Editoriali i kampionatit/ Karakteri sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 21:37

Editoriali i kampionatit/ Karakteri sportiv

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Kështu i kemi pasë thënë dikur: “karakteri sportiv”. Sot i thonë “fair play” (“lojë e ndershme”). Mirëpo, me sa duket, sot “fair play” në sport, e sidomos në futboll, është bërë gjithnjë e më vështirë për t’u ruajtur. Arsyeja? Thuhet se janë paratë…

Mirëpo, ja që në javën 34 të kampionatit të Shqipërisë, kampionia e saporealizuar, sportklub Tirana, demonstroi një karakter sportiv të denjë për një kampione të saposhpallur, siç është ajo. Ndonëse sportklubi karakterin sportiv e ka pasur përherë në gen. Dhe nuk i lëshoi pe Vllaznisë së Shkodrës, por e mposhti me një 3-1 spektakolar. Nuk i duheshin aspak 3 pikët, e edhe pse e dinte mirë se ato i duheshin fort mikes së tij të vjetër, Shkodrës, nuk ia dhuroi, por luajti futboll të ndershëm e të vërtetë, çka na bën të besojmë se kështu do t’i luajë edhe dy ndeshjet e mbetura…

Për fat, karakteri sportiv ndër ne është cenuar jo pak edhe prej spektatorit. Nuk di si ta shpjegoj se si qe e mundur që në ndeshjen SK Tirana – Vllaznia ishin aq pak spektatorë. Përgjigjja e kësaj pyetjeje them se merr një rëndesë të fuqishme, teksa kërkon të gjesh arsyet e kësaj mospranie të tyre. Paramendonin se skuadra e tyre mund t’ia lëshonte Vllaznisë apo ngaqë titulli u sigurua dhe ndeshjet e humbasin kuptimin?

Pikërisht këtu mund të na përsiatet moskuptimi i forcës së karakterit sportiv. E pra, për një skuadër që siguron titullin dy-tri javë pa mbaruar kampionati, bash në këto ndeshje të cilat ajo duhet t’i shndërrojë në të forta e të bukura, qëndron edhe forca e karakterit sportiv. E mû prej këtu, si të thuash, prarohen në vërtetësi absolute medaljet e kampionit.

Tirana-Vllaznia

Në kampionatin e Shqipërisë prej kohësh, si padashur, cenohet karakteri sportiv. Është e rëndë, tejet e rëndë, kur ndodh që edhe nga trajnerë, e aq më tepër nga “analistë”, për vlerat e futbollit përdoren tash e parë shprehje të tilla krejt çarmatosëse si: “Skuadra e ka siguruar vendin e dytë apo të tretë, e nuk ka pse të merakoset më” apo të llojit, që “kjo ndeshje nuk ka pikë rëndësie sepse pozitat e skuadrave u arritën”. Duke vazhduar mandej me kulminacione kësisoji: “E ka siguruar Europën dhe s’ka pse të sforcohet më tej”.

Këto mendime, jo vetëm cenojnë karakterin sportiv, por shkatërrojnë qëllimin, synimet sociale, dëfryese, çlodhëse dhe të shijuarit e vërtetë të vlerave të sportit, në këtë rast, të futbollit. Lind pyetja: Përse shkohet në stadium? Vetëm për të shijuar fitimin e titullit kampion? Vetëm për një vend në Europë? Dhe vetëm kaq? Kurrsesi.

Një ndeshje futbolli është një shfaqje e përjavshme. Është një lloj si teatri, si drama, si shfaqja artistike. Mendoni për një çast sikur mbas suksesit të premierës apo dhe fitimit të një titulli në një festival teatror, në shfaqjet e radhës aktorët t’ia varin interpretimit. Po të ndodhë kjo, arti merr fund. E, futbolli në larminë e pasur të vlerave të tij spektakolare, është si puna e artit. E dimë të gjithë se sa shumë futbollistë janë quajtur artistë dhe interpretimi i tyre kurrë nuk ndalur.

Ky është arti i futbollit. Duke iu kthyer temës sonë, futbolli, e përmes tij edhe karakteri sportiv, nuk mund të marrin fund ngaqë titulli kampion është siguruar pa mbaruar kampionati. Është e papranueshme që thuajse në rubrika, komente, shkrime, intervista për kampionatin, përmenden gjithnjë paratë, shitblerjet e futbollistëve, milionat që do të “shkëmbehen”. Madje, deri aty sa që në vend që për futbollistët e trajnerët të sundojë përparësia për të treguar sadopak për vlerat e kampionatit, për bukurinë e lojërave të tyre, për interpretimet e guximshme, të mbysin pyetjet:

“Me kë do të shkosh stinën e ardhshme?” Kjo, edhe për trajnerët. Me një fjalë, lëvizni, shituni, ndërroni skuadër sa më parë e plot thirrje kësisoji. Të tjerat nuk paskan rëndësi. Pa menduar se kjo mënyrë “sjelljeje” doemos ndikon në cenimin e karakterit sportiv. Ke luajtur mjaft, je kampion e këto javë vetëm mendo se ku, me cilën skuadër do të shkosh kampionatin tjetër. Si të thuash, mjaft deri këtu, e kreve detyrën.

Po në të vërtetë, nuk është kështu. Sigurisht, dëshira për të fituar titullin apo për të zënë një vend për në Kupat e Europës janë synime fort nxitëse, përveçse edhe përfitim aq i nevojshëm financiar. Mirëpo, duke qëndruar edhe këtu te “kampionatizmi” – në kuptimin e mirë të kësaj fjale – përse nuk qenka një synim i bukur nxitës që të renditesh i 5-ti dhe jo i 6-ti, i 7-ti dhe jo i 8-ti? Kjo filozofi ka humbur.

Ka humbur deri aty saqë edhe prej ndonjë trajneri mund të dëgjosh të thotë se meqë renditja e skuadrave kryesuese apo të atyre që bien, nuk ndryshon, ndeshja e radhës luhet vetëm për t’u regjistruar, nuk ka rëndësi. Ky është cenimi i rëndë i karakterit sportiv. Kjo është thirrja për t’i thënë spektatorit: “Mos eja në stadium, se ndeshja do të jetë një kotësi”. Dhe sa interesant, vërtet!

Të gjithë po flasin si për një rutinë tashmë për largimin nga kampionati i Skënderbeut të Korçës dhe Dinamos. Kështu, pa pasur ndikim aspak idetë, mendimet, madje dhe kërkesat jo të pakta, tash më se dy vjet se diçka duhet ndryshuar, duke e bërë kampionatin me 16 skuadra siç u bë shumë bukur për Kategorinë e Dytë (se e Dytë është). E pra, nënshtrimi e cenon edhe karakterin sportiv.

Sepse, të braktisësh prej vitesh Vlorën e Elbasanin, Kavajën e Gjirokastrën, Beratin e tash edhe Korçën, edhe kjo e cenon fort përmbajtjen, forcën e karakterit sportiv. Kjo, ngaqë ti ke dënuar futbollin e qyteteve më tradicionale të Shqipërisë (Me këtë do të rimerremi prapë në shkrime të ardhshme. Nuk heqim dorë, jo, jo! Edhe pse kemi një “armik” të pakëndshëm siç është servilizmi që rrethon drejtimin e futbollit në vend). Po, a vërtet, e cenon organizimi i gabuar i një kampionati karakterin sportiv?…

Të shtunën, në një nga emisionet televizive për futbollin, kryeredaktori i “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj, dha një lloj kushtrimi befasues, që drejt me e thënë, asnjëherë nuk na kishte shkuar ndër mend. Ai tha se një skuadër që mbarështon vetëm 20 lojtarë dhe stafin e saj për kampionatin e asgjë tjetër, është shumë e favorizuar. E kishte fjalën në atë që ky tip ekipi vetëm për këta 20 vetë konsumon financa e mund. Pra, ai është një ekip apo skuadër, por nuk është klub futbolli. Nuk ka ekipe të rinjsh për të mbarështuar, për të mbajtur apo paguar.

Dhe sa keq kur nuk ka as fusha stërvitjeje në qytetin e vet. Nuk ka as stadium për të luajtur madje. Pra, konsumon shumë pak. Ndërkohë që një skuadër tjetër ka ekipe të rinjsh, ka stadium e fusha stërvitjeje e të tjera, çka do të thotë se ka një ekonomi aspak të lehtë për të drejtuar, për të mbarështuar. Kurse ky tjetri vetëm 20 lojtarët e kampionatit. Interesante ishte se ky problem i shtruar prej kryeredaktorit në fjalë sikur nuk gjeti mbështetje, edhe pse ishte një problem, do të thoshim, disi tronditës të cilin deri më sot nuk e kishte trajtuar askush.

Ndërkohë që, siç dihet, i ashtuquajturi licencim, madje edhe prej vetë UEFA-s, është ligj. Në Shqipëri, me sa duket, nuk zbatohet. Ose zbatohet shumë pak. Nuk mund të ruhet forca e karakterit sportiv pa skuadra që edukojnë e formojnë futbollistë të rinj të moshave në qytetin e tyre.

Është shkruar se shumica e skuadrave tona përbëhen jo me futbollistë “autoktonë” të qytetit – e për më tepër përbëhen me plot futbollistë mesatarë të huaj që pengojnë tejet ardhjen dhe formimin e futbollistëve të rinj. Pa harruar tjetrën që na thotë se kemi skuadra të cilat as që nuk jetojnë në qytetin e tyre – dukuri kjo që vitet e fundit ka lulëzuar në Shqipëri. Një njohës i mirënjohur i futbollit më thotë se skuadra e Kukësit ka për të rënë, ngaqë nuk është mësuar të jetojë në Kukës. Dhe tani që ka stadiumin e fushat e saj, nëse lojtarë të shquar do të thirren të jetojnë në Kukës, një qytet i vogël pra, e të lënë Tiranën kryeqytet, nuk do të pranojnë sepse duan të jetojnë në qytetin e madh, dhe kështu që do të shkojnë në skuadra të tjera. Nuk di nëse duhej t’ia pranoja këtë “parashikim” disi kapricioz, por megjithatë më bëri të mendoja…

Një gjë është vërtetë: skuadra e qytetit, duke jetuar në qytetin e vet, ndikon shumë në forcimin dhe edukimin, madje, të karakterit sportiv. Duke jetuar aty në përditshmëri, futbollistët e saj ndikojnë tejet, sidomos te të rinjtë, të cilët i shohin përditë lojtarët, i ndjekin në stërvitje, kënaqen sidomos me të ashtuquajturën “ndeshjen e së enjtes” siç i thoshim dikur. E edhe ato janë një shkollë futbolli për të rinjtë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë. Ndeshje që mbushnin stadiumin apo tribunat modeste të fushës së stërvitjes.

Në adoleshencën e brezit tim, siç e kam thënë njëherë, kur vinte Partizani në Shkodër, asokohe në kulmet e tij, shumë prej nesh bënin një tunel të vogël te dera e hotelit apo te hyrja e stadiumit për të parë nga afër Boriçin, Resmen, Krajën, Dedën, sidomos lojtarët “tanë” të cilët luanin me Partizanin.

Nuk na mjaftonte ndeshja që do të ndiqnim. Donim t’i shihnim nga afër ata, ashtu elegantë siç ishin, qoftë edhe me kostumin ushtarak të ndritshëm të stilit sovjetik si të CSKA së Moskës… E tash? Nuk e di… Ajo që di është kjo tjetra: që ka rënë tejet forca e kampionatit të sotëm të Shqipërisë. Kjo, prej varfërisë të pashembullt të një lloj gjeografie qytetare, ku mungojnë si asnjëherë tjetër në historinë kombëtare skuadrat e qyteteve tradicionale të një karakteri vërtet të lartë sportiv.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"