Çfarë nuk u pa në TV nga Dinamo-Egnatia / Tifozët bëjnë moviolë me celularë: O Shkëmbi, do luani apo si e keni hallin. Mos e hiq më Bakajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 21:58

Çfarë nuk u pa në TV nga Dinamo-Egnatia / Tifozët bëjnë moviolë me celularë: O Shkëmbi, do luani apo si e keni hallin. Mos e hiq më Bakajn

Ndeshja mes Dinamos dhe Egnatias ka dhuruar spektakël e ngjarje në fushë, por edhe ne tribuna. Panorama Sport sjell më poshtë ato që nuk u panë në TV nga ndeshja e djeshme.

dinamo egnatia

– Dinamovitët kërkojnë të shfrytëzojnë çdo sekondë në nxehmjen para ndeshjes dhe futen të fundit në dhomat e zhveshjes. Mirëpo, kjo gjë nuk i pengoi që të futeshin të parët në fushë.

– Numri i tifozëve në stadium ishte shumë i pakët, teksa nuk munguan ultrasit e Egnatias të vendosur në sektorin e miqve. Në lidhje me numrin e pakët të tifozëve, nuk munguan as batutat në stadium: “Më shumë kishte tifozë kur ishin stadiumet mbyllur sesa tani. Më mirë t’i mbyllin prapë”, ia behu një tifoz në stadium.

– Pas golit të Telushit, tifozët dinamovitë mërziten me ekipin e tyre dhe i kthehen Shkëmbit: “O Shkëmbi, do luani apo si e keni hallin! Luani tani se latë nam!”

– Magani ishte shumë i irrituar me lojtarët e tij, duke u bërtitur në disa raste: “Ore Çyrbe, lëre murin po shiko se po të ikën lojtari”, ia behu trajneri gjatë një goditjeje dënimi. Në një tjetër rast, Magani kapet me të tijtë pas një këndoreje të Dinamos: “O Demir, po shko aty te kornja, mos rri në zonë”. Në këtë moment tekniku i kërkon ndihmë edhe Krasniqit: “Foli pak më shumë, kontrolloje lojën”, ia behu trajneri i Egnatias.

– Isaevski nuk ka guxim të shohë penalltinë e Ibraimit, teksa gjatë momentit të ekzekutimit ulet në tokë dhe mban kokën poshtë.

– Në momentin që Bakaj i priti penalltinë Pedros, nuk mungoi entuziazmi i dinamovitëve në tribuna: “O Bakaj, o hero”. “Mos e hiq më Bakajn o Shkëmb, e sheh çfarë bën”, ia behu një tjetër.

– Pas akordimit të tri penalltive, një zë u dëgjua nga tribuna: “Qenka dita e penalltive sot”.

– Ibraimi shënon në të 65- ën për të tijtë golin e dytë, por ishte i vetëdijshëm se aksioni u la në bazë të rregullores, sepse ishte në pozicion jashtë loje. Ndaj, edhe nuk mori mundimin të festonte për të parë vendimin e VAR-it.

– Ibraimi i kërkon llogari gjyqtarit të katërt në momentin që kryesori akordon një faull në dëm të Dinamos: “Ti ishe këtu mo, afër fare, pse nuk flet”, ia behu Ibraimi arbitrit Feratajt, i cili sipas tij duhet të ndërhynte.

– Tek anulimi i golit të Egnatias për pozicion jashtë loje nga VAR-i, tifozët shohin më shpejt sesa arbitri pamjet në celularët e tyre. Dinamovitët bërtisnin për anulim, ndërsa rrogozhinasit e konsideronin gol të rregullt. Në fund, gjyqtari vendos për pozicion jashtë loje.

– Në fund të ndeshjes stafi dinamovit kërkon GPS e humbur nga një lojtar në fushë. Pasi nuk e gjetën dot, kërkuan ndihmën e stafit të stadiumit që ta kenë parasysh ta kërkojnë, me shpresën që do ta gjejnë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"