Dosti analizon barazimin ndaj Kamzës: S’u treguam “dinakë”, mund të kishim fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 10:34

Dosti analizon barazimin ndaj Kamzës: S’u treguam “dinakë”, mund të kishim fituar

Barazimi në transfertë me Kamzën ka lënë një shije të hidhur në kampin durrsak, të cilët ishin fare pranë një fitoreje me shumë vlera. Mesfushori Albi Dosti shprehet se barazimi në minutat e fundit të sfidës erdhi si pasojë e ndershmërisë së skuadrës pasi me pak “hile” sportive mund të ishte evituar fare kollaj.

Dosti

Sipas tij, Teuta meritonte fitore dhe kjo mundësi duhej të ishte shfrytëzuar me profesionalizëm. “Jemi shumë të mërzitur me rezultatin në transfertën e Kamzës. Kur merr një barazim në ato minuta do të thotë humbje, pasi ke lënë dy pikë të arta, të cilat do të mbanin lart moralin në skuadër.

Duhet të ishim treguar pak më dinakë në minutat e fundit dhe ndershmëria që karakterizon këtë skuadër bëri që të dalim me një pikë nga kjo përballje që ishte nën administrimin tonë. Dua të jem i sinqertë dhe të pranoj se nuk ishim në nivelin e duhur në atë përballje, por fitorja ka disa mënyra për t’u siguruar.

Albi Dosti Sibenik

Pra, jemi shumë të mërzitur sepse kishim gjithçka nën kontroll dhe nuk e menaxhuam si duhet situatën”, u shpreh fillimisht Dosti gjatë një bisede për “Panorama Sport”. Ndonëse ishte lojtari më i mirë në fushë, mesfushori u pa të kritikohej shpesh nga tekniku Magani. Ai thotë se trajneri ka gjithmonë të drejtë.

“Profesori kishte shumë të drejtë, pasi në të tilla situata duhet të futet në funksion mendja dhe ne sikur po stepeshim pak duke kërkuar të mbronim rezultatin. E thashë edhe më lartë se duhet të vëmë në punë logjikën, pasi fitoret merren në mënyra të ndryshme dhe jo vetëm me lojë të mirë. Çdo diskutim apo tension në fushë është vetëm e vetëm në të mirë të skuadrës. Krahas gjithçkaje, unë flas shumë me profesorin, pasi orientoj dhe transportoj urdhrat e tij te lojtarët që s’e dinë mirë gjuhën”, sqaron mesfushori.

Ndërprerja e kampionatit, sipas Dostit, do të ndikojë pozitivisht në kampin durrsak, i cili ka filluar punën intensive që nga muaji qershor. “Presim në shtëpi Partizanin dhe kemi mjaftueshëm kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Besoj se kjo ndërprerje e kampionatit do të ndikojë pozitivisht në skuadrën tonë”, përfundoi numri 10 i Teutës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"