“Dështim nëse nuk do të ngjiteshim në Superiore”, administratori i Dinamos: Kemi ndërtuar ekip pretendent, çdo ndeshje si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 14:00

“Dështim nëse nuk do të ngjiteshim në Superiore”, administratori i Dinamos: Kemi ndërtuar ekip pretendent, çdo ndeshje si finale

Sezoni i ri ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Dinamon, e cila ka ditur të triumfojë në tri ndeshjet e para zyrtare, të cilat i ka pasur në transfertë. Dinamovitët kanë dalë fitimtarë në dy turet e para të Kupës duke eliminuar Flamurtarin dhe Bylisin në shtëpitë e tyre, si dhe e kanë nisur kampionatin me fitore në Shijak. Kualifikimi i Dinamos ndaj Bylisit të Superiores, pikërisht në stadiumin “Adush Muça” ka qenë plotësisht i merituar. Kështu deklaroi administratori i Dinamos, Ermal Barushi, pas suksesit me Bylisin për Kupën e Shqipërisë. “Kemi një përgjegjësi të madhe. Po flasim për Dinamon, një klub historik. Në Ballsh ishte një kualifikim plotësisht i merituar i skuadrës sonë. Pavarësisht vështirësive në vitet e fundit, Dinamo është një ‘nëndetëse’ dhe dita për t’u ngjitur në sipërfaqe do të vinte. Kemi ndërtuar një ekip pretendent dhe këtë nuk kemi pse ta fshehim, me gjithë respektin që kemi për çdo kundërshtar. 
Ermal Barushi
I prisnim këto rezultate pozitive. Kemi zhvilluar tri ndeshje të mira dhe jemi përmirësuar në vazhdimësi. Për më tepër, kemi luajtur jashtë fushës sonë dhe është e rëndësishme për ne, që ekipi luan dhe e kërkon fitoren deri në vërshëllimën e fundit. Pavarësisht fitoreve, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Të gjitha takimet janë si finale për ne, në Kupë dhe kampionat. Ne duhet t’u kthejmë besimin të gjithëve dhe natyrisht duhet t’i përgjigjemi edhe investimit që është bërë. Të shohim përpara, kemi fituar betejën e radhës dhe kaq. Do ishte dështim nëse Dinamo nuk do të shkonte në Kategorinë Superiore. Ndeshjet duhet t’i marrim një nga një. Përgëzoj lojtarët, trajnerët, natyrisht edhe Bylisin për mikpritjen në ndeshjen e Kupës”, u shpreh administratori Barushi për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"