Daja “fiksohet” me Kekon, kampionët duan 250 mijë euro. Ballkani kërkon sulmuesin e Partizanit, ja shuma që ofrojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2024 | 23:05

Daja “fiksohet” me Kekon, kampionët duan 250 mijë euro. Ballkani kërkon sulmuesin e Partizanit, ja shuma që ofrojnë

Ilir Daja kërkon të bëjë pazar te Partizani. “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit të kuq se Ballkani është i interesuar për Albers Kekon. Te Partizani në merkaton e janarit afruan Xhuliano Skukën, që me ardhjen e tij e mbipopulloi akoma më shumë repartin e sulmit.

KEKO PARTIZANI

Të nisur nga ky fakt, por edhe nga analizat që janë kryer në klub, Partizani nuk e konsideron të pashitshëm Kekon dhe është treguar i hapur për negociata. Ballkani prej disa ditësh ka shprehur interes këmbëngulës me disa oferta, që kanë mbërritur deri në shifrën e 150 mijë eurove, plus përqindje të kartonit për Partizanin. Kjo shifër nuk e ka lënë të kënaqur klubin e kuq, që do të ishte i gatshëm ta lëshonte Kekon për të paktën 250 mijë euro bashkë me një përqindje të kartonit në rast rishitjeje. Pavarësisht faktit se Ballkani ka shitur disa lojtarë dhe ka fituar mbi 1 milionë euro, deri më tani klubi nga Theranda nuk e parë të arsyeshme që të mbërrijë deri në shifrat e pretenduara nga “demat”.

Fakt është se Daja e pëlqen shumë sulmuesin e Partizanit dhe po insiston për ta transferuar. Kampionët, nga ana tjetër, nuk heqin dorë nga pretendimet e tyre prej faktit se e dinë mirë se çfarë lojtari kanë në dorë. Keko ka arritur ta tregojë veten shumë shpejt me fanellën e kuqe dhe pavarësisht se klubi po negocion për ta shitur, 22-vjeçari mbetet një element i rëndësishëm për skuadrën dhe nuk mund të konsiderohet si i dalë jashtë planeve apo i mënjanuar nga Shehi. Madje, fakti që Partizani kërkon të mos heqë tërësisht dorë nga shërbimet e Kekos, është një detaj që tregon se ata kanë besim se ai mund të bëjë hapin e madh në karrierë.

Në rast se ky operacion dështon, Keko mbetet pjesë e rëndësishme e ekipit. Nuk dihet dëshira e vetë futbollistit në lidhje me këtë transferim, por në parim me siguri ai do të ishte i hapur, pasi Ballkani ka nevojë për një profil të tillë dhe ndoshta do të mund t’i jepte më shumë minuta. Keko ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar 2 asiste në 884 minuta në Superiore. Partizani i pagoi Korabit afro 40 mijë euro për të.

K

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"