Dervishi: Të mposhtim Bylisin, më pas të shpresojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2013 | 13:06

Dervishi: Të mposhtim Bylisin, më pas të shpresojmë

Dervishi gool ndaj KastriotitShkumbini do të presë këtë fundjavë në shtëpi Bylisin, kundërshtar që mund të konsiderohet si një rival direkt për mbijetesë, nisur nga diferenca e vogël e pikëve. Sulmuesi peqinas, Roland Dervishi, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se skuadra e tij aktualisht po mendon vetëm që të mposhtë ekipin e Bylisit, ndërsa sa i takon fundit atë do ta vendosë fati. “Në dy javët e fundit, megjithëse kemi marrë rezultate pozitive: pra një fitore ndaj Vllaznisë dhe një barazim në Fier, mendoj se nuk mund të jemi të kënaqur nga vetja. Kjo, pasi kërkonim që në takimet e fundit të mund të arrinim të gjitha fitore, mirëpo me Apoloninë gabuam shumë duke lënë dy pikë mjaft të rëndësishme, të cilat mund të rezultojnë decizive për objektivat që kemi. E them këtë pasi, me dy pikë më shumë, sot do të ishim më pranë ekipit të Bylisit, që është një rival direkt për mbijetesë dhe me të cilin do të përballemi në fundjavë. Deri më tani kemi hedhur shumë hapa falsë, ndërsa çdo gjë bëhet më e vështirë për ne. Megjithatë, të mposhtim Bylisin fillimisht, ndërsa gjërat e tjera t’ia lëmë fatit në dorë, pasi jo gjithçka varet nga ne në këtë fazë të kampionatit. Megjithatë, derisa matematika të na e lejojë, ne nuk do të heqim dorë nga objektivi për të mbijetuar”, – përfundoi Dervishi.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"