Devolli mban peng Luftëtarin, Dede zbardh listën e fazës përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2012 | 14:28

Devolli mban peng Luftëtarin, Dede zbardh listën e fazës përgatitore

Ashtu siç ishte parashikuar, Luftëtari në orën 07:00 është nisur në drejtim të Greqisë, vend ky i planifikuar për zhvillimin e fazës përgatitore. Gjirokastritët do të qëndrojnë afro 10 ditë në Veria, një ndër vendet me kushte klimaterike nga më të mirat e shtetit fqinj, ku krahas stërvitjes do të organizojnë edhe 3-4 takime miqësore. Grupi i lojtarëve, i drejtuar nga stafi teknik Dede- Novi-Kristidhi, pritet të marrë në ditët e qëndrimit në tokën greke ngarkesë fizike optimale, ku pa dyshim prioritet i punës trajnuese pritet të jetë rritja e parametrave tekniko-taktikë. Në përbërje të grupit bluzi do të jenë më të mirët, ata që nesër do të përballojnë sfidën e vështirë të Superiores. Ndërkohë, ish-kapiteni i sezonit të kaluar, Bledar Devolli, duket se po mban peng skuadrën. Meqenëse ende nuk është arritur një akord, drejtuesit kanë ndryshuar strategji, pasi e konsideronin të sigurt firmën e mesfushorit. Nëse përfundimisht nuk arrihet akordi, atëherë Luftëtari do të futet në merkato për një mbrojtës ose mesfushor me peshë në Superiore.
Udhëtimi Para nisjes për në Veria ka përfunduar dhe noterizimi i kontratave të reja. Grupi i lojtarëve gjirokastritë nën drejtimin e stafit teknik e ka rritur ndjeshëm nivelin e përgatitjeve, gjë që e ka kënaqur pa masë trajnerin Dede pas testit të kontrollit të shtunën pasdite. Megjithatë, ai pret më shumë grintë, forcë dhe shpirt gare, pavarësisht nëse bëhet fjalë për test kontrolli apo miqësore. E ndërsa nga drejtuesit e Luftëtarit është pohuar se pjesë e skuadrës do të jenë 22 lojtarë, deri tani numri i të përzgjedhurve është 20. Gjithsesi, në ditët në vijim numri i futbollistëve që do të përballojnë garën e ardhshme pritet të shtohet edhe me dy, duke qenë se drejtuesit nuk kanë hequr dorë nga përforcimet. Ishte trajneri tiranas Nevil Dede ai që në lidhje me merkaton, në një bisedë për “Panorama Sport” dy ditë më parë, theksoi: “Pavarësisht se kampionati fillon më 25 gusht, kjo nuk do të thotë se merkatoja përfundon pikërisht në këtë datë. Kështu që deri në ditën e fundit, pra 31 gusht, ne do të jemi aktivë”.

Lista e lojtarëve
PORTIERË
Erind Selimaj
Mihal Thano
Klajdi Isaraj
MBROJTËS
Besmir Sinani
Bledar Shalari
Ylli Shameti
Alis Boci
Mirel Brahimi
Jetmir Nino
MESFUSHORË
Behar Ramadani
Nertil Stoja
Fejzo Shenaj
Julian Lluka
Ervis Çaço
Ergys Mersini
Florian Braho
Gabriel Mezini
SULMUES
Arlind Nora
Jasmin Raboshta
Aleksandër Miliç
Ergys Sorra
Spiro Thimjo

Vjen Sorra
Mesfushori me tipare sulmuese, Ergys Sorra, është blerja e re e Luftëtarit. Lojtari 23-vjeçar ka firmosur për një sezon me klubin gjirokastrit. I riu është një njohje e vjetër e trajnerit Nevil Dede, pasi ky i fundit e ka stërvitur te Tirana. Sorra e mbylli sezonin te Dinamo, ndërkohë që tashmë do të jetë një alternativë për sulmin bluzi. Pritet që Sorra t’i bashkohet sot ekipit të ri.

Miqësorja
Të shtunën Luftëtari do të zhvillojë miqësoren e parë në tokën greke. Sipas konfirmimit që vjen nga drejtuesit e klubit gjirokastrit, bluzinjtë do të luajnë kundër Verias. Bëhet fjalë për një skuadër që militon në Superligën greke. Në këto kushte, kjo do të jetë një ndeshje me vlera për gjirokastritët. Pritet që Luftëtari të luajë edhe kundër Janinës e Panioniosit në Greqi.

Petraq Meçi, trajneri i U-19
Petraq Meçi është trajneri i ri i ekipit U-19 të Luftëtarit. Pas dorëheqjes së të mirënjohurit Çaush Begaj, drejtuesit e klubit ia besuan Meçit kreun e pankinës së të rinjve. Meçi është një ish-futbollist i Luftëtarit në vitet 1996-2005. Ai ka mbaruar Universitetin e Sporteve në Tiranë, ndërkohë që së fundmi është pajisur edhe me licencën B të UEFA-s për trajner. “Është një vlerësim i madh. Falënderoj presidentin e klubit, zotin Bime, për mundësinë që më dha. Do të punoj me përkushtim për të vazhduar në mënyrën më të mirë atë që ka lënë ish-trajneri im, Begaj. Shpresoj që bashkë me trajnerin Dede, të bashkëpunojmë për të evidentuar sa më shumë të rinj te Luftëtari”, – u shpreh Meçi.
Tomorr Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"