“Çdo gjë e ka një fillim”, Kamarata: Apolonia, gati për surprizën ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 12:36

“Çdo gjë e ka një fillim”, Kamarata: Apolonia, gati për surprizën ndaj Vllaznisë

“I treti, i vërteti” – aforizmi që e duan dhe e thonë me shpresë tifozët fierakë për trajnerin Fabricio Kamarata. Nëse trajneri i kryesuesve, Tomas Brdariç, “është ngujuar” në Shkodër që nga fillimi i sezonit, tek Apolonia ka pasur shumë ecejake në pankinë. Gjithsesi, italiani Kamarata nuk merret me të shkuarën, por fokusohet te momentalja, te ndeshja e radhës, pa u kompleksuar nga Vllaznia kryesuese. Ai i qëndron besnik parimit të tij individual: Vlerësimin në maksimum të çdo kundërshtari, pa u ndikuar nga renditja. Në lidhje me përballjen e sotme, ai jep këtë intervistë për “Panorama Sport”:

Kamarata Apolonia

Kamarata, vini pas dy humbjeve minimale me Tiranën dhe Teutën, pësuat në minutat e fundit. Keni nxjerrë mësimet e duhura nga këto disfata?

Patjetër që pas çdo ndeshjeje ne bëjmë analizën tonë dhe nxjerrim konkluzione për përmirësim. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, lidhur kjo edhe me lojën e kundërshtarit dhe paraqitjen tonë. Nuk është e domosdoshme ta them në publik problemin e skuadrës sonë në dy ndeshjet e fundit. Rëndësi ka që lojtarët ta kuptojnë dhe të bëjnë reagimin e duhur.

Jeni realisht i kënaqur, siç e shprehni gjithmonë në media?

Unë nuk them asgjë thjesht për deklaratë dhe për të kaluar radhën, as për të llastuar skuadrën. Ekipi e ka rritur lojën dhe është përballur me dinjitet edhe me skuadra cilësore, kjo gjë ka qenë e dukshme. Por, ana tjetër, është që ne duhet të rritemi akoma më shumë në anën psikologjike, të jemi më kërkues dhe më të guximshëm si skuadër. Edhe këto gjëra i kam thënë edhe më parë.

Pak gola të pësuar javët e fundit, por edhe probleme të theksuara në finalizim…

Edhe pse kemi pësuar pak, sërish nuk kemi bërë atë që duhet. Po, prapavija ka përmirësim, ama në dy ndeshjet e fundit kemi dalë pa pikë, duke pësuar vetëm 1 gol në to. Pjesa e sulmit nuk duhet parë e shkëputur nga loja jonë e përgjithshme, prandaj e them sërish që na mbetet shumë për të bërë në harmonizimin dhe bashkëveprimin e reparteve, si dhe rritjen e besimit në grup.

Kamarata2

Si është gjendja momentale e skuadrës?

Mjaftueshëm mirë. Kemi edhe ne problemet tona në organikë, me 2-3 lojtarë që janë ende në rikuperim e sipër dhe me mungesën e Smaçit për plotësimin e kartonëve. Por, kemi edhe rikthime, siç është Omeri.

Luani në transfertë përballë Vllazninë kryesuese. A është gati Apolonia të surprizojë në rezultat?

Për Vllazninë, nuk ka nevojë për fjalë, janë kryesues me shumë meritë. Nuk kam ndërmend të analizoj lojën dhe rezultatet e tyre, por dua të them që Apolonia do të luajë pa u kontraktuar në fushë dhe për rezultat maksimal. Na duhet të jemi të guximshëm dhe lojtarët duhet ta bëjnë këtë gjë përherë e më tepër. Një ndeshje shumë e vështirë për ne, por që duhet ta shohim si takim të radhës dhe të kemi objektiv të qartë maksimal.

Por Apolonia nuk ka fituar asnjë ndeshje jashtë fushe këtë kampionat…

Çdo gjë e ka një fillim, statistikat nuk janë të përhershme dhe nuk merremi me atë që ka mbetur pas. Shohim vetëm përpara me besim dhe optimizëm të madh.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"