Daja ndan mendjen për formacionin, Xhejms humb vendin e titullarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 9:43

Daja ndan mendjen për formacionin, Xhejms humb vendin e titullarit

Ilir Daja fiksohet pas “spiunëve”. Ashtu si në Korçë, edhe në Zagreb ka vijuar me të njëjtin program. Skuadra është “izoluar” gjatë seancës së fundit që zhvilluan në stadiumin “Maksimir”. Stafi teknik, pasi dha këshillat e fundit, mbylli përgatitjet dhe tashmë është gati për të t’u ndeshur me Dinamon, me shpresën për të marrë një rezultat pozitiv që do t’u jepte dorë për kualifikimin.

skenderbeu

Në këtë seancë, trajneri ka shuar të gjitha dilemat e mundshme për sa i përket formacionit. Është zbardhur 11-shja bazë që do të hidhet në fushë nga minuta e parë. Bie në sy rreshtimi 4-1-4-1 dhe shumë pak ndryshime në fushë në krahasim me ndeshjen e luajtur ndaj Mlada Boleslav. Në portë do ta nisë portieri Orges Shehi në rolin e kapitenit dhe menjëherë para tij Vangjeli do të vendoset djathtas dhe Mici majtas. Dyshja e qendrës pritet të formohet sërish nga Radas dhe Jashanica.

Disi më i avancuar do të jetë Osmani si digë para mbrojtjes që do të kompletojë repartin defensiv. Megjithatë, Osmani do të ketë detyrë edhe të organizojë daljet e ekipit përpara, duke qenë se ka bindur prej kohësh në këtë pozicion. Para korçarit do të vendosen Sabjen Lilaj dhe Bakari Nimaga në qendër të mesfushës, ndërsa Gavazaj do të jetë në të djathtë dhe Latifi në të majtë.

skenderbeu formacioni

Sulmi do t’i besohet italo-gambianit Ali Soue, i ardhur pak javë më parë huazim nga Kievo. Ai ka bindur Skënderbeun dhe trajnerin Daja për kapacitetin e tij, duke fituar një fanellë titullari. Kjo do të thotë se nigeriani Xhejms Adeniji do ta nisë nga stoli këtë takim. Ky do të jetë formacioni që Ilir Daja do të hedhë në fushë, me shpresën që Skënderbeu të arrijë historinë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"