Dëmtimi “i mistershëm” i Binguilës, Tiranës i kushton 12 mijë $ për 52 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2017 | 17:29

Dëmtimi “i mistershëm” i Binguilës, Tiranës i kushton 12 mijë $ për 52 minuta

Hardi Binguila mbetet jashtë. Shpresohej që në mesin e këtij muaji të niste stërvitje me grupin, por më kot. Zyrtarisht procesi i riaftësimit të tij kërkon ende shumë kohë. Por, a është e gatshme Tirana që ta presë kjo mbetet për t’u parë. Erdhi me bujë të madhe në merkaton e verës, madje u cilësua si pasardhësi i Merveil Ndokyt, por në fushë ende nuk e ka parë askush, madje as vetë Ze Maria. Debutoi në Pogradec, ku luajti vetëm 20 minuta si zëvendësues, dhe e nisi si titullar me Besën (për ndeshjen e kthimit të turit të parë të Kupës), por rezistoi vetëm 32 minuta pasi pësoi tërheqje. Një dëmtim që vazhdon ta mbajë të diferencuar nga pjesa tjetër e grupit, paçka se hera-herës vihet nën urdhrat e stafit teknik.

binguila

Por, sapo të gjithë shpresojnë dhe mendojnë që “ia doli”, mesfushori ndien sërish shqetësime. Dëmtimi “i mistershëm” ka filluar që të lodhë stafin teknik, pasi një alternativë më shumë në mesfushë do t’i bënte realisht punë, sidomos kur dihet që skuadra e tij ka një kalendar të ngjeshur nga kampionati te Kupa, por mbi të gjitha edhe objektivat madhore. Të dhënat kurrsesi nuk i mungojnë dhe jo më kot ka qenë pjesë e Okserit në Franë. Madje, klubi e vlerësoi duke i dhënë numrin “10”, fanellë që e ka mbajtur një emër i madh si Devi Muka.

Por kjo uniformë mbetet ende në hije, edhe pse janë zhvilluar plot 8 javë kampionat. Në klub, në fakt, e cilësojnë si një investim të vyer, por që frytet ende nuk po i shohin, pasi fillimisht lojtari duhet të zbresë në fushë dhe të bindë gjithkënd për vlerat e tij, që shumëkush mund t’i ketë parë vetëm në DVD. Pastaj dyshimet shtohen nëse dëmtimi i lojtarit është i hershëm. Edhe pse i ka zhvilluar paraprakisht që të gjitha vizitat mjekësore, frika ekziston.

hardi binguila

Dhe Tiranës po i kushton jo pak kongolezi, i cili, prej fundit të shtatorit, është shndërruar në një “shikues” luksi, pasi paga e tij mujore është afro 4 mijë dollarë. Logjikisht që prej ardhjes së tij po mbyllet edhe muaji i tretë (shtator, tetor dhe nëntor), ndaj për 52 minuta bardheblutë e kanë paguar afro 12 mijë dollarë fantazistin. Sesi do të veprohet me të nuk dihet, megjithatë gjasat janë që as për Shënkollin të jetë gati.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"