Di Maria tërheq sërish “Zonjën” dhe…: Gati të rinovoj, tani ndiej ngrohtësinë e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2023 | 9:40

Di Maria tërheq sërish “Zonjën” dhe…: Gati të rinovoj, tani ndiej ngrohtësinë e tifozëve

Gjithmonë nën shenjën e Angel di Marias. Juventusi fiton raundin e parë të 1/8-ave të Ligës së Europës ndaj Fraiburgut, falë një goditjeje me kokë të “El Fideos”, në të 53-ën, i cili përveç realizimit të rrallë (nuk shënon shpesh me kokë) ishte protagonisti absolut i mbrëmjes bardhezi, edhe me shumë goditje klasi.

3433282-70050808-2560-1440

Ndërkohë, provë fantastike edhe nga ana e Kostiç, tjetër asist për të, ndërsa vazhdon “agjërimi” i Vlahoviçit, i zëvendësuar pas 67 minutash. Ndërkohë, Fraiburgu në të vetmin rast që shkoi rrezikshëm në zonën e Juves barazoi, por goli iu anulua për prekje me dorë, me të drejtë, ndonëse në kthim, në Gjermani, Grifo me shokë pretendojnë të bëjnë diçka më shumë sesa u pa në Torino. Në fund, njeriu i ndeshjes ishte sërish Di Maria, i cili u dha edhe një lajm fantastik juventinëve.

Angel, dolët duke çaluar në fund. Ka diçka për t’u shqetësuar?

Kam një shqetësim, por vjen thjesht nga lodhja. Është një ngurtësim, si rrjedhojë e faktit se po luajmë shumë ndeshje, ndonëse e rëndësishme është që të vazhdojmë të bëjmë ndeshje të tjera të mëdha si kjo ndaj Fraiburgut dhe të fitojmë.

Mund ta quajmë “Kupa Di Maria” Ligën e Europës deri në këtë pikë?

E vërtet, po shënoj me vazhdimësi dhe jam i lumtur që po e ndihmoj skuadrën time. Po bëjmë një punë të mirë në grup, por jemi ende shumë larg objektivit.

Pra, besoni se mund ta fitoni këtë kompeticion sivjet?

Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të fituar Ligën e Europës, por duam gjithashtu edhe Kupën e Italisë. Dua t’ia dhuroj të dy Juves.

Tifozët duan t’ju shohin edhe vitin tjetër në Torino. Sa shpresa ka që kjo të ndodhë?

Nuk e di, por është e vërtetë që kemi nisur të flasim për këtë me drejtuesit. Unë jam shumë i lumtur këtu dhe tani kam nisur që të ndiej edhe ngrohtësinë e popullit, tifozëve… Në fillim e pata shumë të vështirë, por tani jo vetëm unë po arrij që të tregoj se sa vlej, por në të njëjtën kohë edhe tifozët kanë më shumë besim tek unë dhe më duan, më motivojnë. Dhe ky fakt ka ndryshuar shumë gjëra brenda meje dhe familjes sime, për të ardhmen te Juventusi.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"