Daja: Kupa është e Skënderbeut, ja pse e quaj… tripletë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2018 | 13:15

Daja: Kupa është e Skënderbeut, ja pse e quaj… tripletë

Skënderbeu është gati për të luajtur ndeshjen e fundit për këtë sezon dhe për ta mbyllur me fitimin për herë të parë të Kupës së Shqipërisë. Ndaj Laçit në stadiumin “Elbasan Arena”, ekipi do të kërkojë të sjellë në Korçë edhe trofeun tjetër sezonal, që i mungon klubit në historinë e tij. Për këtë, edhe trajneri Ilir Daja është thuajse gati për t’ua bërë këtë dhuratë korçarëve në këtë sezon fantastik.

Daja

Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes me Laçin, trajneri i kampionëve ka treguar jo vetëm ambicien për të fituar kupën, por edhe besimin e madh për përfaqësimin në Europë. Ai është i bindur se KAS-i do të pezullojë vendimin e UEFA-s, por gjithçka mbetet për t’u parë.

Daja, pas titullit vjen edhe finalja e Kupës. Është gati Skënderbeu për të ngritur edhe këtë trofe?

Është ndeshja e fundit e këtij sezoni dhe ne jemi gati për ta mbyllur mirë. Do të ishte e veçantë, pasi mund të bëjmë tripletë në këtë sezon fantastik. E them këtë, pasi trofeu i parë për ne ishte arritja e ekipit në grupet e Ligës së Europës, duke kaluar katër ture si askush tjetër më parë në historinë e futbollit shqiptar.

Finalen e vjetshme me Tiranën e humbët, tashmë vjen e dyta radhazi. Është ndeshja e duhur ndaj një kundërshtari si Laçi apo nuk sheh ndryshime?

Besoj se është mundësia më e mirë për të mbyllur sezonin me qershinë mbi tortë, që në këtë rast është kupa. Do të ishte vërtet mjaft e bukur që në kaq pak kohë, por të mbushura me shumë suksese, të merrnim edhe këtë trofe. E  dua ta fitoj patjetër për t’ia bërë dhuratë ekipit, klubit dhe qytetit.

Laçi shihet si një ekip specialist për finalet. Çfarë parashikoni?

Ndaj Laçit do të jetë një takim i vështirë normalisht. Në vitet e fundit ka treguar se ka një menaxhim mjaft të mirë të finaleve dhe kjo e bën kundërshtar shumë të rrezikshëm. Ka meritë po aq sa ne, pasi ka bërë të njëjtin udhëtim në kupë, duke arritur deri në finale.

Në tri javët e fundit keni bërë rrotacion të gjerë. A do të jetë problem kjo për titullarët që të hyjnë me ritëm në ndeshjen finale?

Po, është e vërtetë që kemi bërë këtë zgjedhje, pasi donim të provonim edhe ata lojtarë që nuk kishin shumë hapë- sira. Ne e bëmë këtë në raport edhe me politikat e klubit, por edhe për të parë se cilët do të jenë futbollistët që do të qëndrojnë te ne në sezonin e ri dhe ata që do të shkojnë në huazim. Megjithatë, u munduam që të bënim edhe seanca të diferencuara për titullarët që të mos humbitnin ritmin. Prandaj jam i bindur se gjithçka do të jetë normale.

Ju e keni vendosur se cilët lojtarë do të mbani për sezonin tjetër?

Normalisht, unë i kam të qarta direktivat e mia dhe piketat për sezonin e ri, por ne jemi klub profesionist dhe vendimet merren bashkërisht, pasi të diskutojmë me të gjithë dhe do të arrijmë në një konkluzion që ka aprovimin e përbashkët për të mirën e ecurisë së ekipit.

Festa e zgjeruar për titullin, a do të ndikojë në paraqitjen e ekipit?

Bëmë një sezon të shkëlqyer dhe fantastik, prandaj na takonte të bënim një festë po kaq fantastike. Ishte një mbrëmje mjaft e bukur, që vijoi deri në orët e para të mëngjesit dhe mund të them se është një nga qytetet që di se si festohet më mirë. Gjithsesi, mund të them se pas festës kemi qenë sërish në stërvitje, për të rikuperuar dhe për të qenë gati për ndeshjen ndaj Laçit.

Çfarë parandieni për ndeshjen me Laçin?

Jemi në një pikë të sezonit që kemi arritur shumë dhe duam ta mbyllim me gjithçka. Kjo do të thotë se do të bëjmë të pamundurën për të pasur kupën me vete në kthim. Jemi të karikuar dhe djemtë i kam parë me një moral shumë të lartë. Ndoshta edhe festa na ka bërë shumë mirë për të na sjellë gjithë këtë motivim. Do të kërkojmë fitoren sigurisht.

Por vëmendja është edhe në KAS. Në qershor pritet të shihet nëse do të jeni pjesë e Europës apo jo. E mendoni?

Të them të drejtën, ne jemi të fokusuar vetëm te fusha dhe mundohemi të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kemi zhvilluar një sezon fantastik në Europë, ku UEFA na ka përgëzuar për paraqitjen e bërë. Për këtë mendoj se do të jemi normalisht në garë. Besimi është i madh dhe normalisht që Skënderbeu e meriton të jetë pjesë e më të mirëve.

Po në rast se KAS-i mendon ndryshe, keni ndonjë një plan B?

Jo, ne nuk punojmë me plan B, pasi jemi të sigurt se do të luajmë në Europë. Klubi ka bërë një punë mjaft të mirë, po ashtu edhe studioja ligjore që ka angazhuar klubi është me eksperiencë mjaft pozitive në të tilla çështje. Prandaj, besojmë te drejtësia dhe te fakti që do të luajmë në Champions.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"