Bushiç hero, gol “in extremis” për Vllazninë. Canaj: Me krutanët ishte një fitore kthese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2013 | 11:15

Bushiç hero, gol “in extremis” për Vllazninë. Canaj: Me krutanët ishte një fitore kthese

Vllaznia-Kastrioti 2-1, Shtubina ka shenuarVLLAZNIA-KASTRIOTI  2-1
GOLAT: Shtubina 9′, Bushiç 90’/ Sefa 21′ (p)
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj (Bardulla 85′), Beqiri, Sykaj, Baçi, Belisha, Tafili, Kruja (Dibra 85′), Shtubina (Kraja 89′), Hajdari, Bushiç. Trajner: Agim Canaj
KASTRIOTI: I.Lika, Caca, Xhafa, Sheta, Abraham, Daja, Fonseka (Karapici 57′), Sefa, Ferraj, Malindi (Da Silva 85′), Turdiu. Trajner: Ramazan Ndreu
KARTONË TË VERDHË: Hajdari 53’/ Ferraj 30′, Caca 41′, Da Silva 87′
VËZHGUES: Plarent Kotherja (Tiranë) DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: Olsi Sokoli/ E.Barushi (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
1′ Shtubina shfaqet bukur nga e djathta, gjuan fort, por mbi traversë.
3′ Një gabim i mbrojtjes së Vllaznisë, është Fonseka që ka mundësi të mirë shënimi, por preferon të pasojë për shokët e tij, vetëm se pasimi i tij nuk merret mirë nga Malindi.
8′ Daja në hyrje të zonës gjuan fort, por pret Vujadinoviç.
9′ Shtubina shfrytëzon mirë një mosmarrëveshje të mbrojtësve dhe në hyrje të zonës godet fort, 1-0.
17′ Beqiri i ndodhur i zbuluar në zonë, gjuan fort, por mbi traversë.
20′ Gabon mbrojtja mike në një kthim të topit mbrapa, përfiton Bushiç, që fton Hajdarin, i cili kërkon të pasojë te Shtubina, por ndërhyn saktë më pas mbrojtja mike.
21′ Abraham bën gjithçka mirë nga e majta e sulmit, kalon dy-tre futbollistë dhe brenda zonës pengohet në mënyrë të parregullt nga Tafili. Gjyqtari akordin penallti, e cila shndërrohet në gol nga Sefa.
24′ Sefa ekzekuton një goditje të lirë, gjuan fort dhe me vështirësi grushton Vujadinoviç.
31′ Bushiç gjuan mbi traversë.
43′ Beqiri ekzekuton një goditje të lirë, por topi kalon pak cm larg katërkëndëshit të Likës.
53′ Kruja bën një galopim të bukur, futet brenda zonës, aty pengohet nga Abraham, por për gjyqtarin nuk ka penallti.
77′ Karapici pranë portës gjuan me kokë, por topi kalon fare afër shtyllës së majtë pingule të portierit Vujadinoviç.
80′ Hajdari futet bukur nga krahu i majtë në qendër, gjuan dhe topi përplaset në shtyllën e majtë pingule të portierit Lika.
90′ Bushiç shfrytëzon më së miri një gabim të mbrojtjes mike dhe brenda zonës nuk gabon teksa e përplas topin për të dytën herë në rrjetën krutane.

Tomisllav Bushiç i jep tri pikë të arta Vllaznisë në fitoren 2-1 të arritur nga kjo skuadër ndaj Kastriotit. Kroati shënoi në minutën e 90-të, pas një gabimi të mbrojtjes mike, duke u kthyer kështu në heroin e kuqebluve. Ndonëse duhet thënë se ekipi krutan me lojën e zhvilluar nuk e meritonte një humbje të tillë, pasi në disa raste rrezikoi seriozisht portën e Vujadinoviçit. Goli i hershëm i Shtubinës u barazua shpejt nga pika e bardhë e penalltisë prej Jetmir Sefës, ndërkohë që më tej asnjëra skuadër nuk ka mundur të gjejë epërsinë. Duhej të vinte minuta e fundit e lojës, që mbrojtja krutane të bënte një gabim të pafalshëm, duke i dhënë mundësinë Bushiçit që ta ndëshkonte skuadrën e Ndreut.
Pjesa e parë – Që në minutën e parë kanë qenë shkodranët që, me anë të Shtubinës, rrezikojnë krutanët. Ai shfaqet bukur nga e djathta, por gjuajta e tij është mbi traversë. Kundërpërgjigjen miqtë, të cilët 120 sekonda më vonë mund të kishin shënuar me anë të Fonsekës, pas një gabimi të mbrojtjes shkodrane, por sulmuesi, më tepër altruist se ç’duhet, preferoi të pasonte te shokët e tij duke sfumuar këtë mundësi. Në të 8-ën minutë është Daja në hyrje të zonës që gjuan fort, por Vujadinoviç pret dhe fill më pas vjen goli i Vllaznisë: Shtubina shfrytëzon mirë një mosmarrëveshje të mbrojtësve miq dhe, në hyrje të zonës, godet duke shënuar. Pas këtij goli u duk se Vllaznia mund ta kishte më të lehtë fitoren. Madje, në minutën e 20- të vendësit mund të kishin dyfishuar, kur pas një kthimi të topit mbrapa përfiton Bushiç, i cili fton Hajdarin, ky i fundit pason te Shtubina dhe aksioni vonohet aq sa vjen ndërhyrja e mbrojtësve. Një minutë më vonë vihet baraspesha: Abraham bën gjithçka mirë nga e majta e sulmit, kalon dy-tre futbollistë dhe brenda zonës pengohet në mënyrë të parregullt nga Tafili. Gjyqtari akordin penallti, të cilën e realizon Sefa.
Bushiç – Pjesa e dytë, ashtu si e para, ka nisur më e mirë për vendësit e Vllaznisë, të cilët e kanë kërkuar që në fillim golin e avantazhit. Në të 53-ën minutë kanë qenë shkodranët që tentojnë me anë të Krujës, i cili bën një galopim nga mesfusha, futet brenda zonës, aty pengohet nga Abraham, por për gjyqtarin nuk ka 11-metërsh. Shkodranët nuk janë të këtij mendimi, megjithatë loja vazhdon. Në minutat në vijim kuqeblutë kërkojnë më tepër në drejtim të portës mike, por ekipi krutan mbrohet me forca të shumta. Megjithatë, shkodranët harrojnë në prapavijë dhe në të 77-ën minutë, pas një harkimi të saktë nga e djathta, është Karapici, i cili fare pranë portës gjuan me kokë, por topi kalon shumë pranë shtyllës së majtë pingule. Në minutën e 80- të janë shkodranët që, me anë të Hajdarit, mund të kishin gjetur rrugën e rrjetës. Ai futet bukur nga krahu i majtë në qendër, gjuan dhe topi përplaset në shtyllën e majtë pingule të portierit Lika. Canaj nuk është i kënaqur me barazim dhe për rrjedhojë në harkun e 4 minutave që nga e 85-ta dhe deri në të 89-ën kryen tri zëvendësimet e mundshme, të cilët i japin dhe rezultatin e duhur. Mbrojtësi Kraja, i futur në ndihmë të sulmit, ka bërë mirë detyrën, teksa i ka krijuar një mundësi të mirë Bushiçit në minutën e 90-të dhe ky i fundit nuk ka falur duke shënuar golin e fitores.

MË I MIRI
Arsen Hajdari dhe Abraham kanë qenë lojtarët që kanë spikatur më shumë në këtë përballje. Mesfushori shkodran, pavarësisht se nuk arriti t’i gëzohet golit në minutën e 80-të, kur topi u përplas në shtyllë, ka lëvizur shumë gjatë gjithë kohës, duket qenë shqetësimi permanent për mbrojtjen mike. Ndërsa në krahun tjetër Abraham ka qenë një nga më të mirët e skuadrës së tij, duket qenë një siguri në krahun e majtë.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi i Kastriotit, braziliani Fonseka, ka qenë një nga lojtarët që ka çaluar më tepër në ekipin mik. Ai ka humbur një mundësi të mirë shënimi në fillim të takimit, por me kalimin e minutave nuk ka arritur të shprehë atë çka drejtuesit e ekipit prisnin. Për këtë arsye, tekniku Ndreu e ka larguar që në të 57-tën minutë brazilianin.

Agim Canaj: Kjo, një fitore kthese
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, e ka vlerësuar fitoren ndaj Kastriotit, por nuk ka ngurruar të ndalet edhe te gabimet që ka bërë skuadra e tij. “Ishte një fitore e merituar e skuadrës sonë. U jemi gëzuar tri pikëve se vinim pas dy rezultateve negative. E dinim që kishim përballë një Kastriot të motivuar dhe një skuadër të mirë. Mund të them se pas golit të shënuar e morëm më lehtë se duhet takimin, për rrjedhojë Kastrioti jo vetëm që shënoi, por edhe mund të na kishte rrezikuar për të shënuar golin e dytë. Përsëri bëmë disa gabime individuale në prapavijë, ku edhe mund të kishim pësuar gola. Sa i përket pjesës së dytë, ajo ishte më e mirë. Falë lëvizjeve tona, ne arritëm të neutralizonim edhe mesin e fushës së ekipit kundërshtar. E zhvendosëm lojën në gjysmëfushën e Kastriotit. Tensioni që u krijua në fund për të shënuar ndikoi edhe në lojën tonë. Kemi marrë një trepikësh të merituar”.

“Jam në superformë, por ky është vetëm fillimi”
Tomisllav Bushiç, heroi i takimit me Kastriotin, pavarësisht se në një ditë jo tërësisht të mirë, është gjetur në vendin dhe në momentin duhur duke i dhënë ekipit të tij tri pikë të kthesës. Pas ndeshjes, ai u shpreh tejet i kënaqur për fitoren e arritur: “Ishte një fitore e merituar e ekipit tonë, pasi vuajtëm për ta arritur. Megjithatë, mund të them se ka qenë më e bukura në këto javë. Ka qenë një gol shumë i rëndësishëm që neve në këto momente na ka bërë shumë mirë”. Kroati mesa duket ka bërë atë që pak ditë më parë kishte premtuar edhe në një deklarim të tij për “Panorama Sport”. Ai kishte premtuar se do të mendonte për fitoren dhe një gjë të tillë e ka kthyer në realitet. Ky gol i shënuar ndaj krutanëve ka qenë i shtati i këtij lojtari në Superiore. Por, nisur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës, i cili anuloi rezultatin e ndeshjes së Kukësit duke ua dhanë shkodraneve në tavolinë, ka bërë që sulmuesit t’i hiqet goli i shënuar në atë takim. “Golat e shënuar tregojnë edhe njëherë se po vij në gjendjen time optimale. Mund të them se tani jam në gjendjen time optimale, këtë po e shikoni dhe do ta shikoni edhe në vijimësi. Unë jam në më të mirën time”, – vijon ai. Bushiç nuk ka dashur që të ndalet që pas takimit me krutanët tek ai i fundjavës së ardhshme me Partizanin, pasi sipas tij duhet që më parë të analizohet mirë përballja me Kastriotin. “Është herët për të dhënë një mendim për takimin me Partizanin. Më parë duhet të analizojmë takimin me Kastriotin, të nxjerrim detyrat dhe më pas të mendojmë për të bërë më të mirën në takimin e radhës”.

Dënimi i fushës, tifozët “prenotojnë pallatet”
Nuk ka pasur tifozë si zakonisht në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, në përballjen e djeshme mes Vllaznisë dhe Kastriotit. Të vetmit tifozë kanë qenë drejtuesit e dy klubeve, por edhe personalitete e drejtues të futbollit në Shkodër dhe të ardhur nga Kruja. E megjithatë tifozëria shkodrane e ka gjetur mundësi që ta shijojë këtë takim drejtpërsëdrejti. Nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë ndjekur lojën nga katet e sipërme të pallateve, por edhe nga shtyllat e larta që ndodhen pas njërës prej portave të stadiumit, pikërisht në atë krah ku edhe mungojnë shkallët. Kujtojmë që stadiumi i Shkodrës u dënuan me dy ndeshje pa tifozë nga Komisioni i Disiplinës, pas problemeve të hasura në ndeshjen me Skënderbeun.
ADMIR URUCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"