Besa u ka dhënë “duart” objektivave, Hyseni: Vërtet dolëm nga gara, por tani do luaj për… veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2022 | 22:22

Besa u ka dhënë “duart” objektivave, Hyseni: Vërtet dolëm nga gara, por tani do luaj për… veten

Besa u ka dhënë vërtet “duart” objektivave të saj, por lojtarët mendojnë ndryshe. Ata shohin përtej, madje mendojnë se karriera e tyre varet nga ky fundkampionat. Erald Hyseni qartëson se secili luan dhe përgatitet mbi të gjitha për të ardhmen e tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori gjen motiv për 6 ndeshjet e fundit.

hyseni

“Që Besa ndodhet jashtë pretendimeve të fillimsezonit, kjo dihet. Arsyet janë thënë dhe stërthënë disa herë, ndaj nuk po i kthehem më së njëjtës temë. Por, gara vazhdon ama. Në fund të fundit, karriera e çdo futbollisti nuk përfundon pas këtyre 6 ndeshjeve. Secili prej nesh luan për veten dhe me këtë qëllim do të vazhdojmë. Në këtë kuptim edhe unë kam objektivat e mi personalë dhe deri në takimin e fundit do të djersij fort të jap më të mirën time.

Futbollin një javë ta lësh, të lë një muaj”, shprehet fillimisht 22-vjeçari. Ai u ndal edhe te 90-minutëshi i radhës. Presin Tërbunin dhe përtej gjithçkaje, grupi po stërvitet fort për ta kaluar me sukses javën e 25-të. “Po stërvitemi fort këto ditë për t’ia bërë hyzmetin në maksimum Tërbunit. Jemi të plotë, me përjashtim të Dajçit, çfarë na rrit besimin se mund dhe duhet të kthehemi patjetër te fitorja.

Nuk kemi asnjë alternativë tjetër veç fitores, pasi nuk do ishte çudi të futeshim në telashe në javët e fundit. Duhet të fitojmë dhe të luajmë të qetë të paktën ndeshjet në shtëpi. Këto javë të mbetura, secili luan për llogaritë e tij dhe Besa kurrsesi nuk duhet të gabojë me Tërbunin.

Kur them këtë, flas për mundësitë dhe atë çfarë do synojmë ne, por nuk harroj të them se nuk do të jetë e lehtë aspak. Tërbuni na ka mundur në Pukë dhe javët e fundit ka bërë shumë mirë në kampionat. Por siç thashë më lart, duam apo nuk duam ne, s’kemi zgjidhje tjetër veç fitores. Uroj të kemi edhe fatin me vete”, përfundoi beratasi i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"