“Do të vendosim shpejt për trajnerin”, Xhaferi: Drejtor i Vllaznisë do të jetë një i huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 10:57

“Do të vendosim shpejt për trajnerin”, Xhaferi: Drejtor i Vllaznisë do të jetë një i huaj

Pas fitores 3-1 ndaj Besëlidhjes dhe qëndrimit në Superiore, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, bëri me dije se në klub do të vijë një drejtor teknik kroat. Ai nuk përmendi emër, por gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për Matko Djarmatin, ish-lojtarin e disa skuadrave në futbollin shqiptar. Xhaferi foli edhe për çështje të tjera të skuadrës.
ALBAN XHAFERI
Me meritë Vllaznia arriti të mbijetojë, apo jo?
Unë do të falënderoj të gjithë djemtë për impenjimin e tyre gjatë gjithë këtyre ditëve. Dua të përgëzoj edhe trajnerët e tifozët dhe të gjithëve u premtoj se Vllaznia e madhe do të vijë shumë shpejt.

Kur do të kthehet Vllaznia e madhe?
Shpresojmë që të mos përsëritet më kjo situatë dhe Vllaznia e madhe do të vijë që në sezonin e ardhshëm. Koha është e shkurtër.

A kanë filluar përgatitjet për Vllazninë e sezonit të ri?
Normalisht, gjatë kësaj kohe kemi qenë në fazën e vlerësimeve dhe po ashtu edhe bisedimeve, por shpresojmë që përgatitjet do të bëhen në momentin e duhur. Është kohë e shkurtër vërtet, por mendoj se do të ndërtojmë skuadrën e duhur.
Dedja Vllaznia
Vllaznia e re do të nisë nga trajneri?
Ne do të bëjmë çdo njoftim zyrtar në faqen tonë dhe besoj se që nesër do të ndodhë një gjë e tillë.

Skuadra është sërish në duart e bashkisë, si do ta shikojmë Vllazninë e madhe?
Kam ardhur me një projekt të ri, me ambicie të reja për të arritur aty ku duhet me këtë skuadër.

Folët për një drejtor teknik, do të jetë i huaj apo shqiptar?
Ne jemi drejt finalizimit të marrëveshjes me një drejtor teknik të huaj, i cili ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin shqiptar. Ai do të jetë pjesë e projektit tonë.

Lojtarët ekzistues, a do të jenë pjesë e projektit të ri?
Do ta mbështes skuadrën me të gjithë elementët e duhur, ndërsa me çështjet teknike të vlerësimit do të merren të tjerët.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"