Dinamo, Xhafaj firmos për 1 vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2015 | 10:46

Dinamo, Xhafaj firmos për 1 vit

Daniel XhafajSulmuesi vlonjat Daniel Xhafaj është zyrtarisht një lojtar i Dinamos. Ai ka firmosur dje me blutë një kontratë 1- vjeçare dhe mësohet se rroga e tij do të jetë rreth 1.5 milionë lekë të vjetër në muaj. Bomberi vlonjat Daniel Xhafaj u bashkohet zyrtarisht bluve pas 11 viteve, ndërsa do të jetë një armë më shumë në formacionin e drejtuar nga Dritan Mehmeti. 37- vjeçari kishte arritur një marrëveshje prej disa ditësh, por po vononte firma, e cila zyrtarizon qëndrimin e tij te Dinamo. Ndërkohë deri më tani, drejtuesit e Dinamos kanë bërë disa përforcime cilësore dhe kanë arritur të bindin Igli Allmuçën, i cili u largua nga radhët e Kukësit në mes të sezonit 2014-2015 , si dhe Daniel Xhafajn. Marvin Turtulli është një tjetër lojtar që stërvitet me Dinamon dhe pritet të arrijë të zgjidhë ngërçin e letrave me Teutën, në mënyrë që t’i bashkohet zyrtarisht Dinamos. Në të njëjtën situatë është dhe Elio Shazivari, i cili u ka komunikuar largimin drejtuesve të Elbasanit, por akoma nuk po përfundon procedurën e letrave me këtë skuadër.

Largimet – Nga Dinamo nuk ka vetëm afrime, por edhe largime. Kështu, Bilibashi është larguar për në provë në Greqi dhe me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e Dinamos, ndërsa portieri Klajdi Kuka dhe mbrojtësi Andi Ceka gjenden në Gjermani, ku po testohen me një skuadër të këtij kampionati. Edhe këta dy futbollistë janë zyrtarisht jashtë Dinamos për pjesën e mbetur të sezonit. Dita – Pista “Dita” është sfumuar. Drejtuesit e Teutës kanë kthyer përgjigje të prerë, ndërsa nuk do ta lëshojnë mbrojtësin. Bruno Dita ka luajtur si titullar në të gjitha ndeshjet për pjesën e parë të kampionatit me durrsakët, çka ka bindur drejtuesit e Teutës jo vetëm që ta mbajnë në skuadër, por ta cilësojnë si të pashitshëm atë. Dita ka dalë nga grupmoshat e Dinamos dhe duke ia ditur mirë cilësitë dhe vlerat, trajneri Mehmeti ka dashur ta ketë në ekip për pjesën e dytë të sezonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"