Dy fitore “ultimatum”, Flamurtari ka një plan për t’iu afruar kreut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2023 | 11:10

Dy fitore “ultimatum”, Flamurtari ka një plan për t’iu afruar kreut

Flamurtari e ka gjetur rrugën e kthesën, por vazhdon të jetë larg kreut. Kanë 7 pikë më pak se Bylisi dhe rrjedhimisht larg misionit fillestar. Në Vlorë presin shumë më shumë, ndaj kanë vendosur kushte. “Panorama Sport” mëson zyrtarisht nga burime pranë klubit, se në dy ndeshjet e radhës kërkohen 6 pikë të plota.

Flamurtari

Rrjedhimisht fitore në ndeshjen me Elbasanin, që do të luhet në Vlorë dhe më pas në transfertën e Burrelit. Është ky “ultimatumi” që drejtuesit kanë vendosur dhe justifikimet janë të ndaluara. Flamurtari aktualisht është në vendin e pestë, pozicion që nuk i ka hije një ekipi që pretendon ngjitjen. Në kësi kushtesh, gabimet nuk falen më.

MASAT – Por në Vlorë janë të vendosur edhe për ndëshkime, në rast se skuadra del nga objektivi. Nuk do të presin merkaton e janarit apo fundin e kampionatit për aplikimin e gjobave, por do të nisin më shpejt. Pavarësisht se kjo gjë është thënë edhe herë të tjera, drejtuesit kur nuk e kanë mbajtur fjalën. Janë treguar “zemërgjerë” dhe nuk kanë aplikuar gjoba.

E megjithatë, këtë herë mendjen e kanë të veprojnë ndryshe. Ndoshta kjo është një formë për t’i ngacmuar sedrën. Do të priten dy ndeshjet e radhës me Elbasanin dhe Burrelin për të vendosur se si do të ecet më tej, nëse do të ketë apo masa.

Megjithatë, një fitore me Elbasanin do t’i çonte vlonjatët edhe më të qetë drejt Burrelit. Por, një humbje apo edhe një barazim do t’i mbante në ethe. Gjithsesi, ndëshkimet do të aplikohen nëse ecuria do të jetë negative dhe në rast të dështimi klubi e ka një plan.

Nëse kuqezinjtë nuk ia dalin në këto 180 minuta, futbollistët do të ndëshkohen me 30% të pagës. Pritet për t’u parë e gjitha, por gjithçka tashmë është në këmbët e futbollistëve.

PËRGATITJET – Flamurtari është duke u përgatitur me ritëm të lartë. Java që vjen do të jetë e ngjeshur, pasi në mesjavë do të luhet edhe për Kupën e Shqipërisë. Emiljano Çela mendjen e ka tek Elbasani sidoqoftë, aq sa përballë Luftëtarit mund të hedhë në fushë lojtarët e stolit.

Gjasat janë që titullarët t’i lërë pushim, për të mos i konsumuar dhe për t’i pasur gati për javën e 8-të të Kategorisë së Parë. Ndaj edhe në seancat stërvitore të kësaj jave, trajneri ka marrë maksimumin nga i gjithë grupi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"