Basketboll femra/ Flamurtari, Tirana dhe Vllaznia kalojnë në gjysmëfinalet e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 19:58

Basketboll femra/ Flamurtari, Tirana dhe Vllaznia kalojnë në gjysmëfinalet e Kupës

Pas Partizanit që siguroi gjysmëfinalen e të premtes, Kupa e Shqipërisë në basketboll për femra ka mësuar të shtunën edhe tri skuadrat e tjera që kualifikohen mes 4 më të mirave. Kështu, falë fitoreve të arritura në shtëpi kanë avancuar për më tej edhe Flamurtari, Tirana dhe Vllaznia.

basket femra

FLAMURTARI-BARLETI –

Gjithçka e thjeshtë për vlonjatet përballë Barletit në çerekfinale. Flamurtari dominoi tërësisht ndaj vajzave të reja universitare, duke fituar në Vlorë me rezultatin treshifror 105-28. Siç edhe pritej, diferencat në parket ishin të mëdha dhe u panë që në fillim, me vendaset që shpërthyen menjëherë, duke e fituar periodën e parë 23-6, për ta rritur edhe më shumë dominimin në çerekun e dytë, të cilin e fituan 36-2, për të kryesuar 59-8 pas 20 minutash lojë. Pjesa e dytë luhet për formalitet, me vlonjatet që triumfojnë edhe në dy periodat e mbetura 29- 10 dhe 17-10, duke certifikuar kalimin për në gjysmëfinale. Jaelyn Tweedy me 41 pikë dhe Selena Kirberg me 33 bënë diferencën për vendëset. Në radhët e vajzave të Klarent Dedajt, dopioshifër pikësh prekën Emi Skuqi dhe Neda Uka, me nga 10 secila.

TIRANA-STUDENTI –

Derbi i vogël i kryeqytetit ka shkuar për vajzat bardheblu, të cilat mundën skuadrën universitare 62-62 në “Farie Hoti”. Tirana krijoi shkëputje që në periodën e parë, për ta administruar epërsinë më pas deri në fund. Kështu vajzat e trajneres Mirza Alibegaj e filluan furishëm për ta fituar 10 minutëshin e parë 26-9. Perioda e dytë është më e ekuilibruar, me Tiranën që këtë herë fitoi 14-12, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve më avantazhin e përgjithshëm 40- 21. Studenti bën më mirë në pjesën e dytë, megjithatë edhe pse i fiton dy periodat e mbetura 15-20 dhe 14-21, nuk arrin të realizojë përmbysjen. Morina Bojka, me 21 pikë ishte lojtarja me rendimentin më të lartë për Tiranën, ndërsa në radhët e Studentit nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer nga Marinela Gjergji, autore e 23 pikëve dhe 15 kërcimeve.

VLLAZNIA-TEUTA –

Vajzat shkodrane morën një fitore të bukur në shtëpi, teksa mundën ekipin durrsak me rezultatin 62-50 (6-15, 19-13, 25-10, 12-12). Ndonëse e pa veten deri në 14 pikë disavantazh gjatë periodës së dytë, Vllaznia arriti të rikuperonte gjithçka. Bernarda Rreshpja me 18 pikë, 12 kërcime dhe 7 asistime, Melida Hykaj me 8 pikë, 17 kërcime dhe 4 asistime si dhe Sindi Kryeziu me 18 pikë udhëhoqën skuadrën kuqeblu në këtë sukses. Për Teutën më e mira ishte kapitenia Ebi Dishnica, autore e 19 pikëve, 13 kërcimeve dhe 3 asistimeve. Përsa u përket gjysmëfinaleve, ato do të zhvillohen në Vlorë, ndërsa do të kemi sfidat Flamurtari-Vllaznia dhe derbin Partizani-Tirana.

B2

B1

E.SIKA/A.DUSHKU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"