Dhuna në Memaliaj, trajneri i Albpetrolit rrëfen sherrin: Gurë e boks, na shanë dhe policët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 10:39

Dhuna në Memaliaj, trajneri i Albpetrolit rrëfen sherrin: Gurë e boks, na shanë dhe policët

Albpetroli u mund në Memaliaj dhe më shumë se rezultati, i ka shqetësuar ajo që ngjau. Klubi ka ankesa për organizimin e ndeshjes dhe është vetë drejtori Hajredin Muço që reklamon atë që nuk shkoi, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”.

dhune

Ai evidenton problematikën me autoambulancën dhe fushën që u kthye në një arenë boksi, kur nuk munguan as gurët. “Jam çuditur, s’e mendoja atë pritje që na u rezervua në Memaliaj. Ne humbëm një ndeshje, e cila erdhi prej lojës së ashpër të kundërshtarëve. Megjithatë, kjo është pjesë që i takon trajnerit të flasë. Më lejoni të bëj një kronologji. Shefi i klubit të Memaliajt nuk dëshironte që ndeshja të filmohej dhe të luhej në praninë e gazetarëve. Për të kaluar tek autoambulanca, që ishte prezente deri në minutën e 25-të ose të 30-të të takimit dhe më pas u largua.

Vumë në dijeni për këtë zyrtarët e ndeshjes. Pas fillimit të pjesës së dytë, kërkuam ndërprerjen edhe kështu ndodhi. Gjyqtarët se bashku me drejtuesit, pasi folëm edhe me FSHF-në, na u tha që të mos vazhdohej ndeshja pa ambulancën. Ishte një çudi presioni vendës për të vazhduar lojën, ndërkohë që në vend që të jenë promotorë të ‘Fair Play’- t, kërkonin të zhvillonin një sfidë pa autoambulancën prezente. Një shpikje alla shqiptare, nxorën një ‘automjet’ nga hiçi dhe e paraqitën si ambulancë, e cila në vend të pajisjeve mjekësore kishte vetëm sedilje.

Autoambulanca e vërtetë erdhi pas 30 minutash. Ekipi vendës, pasi shënoi dhe na mundi në fushën e lojës, kërkoi të na ‘mundte’ edhe në boks. Them kështu, pasi u futën në fushë njerëz të paautorizuar, që hidhnin gurë në fushë. Policët e bashkisë të cilët janë tërësisht të njëanshëm dhe që gjatë ndeshjes çuditërisht mbajnë veshur uniformën e një policie të Republikës së Shqipërisë, shanin edhe vetë gjatë ndeshjes. Këta janë llumi i shoqërisë.

Nuk mundet sot, në shekullin XXI, të japësh ende shfaqje të shëmtuar sikurse dhuna, qoftë ajo verbale apo fizike, të manifestohen sjellje të cilat nuk i korrespondojnë një spektakli në fushën e stadiumit”, ka përfunduar deklaratën e tij shefi i Albpetrolit.

LUIS FEJZULLAH-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"