Besëlidhja dhe Teuta, kampionët e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2014 | 9:40

Besëlidhja dhe Teuta, kampionët e Shqipërisë

MundjeFederata Shqiptare e Mundjes ul siparin e aktiviteteve kombëtare të vitit me garën më të rëndësishme, kampionatin e të rriturve. Dhe skuadrat që shkruajnë emrin në histori ishin Besëlidhja në stilin klasik me 26 pikë të grumbulluara dhe Teuta në stilin e lirë me 27 pikë. Në finalet e klasikes, skuadra lezhjane shpalli kampionë Julian Gjelajn në peshën 75 kg dhe Alban Neçajn në peshën 85 kg, ndërsa Olimpik G. e cila u nderua me tre kampionë festoi edhe me kupën e sportistit më të mirë të kampionatit. Shpresim Gjana i peshës 66 kg e bëri të vetin këtë trofe. Për “Panorama Sport”, trajneri i kampionëve të Besëlidhjes, Altin Shtjefni, ka falënderuar deputetin e Lezhës, Arben Ndoka, për mbështetjen e madhe që po i jep sportit të mundjes. Ndërsa në stilin klasik pati kampionë përfaqësues të pesë klubeve, te stili i lirë ishte më i ngushtë. Përveç mundësit të Vllaznisë në peshën 74 kg, Qamil Bajrami, i zgjedhur edhe sportisti më i mirë, në peshat e tyre dueli u nda përsëri mes Kukësit dhe Teutës. Edhe në këtë epilog të suksesshëm të aktiviteteve kombëtare, Federata Shqiptare e Mundjes ka nderuar me pllakate mirënjohjeje disa prej figurave që kanë kontribuar në vite në sportin e mundjes, por edhe sipërmarrës, dashamirës të kësaj disipline. Me pllakatë mirënjohjeje u vlerësuan Fatmir Muça, Luan Betaj (për mbështetje financiare), Ndoc Ndoci (pas vdekjes) si ish-mundës e trajner i Partizanit, Shkëlzen Gega (pas vdekjes), Vajdin Lamaj (pas vdekjes) dhe Artan Mitron, ish-sportist i Partizanit, aktualisht gjyqtar pranë federatës. Ndërsa garat kombëtare quhen të mbyllura, nuk mund të thuhet kështu për ato ndërkombëtare. Sekretari i përgjithshëm i federatës, Ndriçim Spahiu, tha për gazetën se janë planifikuar edhe dy turne: “Adem Jashari” në Prishtinë me të rriturit më 22 nëntor dhe më 4 dhjetor në Greqi me kadetët dhe të rinjtë.

FITUESIT
STILI KLASIK
Jurgen Uku (Olimpik G) pesha 59 kg
Shpresim Gjana (Olimpik G) pesha 66 kg
Dritan Therepeli (Tomori) pesha 71 kg
Julian Gjelaj (Besëlidhja) pesha 75 kg
Enio Limushaj (Flamurtari) pesha 80 kg
Alban Neçaj (Besëlidhja) pesha 85 kg
Xhordi Pasha (Olimpik G) pesha 98 kg
Klodian Koçi (Partizani) pesha 130 kg
Ekipi kampion: Besëlidhja 26 pikë
Sportisti më i mirë: Shpresim Gjana (Olimpik G)
STILI I LIRË
Islam Islamaj (Teuta) pesha 57 kg
Veli Susuri (Kukësi) pesha 61 kg
Elton Azuni (Teuta) pesha 65 kg
Vilson Ndregjoni (Teuta) pesha 70 kg
Qamil Bajrami (Vllaznia) pesha 74 kg
Blerim Isederi (Kukësi) pesha 86 kg
Edon Shala (Kukësi) pesha 97 kg
Egzon Shala (Kukësi) pesha 125 kg
Ekipi kampion: Teuta 27 pikë
Sportisti më i mirë: Qamil Bajrami (Vllaznia)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"