Dopio Shtubina, Vllaznia likuidon Apoloninë. Shtubina: Golat, për tifozët që na munguan

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 21, 2014 | 22:58

Dopio Shtubina, Vllaznia likuidon Apoloninë. Shtubina: Golat, për tifozët që na munguan

ShtubinaVLLAZNIA-APOLONIA 2-0
GOLAT: Shtubina 29′ (p), 35′
VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Mehemdoviç (Beqiri 74′), Sykaj, Boci, Tafili, Shala, Kruja (Dibra 70′), Hajdari (Kalaja 83′), Shtubina, Soza. (në dispozicion: (Campironi, Aguirre, Cioffi, Markolaj). Trajner: Baldo Raineri
APOLONIA: Cakoviç, A.Prifti, Nako, Atanda, E.Xhafa, Kaja, Erkoçeviç (Rajkoviç 46′), Dosti, Gërxho, Karakaçi (Al.Prifti 80′), Canka (Naçi 62′). (në dispozicion: (Miço, Broshka, Tompson, Mahilaj). Trajner: Elidon Demiraj
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
DELEGAT : Petrit Brahja (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Boci 53’/Cakoviç 28′, Dosti 52′, Atanda 58′
GJYQTARET: Edvaldo Dyrmishi/ R.Avdo dhe E.Doda (Tiranë)

MINUTAT
1′ Nis me rast për Vllazninë ndeshja, kros në zonë, Soza tenton me kokë, por gjuajtja e tij pritet nga portieri.
14′ Karakaçi gjuan fort prirët me portën, topi kalon gjithë pasqyrën e zonës, Canka rrëshqet për ta dërguar në rrjetë, por më parë është zënë në pozicion jashtë loje.
21′ Erkoçeviç gjuan fort një goditje të lirë, por mbi traversë.
28′ Shtubina shkëputet bukur mbrojtjes, fiton gjithashtu edhe dyluftimin me portierin Cakoviç, por pengohet nga ky i fundit në mënyrë të parregullt. Gjyqtari akordon 11-metërsh.
29′ Shkon pikërisht Shtubina për ta ekzekutuar dhe 1-0 për Vllazninë.
33′ Gërxho ekzekuton bukur një goditje nga këndi dhe topi përplaset në shtyllën traversale.
35′ Aksion i Vllaznisë nga e djathta, topi shkon në zonë te Shtubina, i cili nuk gabon duke shënuar, 2-0.
46′ Kruja harkon për Sozën. Ky i fundit, në pozicion ideal, nuk arrin të shënojë.
48′ Shtubina harkon përsëri për Sozën, i cili nuk arrin të gjejë kohën e duhur me kokë, duke shpërdoruar një tjetër rast ideal.
65′ Gërxho gjuan fort, por mbi traversë.
68′ Karakaçi futet bukur brenda zonës, por gjuan keq, duke e dërguar topin jashtë katërkëndëshit.
80′ Soza shkëputet bukur nga e djathta, gjuan fort, por jashtë katërkëndëshit.

Vllaznia u është falur këmbëve të Ndriçim Shtubinës për të mposhtur me rezultatin 2-0 Apoloninë. Kapiteni ka qenë autori i dopietës, e cila u dha vendësve trepikëshin e parë për këtë sezon në shtëpi, duke i larguar për herë të parë ndjeshëm nga vendet e fundit të renditjes. Përtej dy golave, njëri me penallti, duhet thënë se 90-minutëshi i djeshëm ka qenë tejet i vakët në lojë dhe raste, kjo si për të konkurruar edhe zbrazëtinë e “Loro Boriçi”-t, pas dënimit të Komisionit të Disiplinës. Vllaznia vulosi që në pjesën e parë rezultatin, duke mos u “lodhur” shumë në të dytën, teksa Apolonia nuk arrin sërish që të reagojë si duhet në transfertë, pasi edhe në këtë përballje i mungoi ndjeshëm organizimi i lojës dhe forca goditëse.
Golat – Nga minuta e parë e deri tek ajo e fundit takimi ka qenë nën ritmin e Vllaznisë. Lojtarët shkodranë kanë kërcënuar me anë të Sozës që në minutën e parë të kësaj përballjeje, por uruguaiani nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Më pas loja është ekuilibruar nga miqtë, të cilët, përmes kundërsulmeve dhe duke shfrytëzuar gabimet e lojtarëve shkodranë në disa pasime në prapavijë, kanë rrezikuar seriozisht portën e Selimajt. Mirëpo, pas minutës së 25-të janë përsëri shkodranët që kërkojnë më shumë drejt portës mike. Në të 28-ën minutë është Shtubina, i cili merr një top nga shokët e tij nga mesi i fushës, fiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësin mik e po ashtu arrin që t’i “vjedhë” kohën portierit Cakoviç dhe të fitojë një 11-metërsh. Te pika e bardhë shkon pikërisht ky lojtar, i cili nuk gabon duke e kaluar Vllazninë në avantazh. Loja bëhet emocionuese, kjo edhe për faktin se skuadrat luajnë haptazi në mesfushë. Katër minuta më pas është Gërxho që trondit shtyllën traversale të ekipit shkodran, pas një goditjeje të bukur dënimi, por pa u mbyllur as 60 sekonda nga ky rast vjen dyfishimi: përsëri Ndriçim Shtubina, i cili, pas një aksioni të rrjedhshëm të filluar nga Hajdari nga e djathta ka shënuar me gjakftohtësi edhe golin e dytë. Me këtë rezultat është mbyllur dhe pjesa e parë e takimit.
Administrimi – Pjesa e dytë e takimit nuk ka pasur shumë histori. Vllaznia ka rrezikuar seriozisht përmes Sozës që në minutat e para të saj. Mirëpo uruguaiani nuk është treguar i saktë në të dyja mundësitë e dhëna, duke mos arritur të ngrejë në 3-0 shifrat e takimit. Nga ana tjetër Apolonia është munduar të reagojë, por edhe ato pak raste shënimi janë shpërdoruar nga sulmuesi kryesor Mikel Canka. Një gjuajtje e Gërxhos dhe një mundësi e shkodranit Karakaçi kanë qenë shumë pak për të ndryshuar shifrat e takimit. Ndërsa në fund ka qenë sërish Soza, i cili ka tentuar me të gjitha mënyrat për të shënuar, por ca për mungesë fati dhe ca për pasaktësi, ka bërë që uruguaiani ta shtyjë për javën tjetër takimin me golin e parë me fanellën e Vllaznisë. Kështu fitojnë kuqeblutë, të cilët i largohen fundit të renditjes, teksa Apolonia mbetet në zonën e rënies direkt nga kategoria së bashku me Elbasanin.

MË I MIRI
Natyrisht heroi i ndeshjes ishte Ndriçim Shtubina, ndaj edhe ai është lojtari më i mirë i takimit. Mesfushori me tipare sulmuese shënoi të dy golat në këtë ndeshje, ndërsa gjatë gjithë takimit ishte një rrezik konstant për skuadrën mike. Një vlerësim pozitiv shkon edhe për Tafilin në mesfushë, i cili arriti të thyente shumë sulme të Apolonisë, si dhe mbrojtësi mëngjarash Boci.

MË PAK AKTIVI
U hodh në fushë nga minuta e parë ndaj ishskuadrës së tij, kjo me idenë se Bekim Erkoçeviç do të kishte “uri” për të treguar sesa vlente, por fakt është se lojtari bëri një ndeshje tejet të dobët. Në asnjë rast ai nuk mundi të ngrihej as në nivelin mesatar, ndaj edhe u zëvendësua nga trajneri. Dobët u shfaq sërish në këtë takim Mikel Canka, lojtar që shpërdoron shumë para portës.

Isufi dhe Raineri“Bëmë vetëm detyrën, loja me dy tablo”
Trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri, pas përfundimit të takimit, tha: “Kemi bërë vetëm detyrën ndaj Apolonisë. E kam thënë se dy takimet, ky i sotmi (dje) me fierakët dhe ai i ardhshmi me Elbasanin, duhen fituar. Vetëm duke marrë 3 pikët, Vllaznia do të ngjitet lart. Natyrisht që jam i kënaqur me lojën e zhvilluar nga ekipi, por te ne nuk ka vend për t’u vetëkënaqur. Kemi arritur vetëm një fitore, që s’do ta quaja asgjë nëse nuk pasohet nga një tjetër në sfidën e ardhshme. Natyrisht që Soza ende nuk është në ditët e tij më të mira, por besoj te ky lojtar që mund të tregojë vlerat në sfidat e ardhshme. Në një takim sulmuesi mund të luajë për vete dhe të shënojë, por edhe mund të luajë për skuadrën. Mendoj se Soza në këtë takim luajti për skuadrën. Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën loja ra. Nëse do të ishin tifozët, do kishin nxitur që loja të kishte tjetër ritëm”.

ShtubinaShtubina: Golat, për tifozët që na munguan
Ndriçim Shtubina, heroi i takimit të djeshëm ndaj Apolonisë, u shpreh i kënaqur për dopietën e realizuar. “Kemi marrë një fitore më se të merituar. Nuk kemi qenë mirë në momentet e para të lojës, pasi edhe gabuam në pasime, por më pas gjithçka foli për ne. Natyrisht si çdo lojtar, jam i kënaqur për golat. Jam ndier edhe më mirë, pasi në krah kam pasur dhe shiritin e kapitenit. Për mua, nuk ka shumë rëndësi nëse shënoj unë apo një shok i skuadrës, rëndësi ka fitorja e Vllaznisë. Golat janë dhuratë për tifozët tanë, të cilët na munguan shumë. Kisha kohë që nuk gjuaja nga pika e bardhë në një takim zyrtar. Të jem i sinqertë, pata shumë emocione dhe prandaj godita me forcë. Por në ato momente mendova se duhet të isha unë ai që do të gjuaja. Nuk mendoj se do të jem unë një goleador i këtij sezoni, pavarësisht tre golave të shënuar. Gjithsesi, dua të kontribuoj sa më shumë për ekipin. Mendoj se shumë shpejt do të zhbllokohen edhe sulmuesit e skuadrës”.

Demiraj, trajneri i Apolonise“Prisja më shumë në pjesën e parë”
Numri një i pankinës së Apolonisë, Elidon Demiraj, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, u shpreh: “Kishim ardhur për të marrë pikë në Shkodër dhe mendoj se ekipi mund ta kishte bërë një gjë të tillë në pjesën e parë të takimit. Mirëpo, pas penalltisë gjithçka ndryshoi dhe Vllaznia arriti të tregonte vlerat e saj më të mira. Në pjesën e dytë Apolonia bëri shumë pak për të marrë të paktën një pikë. Mendoj se rezultati ishte i drejtë, pasi shkodranët shfrytëzuan më së miri mundësitë e krijuara. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse duhet të shikojmë në takimet e tjera, që të kthehemi te rezultate pozitive. Unë jam i mendimit se kjo Apoloni do të arrijë që në fund të sezonit të mbijetojë në Kategorinë Superiore”, ka përfunduar trajneri Elidon Demiraj.

Tifozët s’lejohen as jashtë, Raineri do muzikë në dhomat e zhveshjes
Grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” kanë kërkuar të jenë të pranishëm me mbështetjen e tyre për ekipin e zemrës nga jashtë stadiumit. Ata janë vendosur në ambientet jashtë stadiumit “Loro Boriçi”, në krahun ku tribuna anësore mungon. “Vllaznit Ultras”, pa parë fare sfidën, kanë brohoritur, por pas vetëm 5 minutave ka qenë delegati dhe vëzhguesi i takimit, të cilët u kanë kërkuar forcave të rendit që t’i largonin tifozët edhe nga ai vend ku ndodheshin nga jashtë stadiumit. Ndërkohë që Vllaznia, sapo është futur në dhomat e zhveshjes, numri një i kësaj pankine, Baldo Raineri ka kërkuar që stafi i tij të vërë muzikë për ekipin. Lojtarët e Vllaznisë janë larë dhe ndërruar nën tingujt e lartë të muzikës, që sipas teknikut është një terapi e mirë për t’u qetësuar pas një takimi.
ADMIR URUÇI





www.minuta90.com