Dinamo, do mungojnë tre titullarë ndaj Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 13:46

Dinamo, do mungojnë tre titullarë ndaj Burrelit

Gjykimi i rreptë në ndeshjen Dinamo-Tërbuni këtë fundjavë ka sjellë edhe ndëshkime me kartonë për futbollistët e të dyja skuadrave. Mirëpo pasojat e këtyre ndëshkimeve blutë do t’i vuajnë në ndeshjen e së shtunës kundër Burrelit. Ervin Sulejmani dhe Erxhan Muça, dy prej mbrojtësve blu që kanë qenë stabël në formacion, do të mungojnë në ndeshjen e kësaj jave, pasi kanë plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe janë të pezulluar. Transferta e Burrelit shihet e vështirë, për arsye se kundërshtarët nuk falin në shtëpi, ndërsa teknikut Mehmeti i duhet që ta rindërtojë skuadrën në repartin e mbrojtjes, duke parë që dy mungesa janë të sigurta. Tashmë bluve u duhet një mbrojtës i krahut të majtë dhe një tjetër në rolin e shkatërruesit. Edhe sulmuesi kryesor i ekipit, Endrit Ferra, është i dëmtuar.
Zhupa – I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, ish-trajneri dinamovit, Eduard Zhupa, nuk ka dashur të komentojë në lidhje me deklaratën e përpara dy ditëve të teknikut aktual të bluve, Dritan Mehmeti, që tha se ai nuk mund të lajë i vetëm mëkatet e Dinamos. “Nuk kam asnjë koment. Ato janë çështje etike”, – deklaroi Zhupa.

Mehmeti
Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, kërkon të sqarojë edhe një herë prononcimin që ka dhënë një ditë më parë në “Panorama Sport”. “Kam thënë se unë i vetëm nuk mund të laj të gjitha mëkatet e Dinamos. Sigurisht, do të dëshiroja të kisha një ekip më të mirë”, – ka thënë trajneri i bluve. Kryeqytetasit janë mundur në të dyja ndeshjet e fundit.
Erjon Hamitaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"