E ardhmja e Lulajt dhe Serxhios, Laçi varet nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2017 | 19:26

E ardhmja e Lulajt dhe Serxhios, Laçi varet nga Skënderbeu

Laçi ka marrë pushimet, megjithatë “firot” e para kanë nisur. Zyrtarisht janë larguar nga kurbinasit Harallamb Qaqi dhe Emanuel Mensah. Ky i fundit ka zgjidhur kontratën me konsensus dhe është shumë pranë kalimit te danezët e Silkeborg. Ende nuk ka asgjë zyrtare, megjithatë, referuar edhe deklaratës së fundit që sulmuesi ganez dha për gazetën, ai aspiron që të luajë jashtë Shqipërisë, ndaj edhe shpalli “divorc” të parakohshëm.

Bruno Lulaj Laci

Nga grupi që mbylli sezonin, ka paqartësi edhe për të ardhmen e Bruno Lulajt dhe Serxhio Xhunior. Që të dy erdhën në Laç në formë huazimi prej Skënderbeut, ndaj e ardhmja e tyre mbetet sërish në dorën e korçarëve. Bardhezinjtë, nën drejtimin e Stavri Nicës, e mbyllën kampionatin me sukses, ndërsa nga një ekip që ishte më i kredituari për të rënë një kategori më poshtë, shpëtoi.

E, megjithatë, në të ardhmen synohet një projekt edhe më ambicioz. Drejtuesit do të nisin të mendojnë për merkaton për të ndërtuar një ekip solid që paraprakisht nuk do të diskutojë qëndrimin në elitë dhe, së dyti, do të tentojë një vend në Kupat e Europës, ku Laçi mungon prej disa vitesh.

Gjithsesi, koha është e mjaftueshme për t’i marrë gjërat shtruar. Në klub nuk duan që të bëjnë lëvizje të nxituara, ndaj vetëm më vonë do nisin lëvizjet e para zyrtare. Pezull mbetet edhe axhenda për përgatitjet, pasi ende nuk ka një datë konkrete se kur do të nisë ekipi nga puna.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"