Çudirat e futbollit shqiptar, Kukësi përfundon në Labëri nga halli për të luajtur në… Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2021 | 19:26

Çudirat e futbollit shqiptar, Kukësi përfundon në Labëri nga halli për të luajtur në… Kupë

Skuadra e Superiores po e përdorin pushimin e kombëtareve si një fazë përgatitore pasi do të rikthehen në fushë javën tjetër për të luajtur ndeshjet e kthimit në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

kukesi

Kukësi ka llogari të hapur me Egnatian, pasi rrogozhinasit i mposhtën 3-1 në sfidën e parë duke i dominuar totalisht. Verilindorët do të tentojnë medoemos kualifikimin për të lënë pas dhe humbjen me Skëndërbeun javën e kaluar. Por teksa skuadrat stërviten për ndeshjet e Kupës, një tjetër çudi vjen nga futbolli shqiptar.

Kukësi në pritje të hapjes së “Zeqir Ymerit”, do të presë Egnatian në stadiumin e Flamurtarit në Vlorë. Një çmenduri shqiptare kjo, ku një skuadër nga njëri skaj përfundon në tjetrin, në këtë rast Kukësi nga veriu do të luajë në krahinën e Labërisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja e Kukësit në “Facebook”, duke u shkruar se arsyeja e këtij spostimi është kërkesa për një stadium me kushte optimale, dhe i Flamurtarit ishte i lirë dhe perfekt në të njëjtën kohë.

Halli më i madh do të jetë  për tifozët e Kukësit, të cilët do të duhet të udhëtojnë 300 kilometra brenda vendit për të parë skuadrën e tyre të zemrës.

Postimi i Kukësit

Ekipi ka vijuar ditën e sotme me përgatitjet në prag të ndeshjen ndaj Egnatias në Kupën e Shqipërisë. Skuadra ka zhvilluar sot një seancë stërvitore në kompleksin “Football Republic”.
Ndeshja ndaj Egnatias është vendosur të luhet në stadiumin e Flamurtarit në Vlorë. Klubi ynë kërkoi nga Federata që ndeshja ndaj Egnatias të luhet në një stadium me parametra.
Në këtë mënyrë, është vendosur që ndeshja të luhet në qytetin e Vlorës. Skuadra jonë do të synojë përmbysjen e rezultatit 3-1 nga ndeshja e parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"