“Dënohen” dy futbollistë, Gjici ultimatum Kukësit para Tiranës. Humbja sjell… gjoba

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 23:11

“Dënohen” dy futbollistë, Gjici ultimatum Kukësit para Tiranës. Humbja sjell… gjoba

H umbja me Flamurtarin përveçse la me pasoja lojtarët, vuri në dukje shumë problematika për sa i përket paraqitjes së futbollistëve në fushë dhe pozicioneve të tyre. Në rastet e golave, futbollistët e disa roleve përkatëse nuk kanë qenë në pozicionet e tyre, e këtë gjë trajneri Armando Cungu ua vuri në dukje lojtarëve në analizë. Por, nuk duhet të harrojmë rolin e presidentit Safet Gjici, i cili sapo përfundoi pjesa e parë e Kukësi ishte në disavantazh 0-2, ai zbriti nga tribuna VIP e hyri në dhomat e zhveshjeve, ku shkundi ekipin.

gjici

Kreu i klubit mjaft i nervozuar nga golat e pësuar ka kritikuar ashpër grupin dhe disa lojtarë në emra të përveçëm. Duke parë hendekun në krahun e majtë të mbrojtjes ku Zguro nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por dhe qendra e mesfushës me Vesel Limaj nuk bëri diferencën, të dy lojtarët ngelën në “tunel”. Të dy pas largimit të kreut të klubit u “shkarkuan”, e vendin e tyre e zuri Gëzim Krasniqi e Shpehar. Rokada e roleve ndodhi mes Krasniqit e Cuculit, ku zëvendëskapiteni u spostua në rolin e mbrojtësit të majtë në vend të Zguros, ndërsa rolin e Limajt e mbuloi Shafik, ndërsa vendin e këtij të fundit në sulm e zuri Shpehar.

Gazeta mëson se pikërisht të dy lojtarët që u zëvendësuan Zguro e Limaj do të “dënohen”, duke u ulur në stol ndaj Tiranës. Loja e tyre ka zhgënjyer, së pari presidentin, e më pas gjithë stafin drejtues që deri tani po mendojnë për skemat dhe zëvendësuesit e tyre. Pritet që Armando Cungu të luajë pikërisht siç luajti në pjesën e dytë ndaj Flamurtarit, duke luajtur me Cuculin në të majtë dhe me Shametin e Krasniqin në qendër, ndërsa me Shafik në qendër të mesfushës e Shpehar në sulm.

SHKODRA – Përveç humbjes së rëndë me vlerë tri pikët dhe moralin, Kukësi me shumë gjasa ka humbur dhe Donjet Shkodrën për ndeshjen e radhës. Kosovari ka pësuar një dëmtim, i cili nuk duket shumë i rëndë, por aq sa atij nuk mund t’i lejojë të luajë ndaj Tiranës. Shkodra ka ndrydhur kaviljen, e për këtë shkak humbi stërvitjen e së shtunës. Dhe ditën e djeshme ai ka marrë pjesë në seancën stërvitore të drekës, por dhe pse ka tentuar të bëjë disa ushtrime të lehta me topin, kavilja i ka shfaqur dhimbje dhe i ka lënë në mes ushtrimet dhe stërvitjen.

Mesfushori ka pasur rritje të konsiderueshme të formës së tij sportive e ky fakt është vënë në dukje dhe publikisht nga trajneri Cungu. Tashmë, stafi është në ankth për situatën e Shkodrës, e cila po monitorohet rreptësisht nga mjekët. Duke parë simptomën, lojtari do e ketë shumë të vështirë të jetë prezent ndaj Tiranës, por në vijim do ketë një përgjigje përfundimtare. Lajmi i mirë për teknikun shkodran vjen për Irakli Dzarian, i cili është futur në stërvitje me grupin dhe pritet të jetë i gatshëm që nga minuta e parë. Sakaq, presidenti Gjici i ka çuar “selam” ekipit, nëse nuk fitojnë ndaj Tiranës, t’i harrojnë rrogat dhe gjobat do jenë të ashpra, ndaj kthesa duhet të jetë e padiskutueshme.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"