Bylisi humbi nga Tirana: Kapllanaj s’bën polemika: Nuk dua të nxitohem, gjithçka në rrugë zyrtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 12:45

Bylisi humbi nga Tirana: Kapllanaj s’bën polemika: Nuk dua të nxitohem, gjithçka në rrugë zyrtare

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, nuk nxitohet për të polemizuar pas vendimeve të arbitrit Enea Jorgji. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, kreu i klubit ballshiot theksoi se do të ankohet në rrugë zyrtare për të gjitha episodet në ndeshjen ndaj Tiranës.

besnik kapllanajj

“E kam ndjekur me qetësi ndeshjen. Ka pasur shumë probleme, por do të shikoj me imtësi çdo gjë e më pas do të jap një opinion të saktë për situatën, çfarë ka qenë gabim dhe kundër nesh. Nuk mund të flas para kohe, por për çdo gjë do të informoj FSHF-në në rrugë zyrtare, duke filluar nga instancat e arbitrimit dhe deri te presidenti. Nuk dua të nxitohem për të bërë gjykime që mund të mos jenë ashtu si i mendoj për momentin. Do të shikoj pamjet filmike dhe do të flas konkretisht. Aktualisht, jam duke punuar fort për të bërë edhe dy-tri përforcime, në mënyrë që ekipi të jetë i kompletuar. Megjithatë, nuk do ta lëmë pas dore këtë situatë. Do të shikojmë hollësisht çdo gjë, që nga kartonët e padhënë për lojtarët e Tiranës, që mund të dilnin me të kuq, e deri te goli i parë dhe i dytë i tyre. Jorgji është një nga arbitrat më të mirë të Shqipërisë, por nuk mund të them në këtë moment që ka gabuar ose jo. Nuk mund të flas në ajër, pa i parë mirë rastet”, deklaroi Kapllanaj.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"