Drejtori Avenir Bejo: Tomori me trajner të komanduar, reagojmë pas gjashtë humbjeve radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 21:37

Drejtori Avenir Bejo: Tomori me trajner të komanduar, reagojmë pas gjashtë humbjeve radhazi

 

Ngjarjet që shënjuan në kampin beratas një javë më parë ishin largimi i teknikut Ziu, por edhe kërkesa e drejtë e futbollistëve vendas për zhbllokimin e pagës mujore të palikuiduara. Po gjatë fundjavës që lamë pas, pritej gjithashtu zhvillimi i një ndeshje miqësore, për të cilën drejtuesit aktual kontaktuan me drejtuesit e skuadrës së Naftëtarit.

tomori stervitje

 

Këta të fundit, për arsye të ndryshme dhe objektive, e kanë pasur të pamundur që të luanin kundër Tomorit. Të ndodhur në këto kushte, beratasit kanë zgjedhur që të zhvillojnë një ndeshje kontrolli brenda familjes, duke testuar skuadrën që përgatitet për ndeshjen e mesjavës në transfertën me Apoloninë. Drejtori teknik i skuadrës beratase, Avenir Bejo, ka shpjeguar situatën në skuadër si dhe ka shprehur besim të plotë në një reagim pozitiv në ndeshjen e radhës.

“Kemi insistuar për të zhvilluar një miqësore me Naftëtarin, por që nuk u realizua për arsyet që parashtruan drejtuesit e skuadrës kuçovare. Megjithatë, kjo nuk pengoi që skuadra jonë të zhvillonte një testim brenda familjes, ku u konstatua se gjatë javës së kaluar është punuar mjaft mirë, pa u ndikuar aspak nga ndryshimi në pankinë. Për sa kohë që skuadra dhe trajneri i komanduar Muzhai, janë të fokusuar plotësisht te ndeshja e radhës, të gjithë ndihemi të kënaqur dhe besojmë te një paraqitje pozitive në transfertën e Fierit.

Në skuadër ka dëshirë për të reaguar pas gjashtë humbjeve radhazi, dhe për të vazhduar betejën e mbijetesës deri në fund. Kjo atmosferë e ngrohtë do të shërbejë padyshim për të krijuar bindjen e plotë, se asgjë nuk është e pamundur për të guxuar edhe kundër Apolonisë”, ka përfunduar Bejo.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"