Edhe për “kryesi”-në, zgjedhjet e FSHF, nuk është mirë të bëhen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2018 | 21:22

Edhe për “kryesi”-në, zgjedhjet e FSHF, nuk është mirë të bëhen

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Dikur i kemi pas thënë Kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej do kohe me pompozitet, si “imitatorë” të UEFA-s, i thonë “Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit”. Dhe kështu pra, më në fund, falë numrit të 20 janarit 2018 të “Panorama Sport”, mësova emrat e kandidatëve për t’u zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërkaq, dihet fort mirë se, në të vërtetë, ky është dhe organi më i rëndësishëm drejtues i futbollit shqiptar.

Nuk e përmend askush. Janë turrë të gjithë për t’u bërë një propagandë të pandalshme vetëm dy rivalëve për president të FSHF (“kryetarë” pra, në gjuhën shqipe). A e shihni se çka ndodh? I ftojnë, sidomos TV-të, pa ia nda. Madje, kur ka të ftuar, pyetjet sunduese janë se “me kë je e kush duhet të zgjidhet”. Deri në emisionet e mesnatës! Si të ishim në një ndeshje të skuadrave të kampionatit. Dhe kush nuk pyetet e intervistohet!

komiteti ekzekutiv

Gazetarë të njëanshëm, specialistë po të njëanshëm, komentatorë e analistë po aq të njëanshëm e deri dhe spektatorë “të njëanshëm” përmes “urdhrit” për të dërguar mesazhe për të zgjedhurin e mundshëm! Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që zgjedhje, kësisoj sportive, të ngrihen në piedestalin e propagandës. Mediatike, televizive, gazetareske, thjesht e një publiciteti krejt të padurueshëm – quaje si të duash. Është vërtet e çuditshme se si paska qenë kaq e uritur kjo masë “propagandistësh” për të lavdëruar, për të kritikuar, për të mbrojtur e për të bërë kësisoj publiciteti vetëm e vetëm për një dyshe mëtuese për kryetar.

Pra, jo për kryetar të shtetit, por të organizatës së futbollit që quhet FSHF! Dhe askush nuk flet për kandidatët – anëtarë për Komitetin Ekzekutiv që mezi i morëm vesh se cilët janë. I pashë me vëmendje dhe më doli se më shumë se gjysma e tyre nuk kanë të bëjnë aspak me futbollin, me drejtimin e tij, me dituritë drejtuese për këtë sport tejet të rëndësishëm edhe për shqiptarët. Dhe, me fare pak përjashtime, shumica e tyre nuk zotëronin assesi përvojë në zhvillimet futbollistike të Shqipërisë, nuk kanë madje as edhe një jetë sado të shkurtër në praktikën zyrtare të drejtimit të futbollit apo qoftë dhe të sporteve kombëtare në tanësi. Mund të jenë tifozë apo dashamirë të futbollit.

Komiteti_Ekzekutiv_2018

Mjerim i plotë! E po aq edhe një guxim për t’u studiuar, jo vetëm prej njohësve të aftë e të ndershëm të këtij sektori, por edhe prej psikologëve të psikologjisë së interesave vetjake njerëzore – nëse ka të tillë. Është interesant vërtet: përse kjo kategori vërshon kësisoj për këto “poste” të futbollit? E ndërkohë, nuk mendoj se janë “poste”, megjithatë. Janë vendosje në detyra e detyrime për zhvillimin e futbollit kombëtar. Madje të lodhshme e me plot kryeçarje. Mos ndoshta ngaqë kanë dhembshuri për prapambetjen e futbollit shqiptar në pjesën dërrmuese të krahinave shqiptare, për rënien historike të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë? Mos ndoshta kanë dhembshuri për Sportklub Tiranën tonë të famshme – sot jashtë Kampionatit të Shqipërisë?

Apo për rënien historike të epiqendrave të futbollit shqiptar si KS Elbasani i Elbasanit, Besa e Kavajës, Tomorit i Beratit, Dinamon e Tiranës, të cilat nuk dalin prej kësaj rënieje tash sa vjet? Pse jo, ndoshta kanë dhimbje për Vllazninë e Shkodrës e Teutën e Durrësit që janë bërë gati të bien edhe ato!… E pra, meqë ju kanë dalë emrat në gazetë si kandidatë për t’u zgjedhur, ndonëse shumicës askush nuk u njeh deri më sot kontribute e dituri për zhvillimet kombëtare të sporteve e futbollit në Shqipëri, përse nuk flasin? Përse nuk tregojnë se si do të luftojnë për t’i përmirësuar këto të meta të pafund që mbulojnë zhvillimet dhe ecurinë e futbollit shqiptar?

Asambleja e FSHF

E sidomos të publikojnë nëse do të jenë trima e të vendosur deri aty saqë presidentin e zgjedhur do ta zotërojnë; sigurisht kur ai nuk është në gjendje të realizojë detyrat apo detyrimet për futbollin e kombit të tij. Ndërkaq, papritmas, zbulova se gati 99 për qind e këtyre kandidatëve ishin qytetarë të Tiranës, të kryeqytetit pra. Dhe këtu duket se marrin fund të gjitha mëdyshjet. Marrin fund sepse futbolli kombëtar nuk ia arrin kurrsesi që të mund të drejtohet vetëm nga njerëz që jetojnë në një qytet të vetëm. Kjo sepse këta nuk do t’i jetojnë apo përjetojnë situatat, ecuritë, zhvillimet e futbollit në krahina e qytete anë e kënd Shqipërisë.

Me këtë Komitet Ekzekutiv – kryeqytetas i plotë – gjithçka do të jetë një politikë sportive kryelokaliste sui generis, “mbrenda rrethit të ngushtë”, të miqësisë së përditshme, të bareve e kafeneve të Tiranës. Sa kënaqësi do të ndieja që të merreshin në provim një pjesë e mirë e këtyre kandidatëve për dituritë më parësore kombëtare e ndërkombëtare të futbollit e të sportit, të olimpizmit, të historisë, të metodave të drejtimit (menaxhimit), të problemeve të mprehta të politikave e të gjeopolitikës së sporteve të kë- tyre punëve që sa të komplikuara janë bërë sidomos sot! Dhe besoj se e dini se çfarë personalitetesh që kërkojnë!…

Një Komitet Ekzekutiv i këtyre kandidaturave nuk përfaqëson Shqipërinë e futbollit. Ai përfaqëson vetëm disa individë që, me siguri, thonë me vete: “E përse të mos zgjidhem unë në drejtim të futbollit shqiptar? E çka kanë më shumë të tjerët?”… Atëherë? Me mend në krye, në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit dihet se duhet të jetë e përfaqësuar fort gjeografia e vërtetë e qytetarisë së futbollit shqiptar. Nuk po shkoj tek ajo tjetra, që aty detyrimisht u takon të jenë të përfaqësuar të paktën personalitete të qendrave të mëdha të futbollit shqiptar. Tirana e Shkodra, Korça e Durrësi, Vlora e Elbasani, Berati, Gjirokastra apo Kavaja.

lajmi_asambleja

E, pse jo, edhe Kukësi i Kampiones së Shqipërisë. Ndërsa zgjidhja më e drejtë dhe më largpamëse do të ishte që çdo Prefekturë e vendit të ketë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit përfaqësuesin e saj. Ndryshe ai nuk është një Komitet përfaqësues mbarëkombëtar. Me emaile, me mesazhe celularësh, me ndjekje të ndeshjeve të futbollit në emisionet e TV-ve, nuk mund të drejtohen zhvillimet e futbollit shqiptar. Madje, assesi nuk mund të njihet problematika e tij e përditshme në qytetet e Shqipërisë.

Dhe as të përjetohen në thellësi dukuritë e ecurisë së tij anë e kënd vendit. Shkoni e shihni se si janë ndërtuar Komitetet Ekzekutive të Federatave të shteteve të tjerë. Madje, edhe të këtyre këtu përreth. E, në fund të fundit, meqë e përmendni tash e parë, për analogji, vështroni Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka këtë gjeografi shembullore shtetesh, që po ua paraqesim këtu me president, zëvendëspresidentë e anëtarë të tij: Aleksander Ceferin (SLLOVENIA), Karl-Erik Nilsson (SUEDIA), Fernando Gomes (PORTUGALIA), Reinhard Grindel (GJERMANIA), Grigoriy Surkis (UKRAINA), Michele Uva (ITALIA), David Gill (ANGLIA), Zbigniew Boniek (POLONIA), Sándor Csányi (HUNGARIA), John Delaney (IRLANDA), Peter Gilliéron (ZVICRA), Florence Hardouin (FRANCA), Borislav Mihaylov (BULLGARIA), Davor Šuker (KROACIA), Michael van Praag (HOLANDA), Servet Yard?mc? (TURQIA), Andrea Agnelli (ITALIA), Ivan Gazidis (BRITANI E MADHE).

Jetojnë në shtetet e tyre që përfaqësojnë, pra jo në qytetin Nyon (si puna e kryeqytetit shqiptar) ku është selia e UEFA-s. Kë- sisoj, kandidaturat klienteliste kryeqytetase (madje dhe e posteve publiko-politike nga njëra anë në tjetrën) për Komitetekzekutivasit e FSHF-së, mjaftojnë për të provuar krejt qartë se Asambleja zgjedhore e 7 shkurtit 2018 nuk ia vlen që të zhvillohet për zgjedhjet. Ajo ia vlen të zhvillohet për të ndryshuar kryekëput atë për të cilën kemi shkruar më parë: Statutin e FSHF-së. I cili aq fort ka nevojë për t’u modernizuar, sidomos në marrëdhëniet, kushtet e stadin e Shqipërisë së sotme të futbollit. A thua rraha edhe kësaj radhe ujë në havan?

asambleja1

Ndoshta…. E, si në një “të shkuar të tashme”, më mbeti mendja te takimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, me sportistë të dëgjuar të Shqipërisë. Aty u takova me një nga më të mëdhenjtë e Kombëtares së Shqipërisë. E kishte pensionin 170.000 lekë të vjetër. Nuk ua them emrin, se e di që kjo atij nuk do t’i pëlqente. Me emrin e tij të madh, me kulturën qytetare dhe sportive që ai zotëron, me përvojën, maturinë, modestinë dhe, mbi të gjitha, me dhimbjen që ka për futbollin kombëtar, natyrisht do të mund të ishte tejet i vlefshëm për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv.

Aq më tepër se jeton në një nga qytetet më futbollistike të Shqipërisë – përfaqësues i denjë i të cilit ai do të mund të ishte edhe për KE-në e FSHF, pra. Dhe jo vetëm ai… Kaq për kësaj radhe, teksa vetvetiu, mbasi i mësova nga “Panorama Sport” e 20 janarit 2018 kandidatët e lartpërmendur, emblema e këtij shkrimi nuk m’u dukën ata, por futbollisti i madh i Kombëtares, në thjeshtësinë e tij shembullore, i cili ishte diku aty, i padukshëm, në mes të të ftuarve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"