Bizhyti: Ishte një ditë e zezë në Gramsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2012 | 13:29

Bizhyti: Ishte një ditë e zezë në Gramsh

Barazimi ndaj Gramshit ka djegur jo pak në qytetin e Lushnjës, pasi me këto dy pikë të lëna, ethet nga ndjekëset e tyre janë shtuar edhe më shumë. Një pikë e marrë në këtë takim, por ajo që ka mërzitur më shumë stafin teknik ka qenë loja e ekipit, e cila nuk u ngrit në asnjë moment në nivelin që pritej.
Bizhyti Mesfushori i Lushnjës, Alban Bizhyti, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet në lidhje me atë barazim: “Ka qenë një ditë e zezë, së cilës nuk mund t’i vëmë emër, pasi nuk është ajo forma jonë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe fushën, e cila nuk na la në asnjë moment të dilnim në lojën tonë, teksa më shumë i erdhi në ndihmë ekipit kundërshtar. Kemi kaluar në avantazh në fund të pjesës së parë, por nëse nuk do të kishim pësuar gol që në fillim të pjesës së dytë dhe të ishim treguar më të kujdesshëm, them se do të kishim marrë pikët maksimale. Pas golit, kemi pasur disa raste të pastra, por fati e po kështu edhe shtylla na e hoqën të drejtën e 3 pikëve. Kemi lënë dy pikë dhe kjo ka bërë që rivalët tanë të afrohen edhe më shumë, duke ngushtuar diferencën”, shprehet mesfushori lushnjar. Pas “dushit” të ftohtë që ka marrë nga ana e stafit teknik në analizën e zhvilluar pas barazimit në Gramsh, futbollistët kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës që do të luajnë ndaj Himarës. “Nuk mund të themi që është fundi i botës që lamë dy pikë në takimin me Gramshin. Ne vazhdojmë të jemi në vendin e parë dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne si ekip dhe besoj se nuk do e humbim këtë vend. Nuk ka asgjë për t’u alarmuar, pasi ne do të arrijmë të kalojmë në Superiore duke mos zhgënjyer më në këtë sezon. Kemi edhe katër javë deri në fund, por them se ne po mendojmë për takimin me Himarën, të cilin e kemi vlerësuar shumë dhe pa më të voglin dyshim ne do të kthehemi te fitorja”, e mbyll Bizhyti prononcimin e tij.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"