Dilema për dy titullarë, Nica përgatit “kurthin” ndaj ish-ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 20:38

Dilema për dy titullarë, Nica përgatit “kurthin” ndaj ish-ekipit

Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve, në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Laçin ditën e diel në orën 14:00 në “Kukës Arena”. Një përballje që për verilindorët cilësohet si e rëndësishme, pasi një fitore mund ta largojë nga vendi i fundit, pozicion që nuk e ka lëshuar asnjëherë që nga nisja e këtij sezoni.

Nica Kukesi

Trajneri Stavri Nica e njeh mirë kundërshtarin, pasi e ka ndërtuar vetë, ndaj në njëfarë mënyre në Kukës shpresojnë të përfitojnë nga ky fakt. Gjithsesi, rreziku i përsëritjes së gabimeve të sfidave të kaluara është evident.

MERAKU – Duke parë atë që ndodhi ndaj Partizanit në sfidën e fundit, në Kukës i druhen shumë shpërqendrimit në minutat e para. Për këtë arsye, Nica ka dhënë udhëzime të qarta për të tijtë që të tregojnë shumë kujdes në startin e sfidës dhe të mbajnë sa më larg kundërshtarin nga zona e tyre.

Një nisje si ajo ndaj të kuqve do t’ua vështirësonte shumë më pas marrjen e rezultatit pozitiv në këtë ndeshje. Ndaj kryeqytetasve, blutë u ndëshkuan dy herë brenda pesë minutave, me ndeshjen që nisi menjëherë keq dhe në skuadër duket se kanë zënë mend nga ajo ndodhi e javës së fundit dhe nuk tolerohet më një “black out” i tillë.

Gjatë gjithë javës tekniku është munduar të punojë edhe nga ana taktike në këtë pjesë, te mbulimi i hapësirave në prapavijë, pasi vijon të jetë një repart që ende nuk po shkon aty ku duhet. Kjo ndeshje është e veçantë për Nicën, pasi përballë ka Laçin, që e ka drejtuar disa herë dhe për më tepër u largua pas javës së parë të këtij kampionati, ku barazoi në shtëpi 3-3 kundër Erzenit. Trajneri po bën gati “kurthin” për ish-skuadrën dhe kolegun e tij, Josa.

DILEMAT – Kukësi bën pjesë tek ato skuadra që ende nuk e ka të kristalizuar formacionin, edhe për shkak se shumë lojtarë kanë ende probleme fizike dhe nuk mund të përballojnë 90-të minuta të plota. Në këtë aspekt, ka ende dyshime se cilët do të jenë titullarët që do të hedhë Nica në fushë ndaj kurbinasve, edhe pse pjesa e titullarëve stabël nuk pritet të ketë surpriza.

Dilemat e vetme duket se janë në mesin e fushës dhe në sulm, aty ku edhe duket se ka disa alternativa më shumë. Nga ana tjetër, do të mungojnë sërish sulmuesi Atdhe Rashiti dhe mesfushori Daniel Momoh, pasi ende nuk janë rikuperuar plotësisht.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"