Da Silva-Mala, dyshja që ka shansin e hakmarrjes. Sot konfirmohet se cila ishte lëvizja e duhur
Partizani dhe Vllaznia ndeshen sot në “Loro Boriçi” për herë të parë në këtë sezon dhe fitorja është padyshim detyrë për secilën skuadër. “Demat” kërkojnë me patjetër të harrojnë atë humbje në derbi, ndërsa Vllaznia të eliminojë luhatjet dhe të kthehet te suksesi, pas atij barazimi ndaj Teutës së vendit të parafundit.

Të dyja ekipet do të përdorin “artilerinë” më të rëndë të mundshme për të hedhur në tapet njëratjetrën, por interesant në këtë betejë është fakti se gjatë verës kanë shkëmbyer dy nga “armët” më të rënda të kampionatit tonë në vitet e fundit.
Esat Mala la Partizanin dhe kaloi te Vllaznia, ndërsa nga ana tjetër Viktor da Silva la shkodranët dhe firmosi me kryeqytetasit. Duke u nisur nga ky fakt, kjo sfidë nuk është e zakonshme për asnjërin prej këtyre të dyve. Çdonjëri prej lojtarëve do të kërkojë të tregojë se ish-klubi ka gabuar me largimin.
MALA – “Dardani” u kthye te Giresunspori në verë, skuadra që e kishte dhënë në huazim nga Partizani, por me turqit nuk zgjati shumë dhe Mala doli lojtar i lirë.
Pas kësaj, menaxheri i tij u tregua i gatshëm të negocionte rikthimin e mesfushorit te të kuqtë, por drejtuesit, të pakënaqur për faktin se Mala nuk pranoi të luante në Europë, vendosën të mos e ndjekin më pistën e tij dhe të përqendrohen te Da Silva.
Në këtë ndeshje, Mala ka shansin ta “zhysë” Partizanin për t’i treguar se gaboi që nuk i uli gjakrat dhe të pranonte rikthimin e tij. Nga ana tjetër, mesfushori dëshiron gjithashtu të shlyejë investimin e Vllaznisë tek ai.
DA SILVA – Braziliani në verë përfundoi kontratën me Vllazninë dhe më pas vendosi të mos rinovonte.
Ai e mori këtë vendim i shtyrë edhe nga vonesat e pagave në disa raste, por nga ana tjetër Vllaznia nuk bëri shumë lëvizje për t’ia ndryshuar mendjen, për shkak se kishin rezerva për gjendjen e tij fizike dhe personalitetin e brazilianit.
Më pas Da Silva firmosi në Qipro, ku ndenji vetëm dy javë, përpara se të transferohej te “demat”. Synimi i brazilianit është i qartë: t’i tregojë Vllaznisë se ka humbur një lojtar, që bën diferencën në vendin tonë, si dhe t’i dëshmojë Partizanit që bëri mirë që e mori në vend të Malës. Të dy lojtarët vijnë me statistika thuajse identike në këtë ndeshje.
PANORAMASPORT.AL













