Beci do kthesën: Fitojmë, nuk kemi çfarë humbasim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2016 | 8:49

Beci do kthesën: Fitojmë, nuk kemi çfarë humbasim

Tërbuni ka shtuar ngarkesat në stërvitje dhe nën drejtimin e Viktor Gjonit ka kryer dy seanca. Ndeshja me Bylisin konsiderohet si një finale, jo vetëm për pozitat në renditje, por edhe për faktin që përballë kanë një rival direkt.flamurtari terbuni Mbrojtësi Dritmir Beci beson te kthesa ndaj ballshiotëve, paçka se e ka të qartë se nuk do ta kenë të lehtë. “Tërbuni i ka mundësitë që të bëjë surprizën, madje duke filluar nga kjo javë që luajmë me Bylisin në shtëpi.

Ne kemi zhvilluar lojëra të mira në përgjithësi, paçka se në fund s’ka ecur me rezultatet. Por tashmë ka ardhur koha e kthesës. Ky duel është si finale për ne, pasi përballemi me një kundërshtar që, ashtu si ne, rrezikon rënien.

Nuk ka më kohë për hapa falsë, ndaj do të luftojmë deri në sekondat e fundit për të marrë maksimumin e pikëve. Edhe në kryeqytet patëm shanse që të fitonim, paçka se Tirana është një ekip me emër dhe kualitete.

Por, sikundër u pa, humbja erdhi prej gabimeve tona. Edhe pse në fund, ne nuk do të dorëzohemi. Nuk kemi çfarë të humbasim, ndaj me optimizëm shpresojmë që ndaj Bylisit të bëjmë autokritikë. Përgjegjësia bie te çdo lojtar, ndaj duhet të gjejmë forca për të ndryshuar. Ballshiotët kanë një ekip të fortë, por jo të pakalueshëm.

Vështirësia e këtij 90- minutëshi shtohet prej mbijetesës, rreziku që na kanoset na detyron që të japim gjithçka për gjithçka. Nëse ne do të luajmë me dinjitet dhe të motivuar në fushën e lojës në 8 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, gjithçka mund të ndodhë. Fakti që luajmë në shtëpi duhet të trajtohet si një armë plus. Duhet të rrëmbejmë patjetër pikët në ‘Ismail Xhemali’.

Ekipi duhet të reagojë me çdo kusht. Ne shpresojmë që të mos gabojmë gjatë këtyre takimeve të mbetura, sidomos në shtëpi jemi të dënuar që të paktën mos humbasim. Kriza financiare rëndon, megjithatë ne deri në fund do të respektojmë fanellën. Jemi të vendosur për këtë. S’ka ndeshje të lehta, por nëse jemi të vëmendshëm dhe të vendosur, gjithçka mund të arrihet”, përfundoi 19-vjeçari nga Shkodra, i cili ka luajtur këtë sezon 8 ndeshje me Tërbunin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"