“Fundi” i një kampionati dhe për çka luhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2018 | 21:37

“Fundi” i një kampionati dhe për çka luhet

BESNIK DIZDARI

Ndeshja e fundit e Javës 22, ajo Fla murtari-Luftëtari, për 24 orë mbaj ti peng renditjen e e pakta 4 skuadrave: KF Kukësit, Flamurtarit, Luftëtarit dhe Partizanit. Dhe fitorja 1-0 e “gjirokastritëve” ndaj “vlonjatëve” mori vërtet vlera disi tronditëse në lëvizjet e kësaj katërsheje të të “dytëve” të Kampionatit. I futa në thonjëza “gjirokastritë” e “vlonjatë” sepse në kampionatin e sotëm të Shqipërisë, kjo etni e qytetarisë ka marrë fund.

Shumica e lojtarëve nuk janë lindës të qyteteve ku luajnë. Çka tani e mbrapa, më të saktë, do të ishim po të komentonim vetëm me emrat e skuadrave apo dhe të ngjyrave të fanellave. Anton Mazrreku ka qenë i pari në vitet ’30, që ka përdorur për Sportklub Tiranën epitetin “bardheblutë”.

111

E vërteta është se Sportklubi kryeqytetas ka qenë skuadra më pa autenticitet qytetar. E mbushur me tiranas, shkodranë, dibranë, kosovarë, elbasanas, po edhe korçarë, Sportklubi ynë – sot i Kategorisë së Dytë – asokohe ishte pra shumëqytetës. Ndërsa sot i kemi shumëqytetetëse pothuajse të gjitha skuadrat. Madje, për të qenë më saktë: i kemi shumkombëshe sepse në një pjesë të tyre, brenda 14 lojtarëve që mund të aktivizohen, mund të ndodhë që të ketë 10 lojtarë joshqiptarë. E ndoshta deri dhe të 7 a 8 kombësive!

Kjo është një nga rëniet më të papranueshme të Kampionatit Shqiptar, i cili është cenuar mû (pikërisht) në kombësinë e tij. Natyrisht, këtu nuk ka vend të krahasohemi me shtete të fuqishme perëndimore sepse ata, sa marrin, po aq edhe nxjerrin jashtë futbollistë të prodhuar në vend. Ndërsa sot, futbolli i Republikës së Shqipërisë i ka apo nuk i ka nja 10-15 futbollistë, të cilët luajnë jashtë.

bardhi

E kam fjalën për lojtarë të dalë nga skuadrat e Shqipërisë, jo për djem me origjinë shqiptare, të cilët i kanë lindur e formuar shtetet e tjera. U zgjata disi me këtë koment të rrufeshëm “etnik” sepse Kampionati i Shqipërisë ndodhet përpara një rreziku të madh si ky i çkombëtarizimit të tij të pafrê. Përveç të tjerave, me lojtarë të huaj krejt mesatarë, prania kë- sisoj e të cilëve po shkatërron afirmimin e talenteve të Shqipërisë. E pra, duke iu kthyer temës që mban titulli, a mos Java 22 vulosi “fundin” e këtij Kampionati?

22

Kemi + 14 pikë epërsi për Skënderbeun e Korçës kryesues dhe kemi + 21 pikë epërsi midis Partizanit të vendit të 7-të dhe skuadrës të vendit të 10-të, KS Lushnjës! Ose po të doni diçka më të butë: kemi plot 10 pikë largësi midis Partizanit të vendit të shtatë dhe të skuadrës, që është vetëm dy vende më poshtë tij, asaj të Teutës së Durrësit të vendit 9-të. Këto dy-tri fakte na japin të drejtën e përcaktimit se kampionati 2017-2018 ka marrë “fund” 14 javë para mbarimit.

Ai ka paracaktuar kampionen, ka paracaktuar njërën nga dy skuadrat që bien, KS Lushnjën e 0-6-ës të së mërkurës, Traktorin e dikurshëm, i cili mbante deri 10.000 shikues në tribunat e tij, që kishin vende për vetëm 5000! Madje, ka paracaktuar edhe dyshen Durrës – Shkodër – dy qytetet më të parë futbollistikë të Shqipërisë – nga ku, me sa duket, do të dalë skuadra e dytë që do të shoqërojë Lushnjën. Sigurisht kjo do të ndodhë nëse prepotenca vetjake e Federatës Shqiptare të Futbollit do të vazhdojë të luftojë si në një stil “donkishotesk” për një kampionat me vetëm 10 skuadra! Duke vazhduar kështu, të kënaqë gjithnjë e më pak dëshirat futbollistike të qyteteve tradicionalë të Shqipërisë. Sidoqoftë, kampionati ka një garë interesante për vendin e dytë, atë të nënkampiones së Shqipërisë.

partizanii

E po aq, edhe atë të vendit të tretë sepse të dyja këto përbëjnë dyshen e kampionatit për të marrë pjesë në Ligën e Europës, siç thuhet në gjuhën shqipe, ose Europa League, siç thonë armiqtë e gjuhës shqipe. Ata, të cilët po në vazhdën e kësaj “armiqësie” kurrë nuk thonë shqip Liga e Kampioneve, por Champions League, madje vetëm “Champions”.

Janë vërtet modernë! Atëherë? Ka pra, do kohë bukur të mira që Kampionati i Shqipërisë luhet vetëm për tri gjëra: me fitue titullin e kampionit, me zënë dy vendet mbas kampiones dhe mos me ra një kategori më poshtë. Këto kërkesa në Shqipëri janë shndërruar në “mit”. Sigurisht i kanë “mit”, sidomos pronarët e klubeve (nëse vërtet ligjërisht kemi të tillë), por ec e merre vesh përse këto përzgjedhje (opsione) janë bërë “mit” për një pjesë të komentuesve, të cilët nuk flasin me mjetet shprehëse të gjuhës së gazetarisë, por me mjetet shprehëse të gjuhës së tregtisë së futbollit.

Ky është nënvleftësimi më i madh që mund t’u bëhet vlerave humane të sportit të futbollit. Kësisoj, duket qartë që në Shqipëri synohet që futbolli i kampionatit të luhet thjesht për të zënë vende që të çojnë në nja dy a katër ndeshje në Europë. (Ndonëse Skënderbeu i Korçës siguroi më shumë se kaq). Në Shqipëri po harrohet se futbolli është shfaqje, është spektakël, është një skenë e pamat dëfryese, që krijon kënaqësi estetike dhe shpirtërore.

Në Shqipëri, gjithnjë e më pak po përdoret përcaktimi i ndeshjeve të bukura, përshkrimi tërheqës i golit të bukur, i fitores shprehëse. Pse jo, i humbjes dinjitoze, i kombinacionit të një harmonie, i baletit kolektiv të futbollit befasues, i një koreografie që e ndez plot ngjyra të blertën e asaj fushe gjigante, që çka nuk bart mbi vete. Bart pasion, dëshirë, guxim, krijim, kolektivitet, elegancë, harmoni, atletizëm e forcë të atyre, të cilët luajnë.

Aktorë sa të një burrërie, po aq dhe të një pasurie interpretuese, të cilët me përjashtim të tragjedisë, i interpretojnë të gjitha të tjerat: dramën, tregimin e shpesh edhe komedinë e një konflikti emotiv, krejt të pastër. Gjithnjë nën ritmikën e një muzike krejt origjinale të goditjeve sa tekanjoze, po aq dhe të mirëurdhëruara të atij, që është i ashtuquajturi kapricioz, topi i rrumbullakët. Dhe e gjitha kjo, e mbuluar apo e veshur prej një shpirti tjetër, atij të thirrjeve të fuqishme të tribunave të spektatorëve, sa të një gëzimi të pamat, po aq edhe të një “dëshpërimi” genuin që zakonisht, për atë që njeh vlerat e futbollit, kurrë nuk zgjat shumë.

Luftetari

Ngaqë mbas shtatë ditëve mbërrin ndeshja tjetër me ambicie e dëshira apo synime të reja. Kjo është bota sa e çuditshme, po aq e pasur e sportit të futbollit, sportin që një nobelist i madh, shkrimtari dhe dramaturgu George Bernard Shaw, e ka përcaktuar në një thënie sa filozofike, aq dhe spektakolare, kur ka përcaktuar se:

“Futbolli është arti që përmbledh historinë universale në 90 minuta”. Ta do mendja se ky është stili i atyre që e shpikën futbollin, anglezëve, e drejta televizive e Kampionatit të të cilëve – meqë e keni mendjen veç të shitjet e te blerjet – shitet, pra, tri herë më shtrenjtë se kampionatet e Italisë, Spanjës e Gjermanisë. Se si mu tek pra, që edhe kësaj radhe të jap shembuj, të cilët nuk kanë punë me Shqipërinë e vogël, që nuk e kuptoj se si shpesh don të shesë e t’i japë mend botës edhe për te futbolli i sotëm perëndimor.

Flamurtari555

Me Shqipërinë, e cila sa vjen dhe e shteron kampionatin e saj po të vogël, teksa përjashton prej tij për vit qytetet më me rëndësi të futbollit të saj. Duke e bërë garën sportive më të dashur të shqiptarëve krejt të parëndësishme.

Kampionatin e saj, pra, atë të cilit për javë, më parë se synimet për të shkuar te Kupat e Europës, ia kërkojmë bukurinë që vështirë se e gjejmë. E për çka luhet? Luhet vetëm për ato që thamë më sipër. Veç për bukurinë e spektaklit, që sa vjen e humbet, assesi nuk luhet.

Dhe më fort se këto radhë të këtij editoriali, këtë e thonë spektatorët, të cilët kanë braktisur tribunat e stadiumeve. Këtë javë ishin mesatarisht 300 shikues për ndeshje! Besoj se është rekordi i braktisjes më të madhe të Kampionatit Kombëtar të futbollit në Shqipëri, qysh kur ai është themeluar, gati 90 vjet më parë. Ky është fundi i parakohshëm i një Kampionati, i cili ende nuk e ka të qartë se për çka luhet. Përveç dy “opsioneve” të tregtisë së futbollit, që përmenda më lart.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"