Çoçlli do mrekullinë ndaj Apolonisë: Tre gola janë shumë, por ne do të japim gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 12:43

Çoçlli do mrekullinë ndaj Apolonisë: Tre gola janë shumë, por ne do të japim gjithçka

Luftëtari i Nikolin Çoçllit beson ende se do t’ia dalë të përmbysë humbjen e thellë 3-0 në takimin e parë të vlefshëm për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Besimi i trajnerit te grupi i 22 lojtarëve në dispozicion vjen pas barazimit 1-1 me Teutën. Ai rezultat ishte për teknikun një arsye më shumë për ta kaluar turin. 

Coclli

“Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë nesër (sot), pasi Apolonia ka luksin e 3 golave në fushën e saj. Humbëm ndeshjen e parë 10 minuta nga fundi, por kjo s’do të thotë se nuk duhet të besojmë te triumfi. E vështirë përmbysja, por jo e pamundur. Unë besoj dhe mendoj se do t’ia dalim. Jam plot shpresë që do ta kalojmë turin”, u shpreh në fillim të prononcimit për “Panorama Sport” Çoçlli. I pyetur nga gazeta lidhur me gjendjen fizike të të tijve dhe për aspektin moral Çoçlli tha: “Në ndeshjen e Kupës skuadra është e plotë, me përjashtim të ndonjë dëmtimi të lehtë në individë të veçantë. Morali në skuadër është i lartë, falë barazimit të arritur me meritë ndaj Teutës. Gjendja psikologjike sa vjen e rritet çdo ditë. Me lojtarët gjatë dy ditëve përgatitore kam punuar në grup dhe kokë më kokë bashkë me Neritan Novin, ndihmësin tim. Motivimi i lojtarëve çdo ditë ka qenë motoja e punës tonë në planin psikologjik. Mbështetur te loja në grup dhe shpirti i garës, do t’i kundërvihemi me të gjitha forcat skuadrës së Apolonisë, kryesues së grupit B të Kategorisë së Parë”, vijoi Çoçlli.

luftetariii

FORMACIONI

Luftëtari e ka objektiv serioz kalimin e turit të dytë, ndaj me shumë gjasa sot pritet të jetë në fushë me më të mirët. “Kemi komplet grupin dhe më pëlqen që ka konkurrencë. Ka pak rëndësi nëse janë ose jo titullarët në fushë. Unë besoj edhe te të tjerët, pasi kam në skuadër 22 futbollistë në gatishmëri. E rëndësishme është të ruajmë ekuilibrat duke menduar për ndeshjen me Flamurtarin”, u shpreh Çoçlli.

Trajneri në fund lëshoi edhe një mesazh për tifozët, teksa tha: “Kemi nevojë për tifozët sot dhe në vazhdim. Lojtarët tanë të rinj kanë nevojë për zërat dhe duartrokitjen e tifozëve në çdo situatë”. Në orën 13:00 bluzinjtë mbyllën dje përgatitjet për sfidën e sotme, pa anashkaluar për asnjë minutë përballjen e së dielës me Flamurtarin, që do ta luajë në shtëpi. Sot të gatshëm për trajnerin Çoçlli janë të gjithë lojtarët, teksa nga stafi mjekësor mësohet se situata e dëmtimeve është normale dhe nuk përbën problem për aktivizimin e cilitdo lojtari. Ndërkohë, sa i përket hyrjes në stadium, klubi ka vendosur që në të gjitha tribunat çmimi i biletës të jetë vetëm 200 lekë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"