Çyrbja: Kukësin e kalojmë, duhet një marsh më tepër sepse kemi lënë shumë pikë rrugës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 18:36

Çyrbja: Kukësin e kalojmë, duhet një marsh më tepër sepse kemi lënë shumë pikë rrugës

Teuta do të presë në “Niko Dovana” Kukësin e vendit të fundit, në një ndeshje delikate për mbijetesën. Fitorja është objektivi i vetëm në Durrës dhe i këtij mendimi është edhe Arbër Çyrbja. Duke folur për “Panorama Sport”, mesfushori i Teutës shprehet se ka qenë një javë serioze në përgatitje dhe ekipi do e kalojë me sukses këtë ndeshje.

CYRBJA TEUTA

Arbër, hyni në javën anti-Kukës, si është atmosfera në ekip?
Situata është normale dhe këtë javë po përgatitemi të gjithë si ekip që të jemi gati në fundjavë për ndeshjen e radhës. Grupi është i plotë, të gjithë lojtarët janë në formë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te kundërshtari i radhës.

Kukësi vjen për fitore sepse i duhen pikët, sa të vështirë e bën ky fakt këtë ndeshje? 
Të gjitha ndeshjet janë të vështira, pavarësisht rezultateve jo të mira të Kukësit, ne do hyjmë për tri pikët e radhës dhe ky është objektivi ynë parësor. Pastaj se çfarë rezervon ndeshja, është gjë tjetër. Por, duke parë seriozitetin e skuadrës në stërvitje, mendoj që do e kalojmë edhe këtë ndeshje delikate.

Çfarë ka ndryshuar te Teuta në këto javë?
Mendoj se është i njëjti grup, jemi stërvitur mirë dhe kjo na bën akoma edhe më të fortë. Pika më e fortë është fryma e grupit dhe marrëdhënia që kemi me njëri-tjetrin. Shumica e lojtarëve janë profesionistë dhe me eksperiencë, gjë ndihmon akoma edhe më shumë grupin të ketë harmoni.

Të kënaqur deri tani, apo duhet të bënit më tepër? 
Mendoj se kemi lënë shumë pikë pasi kemi qenë në avantazh. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur dhe shpresoj të kemi vazhdimësi. E mira nuk ka fund, por duke parë që të gjitha ekipet janë forcuar, duhet të jemi më të mobilizuar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"