“CR7”, thatë? Ja kur janë zhbllokuar yjet në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 19:00

“CR7”, thatë? Ja kur janë zhbllokuar yjet në Itali

Të gjithë prisnin Kristiano Ronaldon, por në debutim ishte Sorrentino që e ndali në çdo formë yllin portugez. Sulmuesi i Juventusit debutoi kundër Kievos, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë, ndonëse u duk se pushimet e gjata nuk e kanë lejuar atë që të jetë ende në formën maksimale, edhe pse për golin e tij të parë ai po përgatitet shumë fortë në “Continassa” për ta gjetur atë, pse jo pasditen e nesërme, kundër Lacios, kur të bëjë debutimin e tij përpara tifozërisë bardhezi, në “Allianz Stadium”.

ronaldo juve

33-vjeçari gjithsesi nuk është ylli i vetëm që ka zbarkuar në Serinë A, i cili ka debutuar pa gol. Pa dyshim që është e vështirë të thyhet rekordi i ish-milanistit Zhorzh Ueah, të cilit iu deshën vetëm 7 minuta me fanellën kuqezi për të festuar “perlën” e parë apo, pse jo, edhe Edinson Kavani me Napolin pas vetëm 17 minutash lojë.

Në ndeshjen e tyre të parë dhe në sezonin e tyre të parë mes skuadrave më të mira italiane, kanë ditur që të bëjnë festë edhe emra të tjerë të mëdhenj, por nëse qëndrojmë te Juventusi, ata janë Karlos Tevez (pas 58 minutash lojë) dhe Zlatan Ibrahimoviçi. Ndërsa, të tjerë yje që kanë festuar në të parën absolute kanë qenë edhe Samuel Eto me Interin dhe ish-milanistët Andrij Shevçenko, Rud Gulit dhe Marko Basten, si dhe xhenoani Diego Milito, por përveç tyre askush tjetër nuk e ka pasur luksin e golit në debutim.

ronaldo

Pa dyshim që në vitet e saj të arta, 1990- 2000, Seria A ka parë ajkën e goleadorëve, por edhe fantazistëve më të mëdhenj që të vraponin në stadiumet e tyre, por ashtu si Kristiano Ronaldo, për disa është dashur pak durim, jo aq shumë sa për të ngritur skepticizma, por gjithsesi pak pritje nuk i bën keq askujt. Nëse qëndrojmë te sulmuesit, atëherë ai që tifozët kanë pritur më shumë për të parë golin e tij të parë ka qenë Oliver Bierhor, kur pas transferimit nga Udine në Milano, iu deshën 13 prezenca dhe 712 minuta lojë për gëzimin e parë.

Disi më pak është pritur për një legjendë si Zinedin Zidan, me francezin që realizoi golin e parë me Juventusin pas 362 minutash; Milani priti 316 minuta për Rikardo Kakanë për t’u kthyer te 152 minutat e Mishel Platinisë dhe Diego Armando Maradonës dhe 142 minutat e një tjetër Ronaldo, në këtë rast të “Fenomenit” të Interit. Prandaj, Kristiano, teksa sheh këto statistika, nuk ka pse shqetësohet pas 96 minutave të para të luajtura me Juventusin, në Verona.

golat

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"