“Çdo javë është si finale për Dinamon”, kapiteni Hoxha: Të gjithë rivalë direkt, jo vetëm Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 20:04

“Çdo javë është si finale për Dinamon”, kapiteni Hoxha: Të gjithë rivalë direkt, jo vetëm Skënderbeu

Skënderbeu është sfida e radhës për Dinamon, një nga ato ndeshje që duhet fituar me çdo kusht për të mbajtur të hapur garën e 4-shes së parë. Blutë ndeshen të shtunën në Durrës me këtë kundërshtar, ndaj të cilit synojnë rikthimin te fitorja, pas asaj humbjeje dramatike në derbin me Tiranën.

Rustem-Hoxha

Korçarët janë 4 pikë para aktualisht dhe shansi për ta shkurtuar këtë diferencë nuk duhet humbur. Grupi i lojtarëve është më i plotë përpara kësaj ndeshjeje delikate. Stafi teknik, për të mbajtur në tonus lojtarët, luajti një ndeshje kontrolli në fundjavë me ekipin e të rinjve, ku të gjithë sulmuesit gjetën rrugën e rrjetës.

KAPITENI HOXHA – Për kapitenin e Dinamos, Rustem Hoxha, skuadra është gati të reagojë më rifillimin e kampionatit për ta kaluar situatën në favor të saj. Sipas mbrojtësit me eksperiencë, rival direkt, me mënyrën si po shkon gara, nuk është vetëm Skënderbeu, por të gjitha skuadrat. “Dinamo nuk pati fat në derbi për të marrë një rezultat pozitiv, por kampionati vazhdon dhe gjithçka është e hapur. Këto ditë jemi munduar të punojmë sa më fort që të jemi plotësisht gati për ndeshjen me Skënderbeun.

Përqendrimi ynë është vetëm te kjo ndeshje, sepse na duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët. Futbolli është shumë dinamik, nuk të jep kohë të festosh kur fiton dhe as të ‘qash’ kur humbet. Kemi lënë pas gjithçka nga derbi dhe shohim vetëm përpara. Skënderbeu rival direkt? Jo vetëm ai, tani të gjitha skuadrat janë rivale direkt dhe për ne është e qartë se duhet të marrim më të mirën në çdo ndeshje. Me besim te vetja dhe përqendrimin e duhur, them se do të bëjmë kthesën këtë fundjavë. Pastaj do të mendojmë për ndeshjet e tjera, që janë shumë afër njëra-tjetrës. Do të ishte e gabuar, nëse do të mendonim tani për të tria ndeshjet që luajmë në pak ditë, në mendje duhet të kemi vetëm Skënderbeun”, ka thënë për “Panorama Sport” futbollisti durrsak i Dinamos, autor i tre golave në këtë kampionat.

SKËNDERBEU – Hoxha e vlerëson kundërshtarin e radhës për futbollin që luan, por thekson se për Dinamon rruga e vetme është fitorja. “Skënderbeu meriton respekt, luan futboll të bukur dhe ka një skuadër që vendoset mirë në fushë. Është një nga ato ndeshje që kërkon kujdes maksimal dhe shpirt gare për ta fituar. Ne po përgatitemi si për një finale dhe shpresoj që ta kalojmë më sukses.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet në këtë moment të kampionatit dhe kam mendimin se Dinamo do të dijë të tregojë vlerat e saj më të mirë, që të marrë në fund atë që meriton. Uroj të kemi edhe pak fat, por së pari duhet t’ia bëjmë shërbimin si duhet këtij 900-minutësh. Askush nuk na fal asgjë, besojmë vetëm te forcat tona se do të marrim tri pikët dhe do të jemi në garën e 4-shes së parë”, është shprehur më tej kapiteni i Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"