Bylisi pret Lushnjën, Bellai s’e “vret” mendjen për mungesat: Të ruajmë kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 11:10

Bylisi pret Lushnjën, Bellai s’e “vret” mendjen për mungesat: Të ruajmë kreun

Bylisi do t’u japë sot dorën e fundit përgatitjeve për Lushnjën, ndeshje që do të luhet sot në orën 14:00. Kundërshtarin e presin në shtëpi dhe llogaritë bëhen me fitoren. Edhe pse do të ketë mungesa (Kasaj i pezulluar dhe Kibe i dëmtuar), Arian Bellai nuk shqetësohet.

Bellai

Ka një kontingjent të plotë, për të mos vrarë mendjen për formacionin. Trajneri e pranon një gjë të tillë, por në të njëjtën kohë u jep një mesazh të tijve. Pret një ekip kokulur dhe të mirëvendosur në fushë, që të mos diskutohen pikët.

Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, numri një i stoli tha: “Kemi punuar shumë edhe gjatë pauzës dhe jemi munduar që t’i mbajmë futbollistët sa më të karikuar. Kampionati është në një pikë kulmore. Kemi edhe ndonjë mungesë, por kam besim tek ata që do të luajnë dhe që do të bëjnë më të mirën për të shkuar te fitorja.

Më pëlqen fakti që javë pas jave, skuadra ka rritje të treguesve, madje po shënojmë gola dhe bëjmë futboll duke qarkulluar topin. Kemi akoma shumë punë për të bërë, për t’u perfeksionuar më shumë. Jemi në një moment që kemi edhe rikthime futbollistësh e do të kapin edhe ata formën dhe pas dëmtimeve do të jenë plus i madh për ne. Tashmë të gjitha ekipet janë të konsoliduara dhe unë u kam kërkuar djemve që të jemi vigjilentë në çdo ndeshje.

Të gjithë kundërshtarët janë njësoj. Do të na duhet të bëjmë kujdes si në shtëpinë tonë, ashtu edhe në transferta. Nesër ndaj Lushnjës do të kërkojmë vetëm 3 pikët për të mos lëkundur aspak pozitat tona si kryesues”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"