Boksieri Mikel Cullhaj rrëfen objektivat: Dua medalje në Ballkaniadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 18:27

Boksieri Mikel Cullhaj rrëfen objektivat: Dua medalje në Ballkaniadë

Mikel Çullhaj 11 vite më parë ka nisur karrierën e tij në sportin e boksit. 22- vjeçari ka arritur të shpallet disa herë kampion kombëtar dhe kampion i Kupës së Republikës, duke marrë çmime të shumta si boksieri më i mirë apo boksieri më luftarak. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çullhaj rrëfen pasion e tij për boksin si dhe flet për vështirësitë dhe problematikat që ka ky sport në vendin tonë.

Cullaj

Mikel, si ju ka lindur pasioni për boksin?

Të them të drejtën unë kam pasur qejf futbollin, por kanë qenë dy dajat e mi ata që më kanë shtyrë më shumë për të vazhduar karrierën si boksier. Dhe kështu më pas vijoi si pasion. Rreth moshës 12- vjeçare kam zhvilluar edhe ndeshjet e para duke vazhduar më pas deri në ditët e sotme.

Sa orë në ditë stërviteni?

Boksi është një sport që kërkon shumë përkushtim dhe unë aktualisht stërvitem 4 orë në ditë, 2 orë paradite dhe 2 orë pasdite. Cilët janë objektivat që i keni vënë vetes? Momentalisht unë jam në boksin amator dhe objektivi im kryesor është që të arrij të marr medalje në Europë. Në fund të tetorit do të mbahet gjithashtu kampionati ballkanik, i cili  është një kompeticion shumë i rëndësishëm dhe mbahet për herë të parë. Në këtë event medalja është detyrim për mua.

Cullaj5

Cili është idhulli apo boksieri juaj i preferuar?

Boksieri im i preferuar është Majk Tajson, një sportist shumë i fortë me aftësi të lindura dhe ishte vërtet kënaqësi e madhe ta shikoje duke dueluar.

Të kalojmë te pjesa problematike.  Cilat janë vështirësitë më të mëdha që keni në këtë sport?

Problemet më të mëdha që ekzistojnë në boks kanë të bëjnë me dëmtimet. Në rastin konkret unë kam duart shumë problem dhe jemi gjatë gjithë kohës të rrezikuar nga dëmtimet. Të marrim si shembull kampionatin europian, ku për të shkuar deri në finale, duhet të realizosh 6-7 ndeshje dhe nëse ke problem me duart që në ndeshjen e parë bëhet shumë e vështirë pasi duelet janë shumë të ngjeshura, ditë pas dite.

Ju ishit së fundmi në Lojërat Europiane “Minsk 2019”. A keni ndonjë peng nga këto gara?

Në këtë kompeticion unë kam lënë shumë për të dëshiruar, pasi i kam të gjitha mundësitë, por po vuaj një problem të madh me duart, të cilat i kam të dëmtuara. Në stërvitje isha përgatitur mirë, por nuk kam bërë “sparing” për shkak të këtij problemi. Mendoj se jam penalizuar shumë nga mungesa e të bërit “sparing”, për shkak se i kam pasur vërtet në një gjendje shumë të keqe duart. Tashmë do të shkoj të bëj një rezonancë dhe shpresoj ta kaloj sa më shpejt këtë problem. Më vjen keq pasi kam pasur shans të luftoj edhe për medalje duke qenë se i kam të gjitha cilësitë fizike apo teknike.

Culaj5

A ndiheni i vlerësuar aq sa duhet si sportist në Shqipëri?

Jo vetëm unë, por të gjithë boksierët këtu nuk ndihen aspak të vlerësuar. Marrim vetëm një dietë prej 25 mijë lekësh në muaj që është shumë pak. Siç e thashë edhe më lart, unë kam dëmtuar duart dhe ne në klub nuk kemi në dispozicion asnjë mjek. Gjithçka duhet ta bëjmë me parat tona. Është për të ardhur keq, pasi kjo situatë është në të gjitha sportet në vendin tonë. U bëj apel të gjithë atyre që drejtojnë sportin në vendin tonë që të kontribuojnë më shumë, pasi shqiptarët në boks dhe peshëngritje janë mjaft të mirë dhe në këtë dy sporte duhet më tepër vëmendje.

Ju keni zhvilluar disa ndeshje edhe në arenën ndërkombëtare. Cilat janë vështirësitë më të mëdha kur përballeni me kundërshtarët tuaj në këto gara?

Ata nuk kanë ndonjë gjë më shumë se ne, por ajo që e bën diferencën është eksperienca. Unë jam 22 vjeç dhe në 11 vite boks, kam vetëm 16 ndeshje, ndërkohë që në vendet e tjera një sportist i ri që mund të ketë vetëm 6 muaj boks, regjistron 30 ndeshje. Pra, eksperienca dhe numri më i lartë i dueleve bëjnë që të arrish nivele më të larta.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"