“Duhet të shmangim rrezikun”, bindja e Cankës: Shënoj dhe mposhtim Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2022 | 22:40

“Duhet të shmangim rrezikun”, bindja e Cankës: Shënoj dhe mposhtim Burrelin

Pas pesë barazimeve radhazi, Lushnja mbetet në ankth për mbijetesën. Për të shmangur rrezikun, vetëm fitorja u bën punë me Burrelin. Këtë e pohoi për “Panorama Sport” edhe kapiteni Mikel Canka. Ai kthehet pas skualifikimit dhe premton se do të bëjë çmos që të rigjejë golin.

Canka

“Nuk fitojmë që nga ndeshja me Besën dhe është një kohë shumë e gjatë. Kemi marrë pesë barazime radhazi dhe të marrësh pesë pikë në pesë ndeshje është shumë pak. Domosdoshmërisht duhet të fitojmë me Burrelin. Një ndeshje që e kemi në fushën tonë dhe po përgatitemi që ta fitojmë. Të bëjmë kujdes në fushë dhe të evitojmë barazimin. E rëndësishme është që jemi të plotë. Nuk kemi asnjë mungesë as për arsye kartonësh apo dëmtimesh.

Me Pogradecin nuk isha në 100%-in tim. Nuk isha as në 50%. Luajta me një ‘këmbë’! Tani jam shumë më mirë. Dëmtimi ka përfunduar dhe më vjen mirë që jam në formë para një ndeshjeje shumë të rëndësishme për Lushnjën. Dëmtimi më ka penguar të luaj në disa ndeshje të rëndësishme dhe kam shënuar vetëm një gol që është shumë pak për mua. Natyrisht që me Burrelin do të jem për të shënuar dhe që ekipi të fitojë”, deklaroi sulmuesi. Lushnjarët edhe dje u stërvitën në fushën e Plugut dhe skuadra është pothuajse gati për ndeshen e nesërme.

“Duhet të bëjmë më shumë në aspektin sulmues. Kemi marrë shumë barazime, disa ndeshje i kemi nxjerrë pa gol. Duhet të bëjmë më shumë, sidomos në fushën tonë. Duhet të shprehemi më mirë dhe realizimi i golit na dërgon te fitorja. Të shfrytëzojmë sa më shumë rastet. Ekipi ka mundësi të shënojë më tepër.

Klasifikimi është shumë i qartë. Kjo me Burrelin është finale për Lushnjën. Fitorja është alternativa e vetme që Lushnja të realizojë qëndrimin pa pasur nevojën e ndeshjes shtesë. Kemi përballë një kundërshtar të fortë, por jemi në fushën tonë dhe luajmë vetëm për fitore”, deklaroi 35-vjeçari. Lushnjës i mungon fitorja që nga 19 shkurti kur fitonte 1-0 me Besën në “Roza Haxhiu”. Lushnja ka 49 ditë, që nuk fiton, pasi ka regjistruar pesë barazime radhazi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"