetëm vendin e parë, apo edhe të katërtin, e të mos jetë një nga pretendentët e katërshes për titullin. Mirëpo, +14 pikë larg vendit të 5-të 10 javë para mbarimit, kjo do të thotë jo më Dinamo, por për ata që i njohin mirë ecuritë historike të mundshme të kampionateve, kjo është thuajse absurde që të ndodhë.

E dimë, arithmetika e pikëve kurrë nuk ka siguri absolute, por megjithatë po guxoj të pohoj se 10 javë para mbarimit të kampionatit, më pakta është përcaktuar një nga skuadrat që do të jetë në “katërshen e Federatës Shqiptare të Futbollit”, siç po më pëlqen ta emërtoj. Dhe kjo është Egnatia e Rrogozhinës. Nga të 10 ndeshjet e mbetura Egnatias i mjaftojnë të fitojë vetëm nja 4, ose të marrë vetëm 12 pikë. Që do t’i bëheshin 62. E për ta nxjerrë jashtë katërshes, Dinamos do t’i duhet t’i fitojë nja 9 nga 10 ndeshjet e mbetura, që kështu të mbërrijë në kuotën e 63 pikëve, 1 më shumë se Egnatia. Shpresoj se u kuptuam, i dashur lexues.

Kështu pra, kampionati 2023-24 “i burgosur” prej skemës së tij të papranueshme, është i pari kampionat në historinë e Shqipërisë, i cili 10 javë para mbarimit ka përcaktuar thuajse absolutisht se njëra prej 10 skuadrave të tij, që është Egnatia e Rrogozhinës, është siguruar që të jetë pretendente e paracaktuar për në katërshen e titullit kampion.

Dhe me vetëm kaq skema bie poshtë. Pas suksesit të vendit të tretë kampionatin e kaluar, skuadra e Rrogozhinës, qysh tash mund të themi se ka arritur rezultatin e saj më të mirë në histori, teksa ka të drejtën të gëzojë emërtimin “pretendente” në katërshe, 10 javë para mbarimit. Çka do të thotë se me largësinë prej 14 pikësh nga skuadra e pestë që është Dinamo, nuk ka arsye të mërzitet aspak se iu afrua Vllaznia me 4 pikë larg. Besoj se përsëri e kuptoni fort mirë se sa shumë e cenon garën skema e FSHF-së!

Më vjen çudi kur dëgjoj që ende, me stilin gazetaresk të kampionateve të kaluar, flitet tash e parë për pretendentë të titullit kampion. Madje ia thanë edhe Vllaznisë, krejt para kohe, edhe megjithëse edhe ajo ka një siguri të logjikshme që do të mbetet në katërshe. Nuk mund ta quajmë pretendente për titullin kampion, megjithatë. Këtë nuk ia lejon skema “dashakeqe” e këtij kampionati. Ajo ka shpikur vetëm një garë: garën për të hyrë në katërshe, natyrisht mbasi ke dorëzuar në zyrat e FSHF të gjitha pikët që ke fituar. Dhe për të ardhur mandej në Tiranë në duelin, me sa duket “rrethe – kryeqytet”. Dhe vetëm kaq.

E megjithatë…

Megjthatë, Kampionati vazhdon e shumëkush kujton, bie fjala, se mbas fitores fort tërheqëse të së shtunës 3-1 të Vllaznisë ndaj SK Tiranës, skuadra shkodrane është afër titullit kampion. Kurrsesi! Ajo është vetëm pretendente e sigurtë për të hyrë në katërshen e famshme të FSHF-së. Çka duket e ndjehet qartë edhe në atë që po e quaj “diskursi” tejet i matun televiziv i trajnerit Qatip Osmani – protagonisti i kthesës së madhe të Vllaznisë. Ajo është e sigurtë vetëm për një synim: me qenë në katërshe.

Por siç e kam thënë shpesh, në fund të fundit, qëllimi i një kampionati të futbollit, nuk është fitimi i titullit. Synimi parësor i një kampionati janë ndeshjet e bukura të çdo jave për të kënaqur kërkesat e shijes sportdashëse të një populli. Për ta çlodhur atë, e për t’i dhuruar çaste të bukura relaksi përmes po vlerave të spektakleve të futbollit.

Dhe ja ku mbërrijmë te Vllaznia e Shkodrës, që për çudi, pas kaq kohësh, i pati ndoshta nja 8000 shikues në tribunat e “Loro Boriçit” të saj. E sundoi Sportklubin, sidomos në pjesën e parë, përmes një taktike që mu duk si një lloj “presingu”. Kjo, duke e bllokuar kundërshtarin qysh në fushën e tij, ndërsa në mesfushë ky “presing” thuajse asfiksoi çdo dëshirë për sulme të SK Tiranës. Ishte një epërsi e qartë, pavarësisht nga tronditja e ngushtimit prej golit të miqve, sepse menjëherë erdhi 11- metërshi i Balajt të kudondodhur, i cili tundi edhe një herë rrjetën mike. Ishte 3-1 përfundimtar!

Kjo ishte fitorja e 9-të në 11 ndeshjet e fundit të Vllaznisë dhe me dy barazimet do të thotë se për 11 javë skuadra shkodrane nuk njeh humbje. Kthesa ndodhi, pas humbjes 3-0 më 2 dhjetor 2023, në Rrogozhinë, me Egnatian pra, e cila e kryeson kampionatin qysh nga java 5 më 23 shtator 2023.

Këto 11 ndeshje përbëjnë një rekord të ri për Vllazninë e cila më 1945-1946 pat fituar 20 ndeshje rresht.
Tahiri, Dibra, Koxhja, Gjeloshi, Osmani, Abdia, Alibali, Fakja, Nehani, Vasija, Smajli, Halepiani, L.Boriçi, Juka, Barbullushi, Rexhepi, Ademi, Shaqiri, Mirashi, Abdia, Çoba… Trajneri ishte një nga zotnitë më të spikatun të Shkodrës, Ibrahim Dizdari, rekordmeni për 20 vjet i kërcimit me shkop, portieri i Vllaznisë i viteve ’30, pedagogu në zë i edukimit fizik. Ishin që të gjithë shkodranë të mirëfilltë. Sot sigurisht është diçka tjetër. Ndonëse prapë Shkodra si Shkodra! Në fitoren e fuqishme të saj ndaj SK Tiranës, plot 8 lojtarë i pati shkodranë. E në këtë raport të autoktonisë qytetare të futbollistëve të saj, ajo ua kalon të gjithë skuadrave të tjera në të cilat sundojnë jo futbollistët vendas.

E kam pas quajtur për herë të parë ndeshjen Vllaznia-SK Tirana si “derbi i Shqipërisë”. Tash shumë me kuptim kështu i thonë të gjithë. E patën përuruar ndeshjen e parë të tyre në kampiontin e parë më 6 prill 1930 në Shkodër. Ishte ndeshja Bashkimi Shkodran (Vllaznia) – SK Tirana, me fitoren gati të ngjashme me këte të 94 vjetëve më vonë. Ishte një 3-2 dramatik (Qazim Dervishi, Paç Koliqi, Gjon Kiri, Rexhep Maçi, Hilmi Kosova). Nja 2 javë më vonë, 20 prill 1930, në Korçë Skenderbeu triumfon ndaj skuadrës shkodrane me një 4-2 spektakolar – një “ndeshje shembullore e frymës vëllazërore”, siç e përcaktonte “Gazeta e Korçës”. Ai ishte Skenderbeu i Teli Samsurit të madh – qendërsulmuesi, i cili për çudi në krah kishte si gjysmësulmues njeriun nga Shkodra me emrin Anton Mazrreku. Ai që themeloi radiokronikën shqiptare dhe gazetën sportive të Shqipërisë.

Tash nuk e di se çka do të jetë ndeshja e kësaj jave, ajo Skënderbeu-Vllaznia e vitit 2024 të shekullit XXI. Uroj mbi gjithçka që Korça sportive të mbushë stadiumin e saj “Skënderbeu” me sportdashësit-qytetarët e saj fisnikë. Për të qenë edhe ky një shenjë tjetër i mirë, vazhdues i pamjes së stadiumit “Loro Boriçi”, i së shtunës që shkoi. Kampionati i Shqipërisë, më shumë se gjithçka tjetër, ka fort nevojë që të thërrasë të munguarin e madh të kohës sotme, spektatorin…

E mandej? Mandej burrërisht FSHF-ja të mblidhet pa e zgjatë këto dit, e të vendosë shtimin e skuadrave për kampionatin e ardhshëm. Dhe të gjithë ne të pasurohemi me Bylisin po e po, por sidomos me KS Elbasanin, Flamurtarin e Vlorës, Apoloninë e Fierit dhe…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"