Dushan çon Juven në çerekfinalen e Ligës së Europës, Kieza: Falje për vonesën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2023 | 10:12

Dushan çon Juven në çerekfinalen e Ligës së Europës, Kieza: Falje për vonesën!

Ishte nata e rikthimeve të mëdha! Ishte nata e rikthimit të Juves që të luajë një çerekfinale europiane që nga periudha e Kristiano Ronaldos në Torino, por mbi të gjitha ishte nata e rikthimit te goli i Dushan Vlahoviçit, një muaj saktësisht larg të fundit, por gjithashtu edhe i Federiko Kiezës, i cili arrin të festojë, pas frikës së madhe në duelin e vajtjes me gjermanët, ku përtheu shumë frikshëm gjurin e operuar.chiesa_0485089Në fund, Juventusi bën festë edhe në Fraiburg, 2-0 në transfertë, përpara syve të Angel di Marias, i cili e ndoqi ndeshjen nga stoli, për të karikuar bateritë në pritje të Interit, të dielën në kampionat. Por mbi të gjitha, Juventusi do të kthehet me një Vlahoviç që ka hequr një barrë shumë të rëndë nga shpatullat dhe nëse nuk do të ishte për çështje milimetrash, mund të kishte festuar edhe një dopietë, pasi në të 35-ën iu pa anulimi i avantazhit të mundshëm, përpara se të godiste saktë nga pika e penalltisë në të 45-ën, ndërkohë që Fraiburgu kishte mbetur me 10 lojtarë. Në pjesën e dytë, Juvja vetëkënaqet dhe bën një lojë të shëmtuar, deri në momentin e zbritjes së Kiezës në fushë, në të 70-ën, i cili fillimisht bën nxehjen duke goditur traversën me një aksion personal dhe në sekondat finale shërbehet nga Rabio në zonë dhe ngrin shifrat në 2-0. Numri 7 festoi duke u kërkuar falje tifozëve, një mënyrë festimi që do ta zbulojë në fund të ndeshjes, përpara gazetarëve.

Federiko, komplimente për golin. Na e përshkruaj pak? (pyetje nga Del Piero)

Ideja erdhi nga tentativa e parë që gabova, ku godita me trin të plotë, por gjuajtja shkoi në traversë. Kështu që në të dytën i thashë vetes që do ta godas tokazi dhe të shohim se çfarë do të ndodhë…

Gjatë festimit, shkove u kërkove falje tifozëve. Pse?

Sepse m’u desh shumë kohë që të rikthehesha dhe të ndihmoja skuadrën, ndonëse unë dua që të jem në fushë, tani e në vazhdim, edhe për të shpërblyer të gjithë durimin që skuadra e klubi patën me mua. Fatkeqësisht në vitet e fundit kam pasur shumë dëmtime, por ka ardhur momenti që të jap maksimumin tim, ndonëse në fund vendos Alegri. Unë e adhuroj të luaj dhe të shoh lumturinë në sytë e tifozëve të Juves.

Si është të luash me Vlahoviçin dhe besoni se dyshja juaj është e duhur?

Dusha është më shumë sesa një lojtar i madh dhe ka gjithçka për t’u bërë një fenomen. Po kalonte një periudhë jo shumë të lumtur përpara portës, por sot (dje) arriti që të zhbllokohet, qoftë edhe me penallti. Madje, ndaj Fraiburgut e goditi keq dhe hyri në rrjetë. Ndaj Sampdorias goditi fort dhe saktë dhe e dërgoi në shtyllë.

Cila është forma jote? Në sa për qind je?

Kam ende pak shqetësime dhe nuk kam pse e fsheh, por po punoj që t’i kaloj, për të qenë në maksimum sa herë që t’i duhem trajnerit. Kjo imja është një garë me pengesa, por unë duhet vetëm të qëndroj i qetë dhe të jem në dispozicion të ekipit, për të arritur objektivat tanë. Kemi ende shumë të tillë, duke nisur nga dueli me Interin…

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"