“E quajnë të lehtë, le të shkojnë deri në çerekfinale”, kur “show” eklipson kampionët, Alban Beqiri: Pa info dhe servilë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 11:47

“E quajnë të lehtë, le të shkojnë deri në çerekfinale”, kur “show” eklipson kampionët, Alban Beqiri: Pa info dhe servilë

Në “tallavanë” me diatike po shikojmë gjithnjë e më shumë të promovohen dhe të shiten për kampionë sportistë që bëjnë “show” duke përdorur simbolet kombëtare, të cilët kanë shkuar deri aty madje sa të eklipsojnë edhe kampionët e vërtetë të vendit tonë. Një nga sportet që njihet më së shumti për prodhimin e këtyre sharlatanëve është boksi. Pikërisht kjo gjë e ka indinjuar jo pak edhe boksierin më të mirë të historisë së Shqipërisë, Alban Beqirin.

ALBAN BEQIRI

Ky i fundit rreth një muaj më parë regjistroi rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave që Kombëtarja jonë e boksit kishte arritur ndonjëherë në një Kampionat Botëror. Një arritje që nuk erdhi në një vend dokudo, por në zemër të Serbisë, në Beograd, me Alban Beqirin që ngriti në podium flamurin kuqezi, duke fituar medalje bronzi, në një aktivitet që u cilësua madje si Botërori më i fortë i të gjitha kohërave.

Por, për mungesë të informacionit për sa i përket mënyrës së funksionimit të sistemit të boksit, shumë njerëz ngatërrohen me fjalën amator (kështu quhen eventet olimpike, botërore apo europiane) dhe atë profesionist (që në shumë raste kemi të bëjmë me evente biznesi për të shitur kryesisht bileta, aq më tepër kur bëhet fjalë për rangje të ulëta).

Lidhur me këtë “perde” injorance që ka mbuluar jo pak njerëz në mbarë shqiptarinë, të cilët nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes një kampioni të vërtetë me dikë që bën “show”, ka reaguar edhe medalisti kuqezi, Alban Beqiri.

Në një deklaratë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari nga Puka rikthehet të komentojë arritjen e jashtëzakonshme, ndërsa thekson se ndonëse në vështirësi dhe pa biznesmenë e promovim nga pas, ai do të vazhdojë të bëjë vetëm boks të vërtetë.

DEKLARATA – Ja çfarë deklaroi Beqiri në prononcimin e tij për gazetën: “Dua të shpreh se jam shumë i lumtur dhe krenar, sepse në këtë sport që ushtroj nuk jam as biznesmen apo ndonjë ‘lekist’ që të menaxhoj emrin tim pa pushim, por një boksier i thjesht nga një vend i vogël si Shqipëria. Pa mbështetje dhe kushtet e duhura arrita që t’i sjell një medalje historike vendit, por këtë gjë disa njerëz e cilësojnë arritje të lehtë dhe disa e krahasojnë me ndeshje që fitohen me sy mbyllur.

ALBAN BEQIRI

Kjo te disa ndodh për shkak mungese informacioni, ndërsa disa duan të bëjnë servilin dhe t’i japin rëndësi vetes për t’iu dëgjuar emri me intervista në media. Por, unë jam i bindur dhe i lumtur se fëmijët e tyre në të ardhmen do të dëgjojnë emrin tim nëpër shkolla, palestra apo salla sportive si boksieri i parë që i sjell medalje historike Shqipërisë. Duke u dhënë përgjigje këtyre njerëzve përgjithmonë historia flet vetë.

U them gjithashtu atyre boksierëve që e komentojnë arritjen time, të vijnë e ta provojnë veten në një kampionat të tillë, të arrijnë të paktën deri në çerekfinale, jo më deri në gjysmëfinale ku shkova unë, sepse edhe në 8- she nuk kishte arritur asnjë njeri që kur ka ekzistuar boksi shqiptar.

Prova falas është vetëm se duhet shumë stërvitje sakrificë dhe kryesorja rezultate, pasi në kompeticione të tilla nuk ka pjesëmarrës që merren nga rruga, por sportistë që zgjidhen nga çdo shtet për të përfaqësuar flamurin”, tha Alban Beqiri.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"