Devolli: Pikët janë jetike për Kukësin, më ngroh dëshira e djemve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 11:49

Devolli: Pikët janë jetike për Kukësin, më ngroh dëshira e djemve

Kukësi shpreson për një tjetër rezultat pozitiv sot në fushën e Egnatias kryesuese. Edhe pse përballë janë dy skajet e renditjes, me paraqitjet që blutë kanë bërë në ndeshjet e fundit, kanë treguar se mund të mundin këdo. Me këtë mentalitet do të hyjnë edhe sot në fushë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Bledar Devolli i kënaqet formës që po kalon skuadra dhe kërkon maksimumin edhe ndaj kryesuesve, ndonëse edhe barazimi mund t’i bëjë punë. Dëshira që kanë lojtarët e bën trajnerin optimist për vazhdimësinë.

devolli 1

 

Devolli, si është morali i skuadrës pas fitoreve në ndeshjet e fundit?

Normalisht që morali është i lartë. Djemtë janë të vetëdijshëm që nuk kemi arritur asgjë, por e rëndësishme është që skuadra ka dëshirë për t’i bërë gjërat mirë.

Sa ju ka shërbyer kjo periudhë pushimi?

Në fakt, ishte një periudhë që na shërbeu për pak rigjenerim, pasi angazhimet kanë qenë të shumta. Ishte një pauzë që na duhej për të punuar pak më shumë disa gjëra, që cikli javor nuk na jepte mundësi për t’i punuar si duhet.

Si e prisni ndeshjen me Egnatian?

Normalisht pres një ndeshje shumë të vështirë. Kundërshtari ka cilësi dhe jo më kot qëndron në vendin e parë. E kemi studiuar dhe kemi përgatitur gjithçka me kujdes për këtë përballje.

Kënaqeni edhe me një barazim, apo vetëm fitorja ju bën punë?

Fitorja është rezultati që na shërben, pasi pikët janë jetike. Gjithsesi, duhet parë dhe kronologjia e ndeshjes sesi do shkojë, pasi barazimi mund të jetë shumë i mirë, por mund të ndodhë të jetë edhe një rezultat jo i kënaqshëm.

A ka ardhur Kukësi aty ku dëshironi ju, apo prisni ende më shumë nga skuadra?

Djemtë përmirësohen çdo ditë dhe më shumë. Ajo që më ngroh më shumë dhe më jep besim, është dëshira që ata kanë. Grupi ka cilësi dhe jo të gjithë e kanë treguar potencialin e tyre.

kuk

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"